Nevil Dede

Nevil Dede drejton AF Elbasanin edhe në Superligë

16 Maj, 20:06| Përditesimi: 16 Maj, 20:07

  • Share

Akademia e Futbollit Elbasani nga sezoni i ri do jetë pjesë e Superligës, kjo për herë të parë në historinë "moderne" të klubit dhe pas ndryshimit të emrit nga falimentimi i ish ekipit KF Elbasani.

Katër vite pas krijimit, AF Elbasani këtë sezon u shpall kampion në Kategorinë e Parë dhe nga edicioni i ri do jetë në elitë. Në stol sërish do jetë Nevil Dede, trajneri që brenda një viti ia doli të ngjitet në Superligë me ekipin që drejton.

Drejtuesit pritet t'i besojnë sërish 49-vjeçarit për sezonin e ri, kjo edhe falë përvojës së tij. Skënderbeu, Tirana, Laçi, Luftëtari, sërish Tirana, Kastrioti, Shqipëria U-19, Erzeni dhe Dinamo, këto janë klubet ku Dede ka qenë në pankinë dhe ka bërë mirë.

Sezonin e fundit AF Elbasani kishte një përballje të fortë me Bylisin, teksa me 79 pikë doli në vendin e parë. Me 2.39 pikë për ndeshje, Dede në drejtimin e ekipit siguroi 24 fitore, shtatë barazime dhe vetëm dy humbje.

Në Elbasan është koha për të festuar suksesin dhe për të rifreskuar idetë e sezonit të ri, me Deden që do jetë sërish arkitekti i ekipit dhe pritet që pjesa kyçe e lojatërve të jetë nga sezoni që sapo lamë pas, pasi verdheblutë kanë në gjirin e tyre emra të rëndësishëm të futbollit shqiptar.

S.Dh/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?