Foto ilustruese

Bota

New York Times: Forcat koreano-veriore në Ukrainë po tërhiqen nga vija e frontit, kanë humbur afro 5000 trupa (DETAJET)

31 Janar, 16:05| Përditesimi: 31 Janar, 16:26

  • Share

Duke iu referuar artikujve të publikuar në ditët e fundit nga disa media anglosaksone, sot New York Times është rikthyer në çështjen e ushtarëve koreano-veriorë, të cilët sipas inteligjencës ukrainase dhe asaj perëndimore po luftojnë në rajonin e Kurskut, i cili është i pushtuar nga Rusia.

Duke cituar burime të paidentifikuara si “zyrtarë ukrainas dhe amerikanë”, gazeta amerikane pohon se trupat koreano-veriore të dërguara në Rusi janë tërhequr nga vijat e para të frontit pas humbjeve të rënda, duke raportuar vlerësime sipas të cilave Koreja e Veriut ka humbur pothuajse gjysmën e 11,000 ushtarëve të saj të vendosur në front.

Arsyeja kryesore e këtyre humbjeve, sipas raportimeve, është mungesa e organizimit dhe koordinimit me forcat ruse, të cilët thuhet se i kanë përdorur si “mish për top”, duke i lënë të ekspozuar pa mbështetje të duhur ushtarake. Megjithatë, sipas New York Times, tërheqja e trupave koreano-veriore mund të jetë e përkohshme, pasi ato mund të rikthehen në vijën e frontit pas një trajnimi shtesë.

Reagimi i Kremlinit

I pyetur nga gazetarët rusë në lidhje me këto raportime, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov dha një përgjigje përçmuese:

“Absolutisht jo. Ka shumë pretendime të ndryshme, disa të sakta dhe të tjera të pasakta, të dyja shpesh herë të çmendura dhe që shtrembërojnë realitetin. Nuk është e përshtatshme që ne të komentojmë çdo herë këtë çështje. Nuk do ta bëjmë.”

Deri më sot, Rusia dhe Koreja e Veriut nuk e kanë konfirmuar kurrë praninë e trupave koreano-veriore në vijën e frontit. Moska mban të njëjtin qëndrim si tre muaj më parë, kur përfaqësuesi i saj në OKB Vasily Nebenzya deklaroi se vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, po fabrikojnë këto akuza për të justifikuar praninë ushtarake të NATO-s në Ukrainë.

Tërheqja nga fronti

Raporti i New York Times, i shkruar nga fituesi i çmimit Pulitzer Michael Schwirtz dhe eksperti i inteligjencës Julian E. Barnes, përputhet me informacionet e publikuara më parë nga Sky News.

Sipas Sky News, burimi i informacionit është një komandant i forcave speciale ukrainase, me nofkën "Puls", i cili tha nga një bazë ushtarake se:

“Prej dy javësh nuk kemi parë më asnjë ushtar koreano-verior. Ndoshta po kurohen ose po riorganizohen, ose po presin përforcime. Mendoj se do të kthehen së shpejti.”

Ai gjithashtu pohon se ka dëgjuar një ushtar koreano-verior duke bërtitur "Për gjeneralin Kim Jong Un!" përpara se të vetëvritej, por Sky News nuk sqaron në cilën gjuhë u bë kjo thirrje apo si e kuptoi komandanti ukrainas.

Provat e pranisë së koreano-veriorëve

Komandanti Puls pohon se misioni i tij është të mbledhë prova për praninë e trupave koreano-veriore në luftë. Ai shpjegon:

“Marrim mostra të ADN-së nga nën thonjtë e trupave të vrarë për analiza laboratorike dhe dorëzojmë çdo material të mbledhur tek komandantët tanë.”

Për këtë çështje, Washington Post dhe CNN kanë bërë hulumtime të thelluara javët e fundit, duke theksuar se tema është shumë e ndjeshme dhe e ekspozuar ndaj manipulimeve nga inteligjenca ukrainase. Washington Post raportoi më 19 janar se:

“Ukraina duket gjithnjë e më e etur për të mbledhur prova për rolin në rritje të Koresë së Veriut në luftë.”

Në një artikull të datës nga rajoni i Sumyt, Post përmend prova të gjetura nga forcat speciale ukrainase, përfshirë:

Lista me 23 fraza në gjuhën koreane dhe ruse,

Letra të Vitit të Ri me fjalë të shkruara me dorë që i atribuohen Kim Jong Un-it,

Jelekë antiplumb, pajisje ushtarake dhe dokumente identiteti,

Dy pushkë moderne sulmi ruse të gjetura tek trupat e vrarë koreano-veriorë.

Gjithashtu, CNN raportoi se trupat koreano-veriore përdorin taktika të viteve ’80 dhe priren të kryejnë vetëvrasje në vend që të kapen robër.

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Strategjia e SPAK për parandalimin e krimit elektoral, a do ketë sukses?