Vendndodhja e projektit të hotelit 'Trump'

Kosova & Rajoni
Bota

New York Times: Një projekt i familjes së Trump shkakton dorëheqje dhe një akuzë penale në Serbi

Një grup konservatorësh të trashëgimisë kanë penguar planet për një kompleks hotelesh, një projekt i mbështetur nga dhëndri i presidentit, Jared Kushner, në Beograd, Serbi.

Gjatë vitit të kaluar, familja Trump ka udhëtuar nëpër botë duke nënshkruar një projekt ndërtimi pas tjetrit, shpesh në bashkëpunim me qeveri të huaja, duke ngritur një sërë shqetësimesh.

Por vetëm një prej tyre ka çuar në një hetim penal të shpallur publikisht ndaj zyrtarëve vendas. Dhe hetimi nisi pasi një grup mbrojtësish të trashëgimisë kulturore në Serbi sfiduan qeverinë e tyre.

Dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner, ka një marrëveshje me qeverinë serbe për të ndërtuar një kompleks hoteli dhe apartamentesh me vlerë gjysmë miliardë dollarë në qendër të Beogradit. Hoteli luksoz do të mbajë emrin Trump.

Artikulli i The New York Times

Në nëntor, një javë pasi z. Trump fitoi zgjedhjet, qeveria serbe hapi rrugën duke shpallur se godina një ndërtesë e bombarduar që për serbët simbolizon vuajtjet gjatë konfliktit të vitit 1999 nuk konsiderohet më pasuri kulturore e mbrojtur. Kjo i hapi rrugë projektit të familjes Trump.

Dhjetëra arkitektë dhe historianë kulture në Institutin Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve Kulturore, një institucion shtetëror, ngritën zërin, duke akuzuar qeverinë për shkelje të ligjit. Disa ditë pas vendimit të qeverisë, ata dërguan një letër ku theksonin se statusi i “pasurisë së paluajtshme kulturore” mund të hiqej vetëm nëse një ekip ekspertësh të institutit e miratonte këtë gjë. Dhe ata nuk e kishin bërë.

“Që në fillim e dinim që ishte një vendim politik,” tha Estela Radonjiç Zivkov, ish-zëvendësdrejtoreshë e institutit.

Ajo tha se ishte nën presion nga oficerë të shërbimeve sekrete që të mos kundërshtonte qeverinë për këtë rast, një tregues i qartë i interesit të madh të udhëheqësve serbë për projektin. Ajo e kundërshtoi gjithsesi.

Tani, shtatë muaj më vonë, projekti i familjes Trump është kthyer në një skandal në Serbi dhe është një shembull i qartë që tregon se sa larg një qeveri ishte e gatshme të shkonte për të ndihmuar interesat financiare të familjes së Trump-it.

Dhe kjo nxjerr në pah shqetësimet e përsëritura se aktivitetet e biznesit të familjes janë gjithnjë e më të vështira për t’u ndarë nga vendimet zyrtare të vetë Trump-it.

“Edhe thjesht dukja se politika e jashtme amerikane mund të përdoret për përfitim personal financiar të presidentit bie ndesh me mënyrën si e kemi kuptuar gjithmonë shërbimin publik,” tha Daniel I. Ëeiner, ekspert i qeverisjes në organizatën jo-fitimprurëse Brennan Center for Justice.

Nëse liderët e huaj besojnë se mund të ndikojnë te Trump duke pasuruar familjen e tij, tha Ëeiner, kjo mund të shtrembërojë edhe vendimet e tyre.

Studentë të kolegjit në Serbi që kanë udhëhequr protesta masive kundër presidentit të vendit, Aleksandar Vuçiç, e kanë përdorur këtë si shembull të korrupsionit në qeverinë e tyre. Në fund të marsit, mijëra persona dolën në protesta. 

Prokuroria për krimin e organizuar në Serbi akuzoi Goran Vasiçin, shefin e Zivkovës dhe drejtorin e institutit të trashëgimisë kulturore, për shpërdorim detyre. Prokuroria tha se Vasiçi kishte pranuar që kishte falsifikuar një dokument për të justifikuar heqjen e statusit të mbrojtur të vendit.

Askush nuk e di sa thellë do të shkojë hetimi. Por një pyetje që është ngritur publikisht është nëse Sinisha Mali, ministri i fuqishëm i financave i Serbisë, ushtroi presion ndaj zyrtarëve të trashëgimisë për të mbështetur projektin ose për të dhënë dorëheqje.

Mali ka lidhje me Shtëpinë e Bardhë përmes Ric Grenell, aleati i vjetër i Trump-it dhe i dërguari i tij special për misione të veçanta. Mali ka refuzuar të komentojë për projektin.

Plani i familjes Trump parashikon ndërtimin e një hoteli dhe kullash banimi në një pjesë të pasur të tokës, përballë selisë luksoze të qeverisë në qendër të Beogradit.

Kjo do të zëvendësonte rrënojat e asaj që njihet si godina e Shtabit të Përgjithshëm, pjesë e një kompleksi ushtarak që u dëmtua rëndë nga bombardimet e NATO-s në vitin 1999. Ajo u shpall një aset i mbrojtur kulturor gjashtë vjet më vonë.

Vujo Ilić, një shkencëtar politik në Universitetin e Beogradit, tha se Vuçiçi “ka një interes politik që ky projekt të zhvillohet për të fituar më shumë akses tek administrata e Trump-it.”  Vuçiç dëshiron të tregojë se ka kredibilitet me liderët botërorë, tha Ilić.

Çështje të tjera bilaterale janë gjithashtu në lojë, përfshirë tarifat amerikane dhe mbështetjen për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Steven Cheung, drejtori i komunikimeve në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se “çdo gjë që bën Presidenti Trump është për të mirën e popullit amerikan.”
Zyra e Vuçiçit nuk iu përgjigj një kërkese për koment, por presidenti serb vitin e kaluar tha se kishte “qeshur me të madhe” kur dëgjoi idenë se “e përdor këtë për ndikim politik ndaj Trump-it.”

Në prill, Vuçiç fluturoi drejt Floridës me qëllimin për të takuar presidentin. Ai arriti të takojë vetëm Rudy Giuliani-n, ish-avokatin e presidentit, tani i përjashtuar nga avokatia. Televizioni shtetëror i Serbisë tha se Vuçiç u sëmur papritur dhe u detyrua ta ndërpresë vizitën. Megjithatë, presidenti serb theksoi dy vizita të djalit të madh të Trump-it këtë vit.

“Një bisedë miqësore me Donald Trump Jr., djalin e Presidentit të SHBA, për marrëdhëniet dypalëshe mes Serbisë dhe SHBA,” tha Vuçiç pas një takimi më 11 mars.

 Muajin tjetër, ai postoi një foto duke parë një derr të pjekur që do t’ia servirte për darkë djalit të Trump-it. Në mes të vitit 2024, ai e quajti vizitën e Kushner-it “frymëzuese.”

“Është shumë e rëndësishme për Vuçiçin që t’i tregojë publikut vendas sa i afërt është me Trump-in. Takimi me familjen Trump është gjëja më e afërt me të pasurit një takim me vetë Trump-in', tha  Ilić./ The nEË

Pasi Trump humbi zgjedhjet në vitin 2020, Grenell i sugjeroi Kushner-it ta merrte përsipër projektin dhe shërbeu si ndërmjetësues. Grenell u takua me presidentin serb në vitin 2022 dhe 2023 dhe postoi imazhe në rrjetet sociale me Sinisha Mali-n në vitin 2021. Deri në maj të vitit 2024, qeveria serbe kishte arritur një marrëveshje me një kompani të lidhur me Kushner-in.

Ajo pranoi t’u jepte zhvilluesve një kontratë 99-vjeçare pa pagesë që mund të shndërrohej në pronësi gjithashtu pa pagesë sipas një marrëveshjeje paraprake të rishikuar nga The Neë York Times.

Në këmbim të dhënies së tokës, qeveria serbe do të marrë 22 për qind të fitimeve nga zhvillimi. Një ministër serb publikisht falënderoi Mali-n për “energjinë dhe përpjekjen që ka investuar” në projekt.

Një telefonat herët në mëngjes 

Kishte një pengesë: Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nuk po bashkëpunonte. Dubravka Djukanoviç, arkitekte dhe profesoreshë universiteti që drejtonte institutin, ishte kundër ndryshimit të statusit të mbrojtur të vendit.

Në një intervistë, ajo tha se kompleksi, i projektuar nga një arkitekt i njohur modernist serb, duhej të restaurohej dhe të shërbente për përdorim publik. 

Olivera Vuçkoviç, drejtoreshë e një instituti paralel të qytetit, u thirr gjithashtu, sipas një personi të njohur me situatën që foli në kushte anonimiteti për shkak të frikës nga pasojat në punë. Mali kishte një mesazh të drejtpërdrejtë, tha ky person: Mbështesni projektin ose jepni dorëheqjen.

Djukanoviç tha se dha dorëheqje menjëherë për shkak të takimit me Mali-n, por nuk dha më shumë detaje për shkak të hetimit. Vuçkoviç nuk mund të kontaktohej për koment. Më 14 nëntor, qeveria serbe njoftoi se kishte hequr statusin e mbrojtur të vendit.

Në institut, Zivkoviç, atëherë zëvendësdrejtoreshë, tha se stafi menjëherë nisi punën për një letër ku thuhej se qeveria kishte “shkelur rëndë Ligjin për Trashëgiminë Kulturore.”

Nëse qeveria shkelte ligjin e vet në këtë rast, thuhej në letër, “çdo pasuri kulturore që i pengon një investitori ose paraqet pengesë politike apo tjetër mund të fshihet në të njëjtën mënyrë.”

Teksa po përgatitej për punë në orën 7:30 të mëngjesit më 18 nëntor, Zivkoviç tha se mori një telefonatë nga oficerë të Agjencisë së Sigurisë Informative, agjencia e inteligjencës dhe sigurisë kombëtare të shtetit. Ata ndodheshin në institut dhe e prisnin. Në dy telefonata të tjera pasuese, tha ajo, ata “e këshilluan fuqishëm” të tërhiqej. E patrembur, ajo dërgoi letrën e nënshkruar, sipas saj, nga të gjithë 50 e ca ekspertët e institutit tek qeveria dhe Ministria e Kulturës.

Europa Nostra, një nga organizatat më të rëndësishme për trashëgiminë kulturore në Evropë, mbajti të njëjtin qëndrim, duke thënë se qindra ekspertë dhe grupe të shumta ishin dakord që fati i vendit “nuk duhet të udhëhiqet nga interesa afatshkurtra politike dhe/ose tregtare, por nga respektimi i shtetit ligjor.”

Nuk është e qartë nëse letra nga stafi i institutit ajo që çoi në nisjen e hetimit penal. Drejtori i institutit u ndalua përkohësisht për t'u marrë në pyetje dhe më pas u akuzua për shpërdorim detyre në mes të majit. Ai ende nuk është paraqitur në gjykatë.

Ian Brekke, juristi kryesor i Affinity Partners, firmës së zotit Kushner, fluturoi drejt Beogradit menjëherë pasi u publikua lajmi, sipas një personi të njohur me situatën, i cili foli në kushte anonimiteti për të përshkruar çështje konfidenciale biznesi.

Zyrtarët serbë i thanë atij se skandali ishte thjesht një gabim administrativ, tha personi, por ekipi i zotit Kushner është ende duke vlerësuar situatën. Ndërkohë, hetimi i prokurorisë ka avancuar. Zivkov tha se u mor në pyetje në fund të majit. Sipas zyrës së prokurorisë, janë edhe 34 emra të tjerë në listën për t’u marrë në pyetje./The New York Times

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Kë mbështesni në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit?