Prestigjiozja amerikane New York Times çon Komisionin Evropian në gjykatë për mospublikimin e teksteve të mesazheve midis presidentes Ursula von der Leyen dhe CEO së Pfizer, Albert Bourla.
Gazeta do të përballet me avokatët e BE-së në gjykatën më të lartë të bllokut, duke argumentuar se Komisioni përballet me një detyrim ligjor për të nxjerrë mesazhet, që mund të përmbajnë informacion mbi marrëveshjet e bllokut për të blerë miliarda euro doza të COVID-19.
Çështja u depozitua më 25 janar dhe u publikua në regjistrin publik të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë të hënën, por ende nuk ka informacion të detajuar. Politico shkruan se New York Times nuk pranoi të komentojë mbi rastin dhe as Komisioni Evropian.
Padia vjen pas një hetimi të janarit 2022 nga Avokati Europian i Popullit Emily O'Reilly, i cili identifikoi keqadministrim në përpjekjet e Komisionit për të rikuperuar mesazhet me tekst, pas një kërkese për akses publik nga një gazetar.
Në përgjigje, komisionerja e BE-së për Vlerat dhe Transparencën, Věra Jourová pohoi se mesazhet me tekst mund të ishin fshirë, për shkak të "natyrës së tyre jetëshkurtër dhe kalimtare".
E përditshmja gjermane Bild ngriti më parë një sërë padish kundër Komisionit duke kërkuar zbulimin e dokumenteve në lidhje me negociatat për blerjen e vaksinave për COVID-19 të bëra nga Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca.
Ndërsa disa nga peticionet e saj u hodhën poshtë nga gjykatat, Bild mori disa dokumente në lidhje me bisedat, duke përfshirë korrespondencën me email duke filluar në qershor 2020.