Marrëdhënia e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me një zyrtar të lartë të FBI i cili aktualisht akuzohet në vendin e tij për mosdeklarim të një borxhi, ka ngritur ‘në këmbë’ opozitën në Shqipëri e cila e konsideron si marrëdhënie ryshfeti, duke u bazuar në akt akuzën amerikane ndaj Charles McGonigal që 'fshehu' takimet me Kryeministrin shqiptar në fund të vitit 2017 dhe në fillim të vitit 2018.
Në fakt kjo rrëzohet nga një shkrim i botuar sot nga prestigjiozja amerikane ‘New York Times’, që e bën të qartë se z. McGonigal ka përdorur kredenciale zyrtare, emailin zyrtar dhe telefonin zyrtar për të komunikuar me Ramën dhe qeverinë shqiptare dhe kjo është shumë e qartë se ai nuk kishte si qëllim ta fshihte këtë marrëdhënie..
“Gatishmëria e zotit McGonigal për t'u takuar me kreun e shtetit në Shqipëri, një vend që ka një prani diplomatike amerikane, sugjeron se ai nuk po e mbante të fshehtë përfshirjen e tij atje nga kolegët. Ai gjithashtu përdori adresa e emailit zytrtare të FBI dhe telefonin zyrtar për çështjet që lidhen me Shqipërinë, tha një person me njohuri në hetim”, thuhet në shkrimin e New York Times.
Kjo vërteton edhe atë që tha Kryeministri mbrëmë në një intervistë televizive kur sqaroi se nga z. McGonigal kishte marrë edhe ftesë për të bërë një vizitë në zyrat e FBI në New York.
“Atë e kam takuar me kërkesë të tij, e kam pritur në zyrë kemi pasur bashkëbisedim miqësor në terma të përgjithshëm, më ka treguar se puna e tij ka në fokus influencën ruse, kemi folur për rajonin dhe influencën ruse dhe pastaj takimet e tjera kanë qenë takime që kanë ardhur si rezultat i pranisë së tij këtu ose pranisë time Në SHBA dhe më ka ftuar në zyrat e FBI-së në New York. Nuk shof asgjë të jashtëzakonshme përveç një marrëdhënie normale, skam pasur asnjë detyrim të lajmëroj ambasadën amerikane se është pjesë e detyrës time”, ka thënë Rama.
Rama ka treguar edhe faktin e rëndësishëm se ka qenë pikërisht zyrtari i FBI që e ka kontaktuar i pari atë duke i kërkuar takim. Dhe në takim është biseduar për çështjet të rajonit dhe interesave ruse, ndërkohë që në takim i ka prezantuar edhe Agron Nezën si një shqiptaro-amerikan që e njihte.
Sa i takon takimit në zyrat e FBI, Kryeministri ka thënë se është prezantuar edhe me kolegë të tjerë të McGonigal atje.
“Jam njohur me të në zyrën time, ai ka kërkuar që të më takojë. Ka ardhur në zyrën time dhe kemi biseduar. Më ka takuar si piktor, si kryeministër pra. Kemi folur së bashku dhe kemi pasur një bisedë interesante mbi rajonin dhe interesat ruse. Pastaj takimet e tjera, ka ardhur një më pas në SHBA, më ka ftuar në zyrat e FBI. Më ka prezantuar dhe me të tjerë atje”, tha Rama.
Ndërkohë që në shkrimin e sotme të ‘New York Times’ theksohet gjithashtu se 225 mijë dollarët që zyrtari i lartë e FBI-së kishte marrë nga Agron Neza ishte një borxh dhe nuk ka lidhje me ryshfet.
“Atë vjeshtë, zoti Neza i dha zotit McGonigal 225,000 dollarë në para në tre këste, sipas aktakuzës. Z. Neza bëri një nga pagesat brenda një makine të parkuar në New York City dhe të tjerat në shtëpinë e tij në New Jersey/ Z. McGonigal premtoi se do t'i kthente paratë, sipas aktakuzës. Prokurorët nuk e kanë akuzuar z. McGonigal për marrjen e ndonjë veprimi zyrtar në këmbim të pagesave”, thuhet qartë në shkrim.
New York Times ngre gjithashtu pikëpyetje të mëdha kur thotë se një ‘tradhti’ e mundshme e McGomnigal nëse do të vërtetohet do të ishte vërtetë shumë e çuditshme, kur përmenden 225 mijë dollarë. Madje ekspertë të pyetur nga gazeta amerikane thonë se zyrtarë të këtij niveli kur dalin në pension, përveç kanë pensione shumë të mëdha marrin edhe shumë të tjera të majme nëse punojnë si këshilltarë.
“Fakti që krimet e dyshuara ndodhën pak përpara daljes në pension të tij, sugjeron se zoti McGonigal mund të ketë filluar ose rritur aktivitetet e paligjshme pas kryerjes së testeve të fundit të poligrafit, të cilat supozohet se do të administrohen çdo pesë vjet. Zoti Triplett tha se tradhtia e agjencisë nga dikush me pozitën e zotit McGonigal për 225,000 dollarë, nëse vërtetohet, do të ishte befasuese duke pasur parasysh se ish-zyrtarët mund të fitojnë shuma të konsiderueshme si konsulentë pas daljes në pension, përveç pensioneve të majme”, thuhet në shkrimin e New York Times.
Kujtojmë se pak ditë më parë, në një shkrim tjetër, New York Times shkroi se nuk ka asnjë tregues që të provojë edhe akuzën tjetër ndaj McGonigal se punonte për oligarkun rus, Oleg Deripaska gjatë kohës që ishte në detyrë. Pra kjo akuzë e ngritur ndaj Mc Gonigal mund të bie pasi nuk provohet asnjë lidhje e tij me oligarkun rus gjatë kohës që ishte shefi i sektorit të kundërzbulimit në FBI.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës në kohën e komunizmit, dhe mosdeklarim të shumës së dollarëve, për të cilat ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.
O si su lodh ky berisha me kto budalliqe
PërgjigjuTamam e ka thënë NYT…bile edhe Shukriu nuk i kishte të grisura brekët. Kush tha që i kishte të grisura?
PërgjigjuNuk arrij dot ta kuptoj se si i shkojne pas ketij Saliut,ky vec mashtrime ka
Përgjigju