Nexhmije Pagarusha 'mbledh' artistët kosovarë në Tiranë...gjesti domethënës për divën e muzikës shqiptare

15 Shkurt 2020, 15:34| Përditesimi: 15 Shkurt 2020, 15:42

  • Share

TIRANË- Kopshti më i ri me pemë në Parkun e Liqenit Artificial do të mbajë emrin e artistes së madhe kosovare, Nexhmije Pagarusha, e cila u nda nga jeta pak ditë më parë. Në nderim të veprës së saj, Bashkia e Tiranës i ka kushtuar një kopësht që do të mbajë emrin e artistes së madhe, duke mbjellë 100 pemë, edhe me ndihmën e një grupi artistësh nga Kosova. Të gjithë së bashku çuan në vend një nga amanetet e Nexhmije Pagarushës, e cila para se të ndahej nga jeta, sipas zyrës së shtypit, kishte shprehur dëshirën të bëhej pjesë e nismës “Dhuro Pemë për Tiranën”.

Artistë të dashur për publikun, nga Kosova, si Sabri Fejzullahu, Shyrete Beluli, Shpresa Gashi, Enkeleda Arifi, Violeta Kukaj, Learta Jakupi, Majlinda Kelmendi, Valbona Petrovci, Shemsie Dermaku, Aferdita Hoxha, iu bashkuan kryebashkiakut Erion Veliaj, në mbjelljen e pemëve në “Kopshtin Nexhmije Pagarusha”.

“Skena të sjell kënaqësi, por profesioni më i rëndësishëm që ka njeriu në jetë është profesioni i qytetarit. Unë besoj se një artist i vërtetë nuk është vetëm në skenën e këngës dhe muzikës, por në çdo skenë. Sot jam vërtet i bekuar që jam rrethuar nga artistë të vërtetë, nga vëllezërit dhe motrat nga Kosova, që e kanë lidhur një pjesë të jetës së tyre me kryeqytetin tonë, Tiranën, që sapo ka mbushur 100-vjeç”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku u shpreh se kjo është mënyra më e mirë për ta nisur shekullin e dytë të kryeqytetit tonë, duke lënë pas urrejtjen dhe ndasitë.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për ta nisur shekullin e dytë të kryeqytetit tonë, jo duke mbjellë sherr, inat, ndasi, por duke mbjellë pemë, hijeshi dhe bukuri. Dua t’i falënderoj shumë për këtë dhuratë që i kanë bërë Tiranës dhe shpresoj shumë që, si fëmijët e vegjël që sapo takuam, të kuptojmë se ky është misioni i gjeneratës sonë: Ta lëmë Shqipërinë, Kosovën, Tiranën, Prishtinën, më mirë se ç’e gjetëm”, theksoi ai.

 “E falenderoj kryetarin për kujdesin që ka bërë për divën tonë, Nexhmije Pagarushën, për legjendën tonë gjithëshqiptare”, tha artisja e madhe, Shpresa Gashi.

Artisti i njohur Sabri Fejzullahu tha se e do shumë Tiranë, pasi është një pjesë e jetës së tij, nga e cila nuk shkëputet dot.

“Si çdo kosovar, e dua Shqipërinë nga kur kam lindur, tani si 75-vjeçar. Dëshira ime dhe e familjarëve të mi për të ardhur çdo dy javë në Tiranë nuk shuhet sepse nëse nuk vij më mungon diçka, një pjesë e jetës time. Kur vij këtu plotësohem. Jo për t’ju thënë fjalë të bukura, por ju përgëzoj për vullnetin, vizionin. Unë po shoh, po prek gjëra të bukura, gjëra fenomenale europiane, që janë të një niveli shumë të lartë, që nëse krahasojmë ekonominë këtu dhe atje, këtu ekonomia është shumë e vogël, por bravo që po na jepni dashuri neve. Ju jeni ozoni i popullit shqiptar, ju jeni frymëmarrja, jeni mushkëria jonë, e fëmijëve tanë. Sinqerisht po. E dua gjelbërimin”, tha ai.

Nga ana tjetër, edhe këngëtarja e njohur,  Shyhrete Beluli tha se ndihet e vlerësuar për kontributin që po jep për Shqipërinë, vendin e ëndrrave të tyre të fëmijërisë.

“Unë jam shumë e nderuar që jam në mesin e kolegëve të mi, në mesin e gjithë shqiptarëve, se me Shqipërinë u rritëm me ëndrrën me e pa, por s’kishim se si. Tani na erdhi dita që të vijmë edhe të japim kontributin tonë, dashurinë tonë, të mbjellim diçka që jeton përgjithmonë. Përshëndes kryetarin vizionar, që duhet të jetë shembull për gjithë të tjerët”, tha Veliaj.

Pak kohë më parë, bilbili i Kosovës dhe mbretëresha e këngës shqipe, Nexhmije Pagarusha, u prit në Bashkinë e Tiranës në një ceremoni të veçantë, ku kryebashkiaku Erion Veliaj i dha “Çelësin e Qytetit”, në shenjë mirënjohje për gjithçka ajo ka bërë për muzikën dhe artin shqiptar, si simbol i pakontestueshëm i artit, kulturës edhe i asaj çka përfaqëson Shqipëria dhe shqiptarët.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?