Ekonomi

Nga 1 janari 2026 paga minimale pritet të rritet në 50 mijë lekë, përfitojnë mbi 185 mijë punonjës

11 Prill, 15:26| Përditesimi: 11 Prill, 16:49

  • Share

Në qershor, qeveria ka paralajmëruar të miratojë vendimin për rritjen e pagës minimale, nga 40 mijë lekë që është prej vitit 2023 në 50 mijë lekë, që do të ishte rritja e tetë brenda 12 viteve.  Nga ky vendim, i cili parashikon të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit të ardhshëm, sipas përllogaritjeve të bëra nga Report tv bazuar në shifrat e Institutit të Statistikave do të ketë minimalisht 185 mijë përfitues, Kaq është numri i punonjësve që aktualisht paguhen deri në 40 mijë lekë.

Në Shqipëri janë 298 mijë punonjës që kanë rroga nga 40-50 mijë lekë, që gjithashtu do të preken nga rritja e pagës minimale, pasi të gjithë ata që sot marrin qoftë edhe 1 lekë më pak se 50 mijë lekë, prej 1 janarit të vitit që vjen do të marrin 50 mijë.

Nga 22 mijë lekë që ishte në vitin 2014, paga minimale është rritur 7 herë kryesisht në vlera midis 2 mijë deri në 6 mijë lekë, për të arritur në 40 mijë lekë në mesin e 2023-shit.

Kjo rritje e rrogës do të shoqërohet automatikisht me shtim të kontributeve për këtë kategori punonjësish, dhe që nga ana tjetër konsiderohet kosto për bizneset sidomos të industrisë përpunuese ku bën pjesë edhe manifaktura.

Me këtë rritje Shqipëria do të renditet e treta në rajon sa i takon pagës minimale duke lënë pas Kosovën që e ka 350 euro apo Maqedoninë e Veriut 360 euro.  Ndërsa në Serbi ajo ka arritur 610 euro e Mali i Zi me pagë minimale 670 euro.

Nëse krahasimi bëhet me vendet e BE-së diferenca është më e madhe, pasi sipas raportit të fundit të EUROSTAT, rroga minimale në vendet e BE-së nis nga 551 euro në Bullgari dhe përfundon në 2,638 euro në Luksemburg.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave numri i të punësuarve në vend është 1.3 milionë persona, nga të cilët rreth 50% nuk e arrijnë pagën mesatare që në fund të vitit 2024 ishte 83.401 lekë, por paguhen deri në 60 mijë lekë.

Më pas është 24.6% e punonjësve me rroga midis intervalit mbi 60 mijë deri në 95 mijë lekë. Vijon më pas 12.8% e të punësuarve me rroga mbi 95 mijë deri në 120 mijë lekë, dhe kategoria tjetër që ka rrogat mbi 120 mijë lekë i takon vetëm 14.1% të të punësuarve në vend.

G.M./K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do e ndihmojë PD-në në fushatë strategu i Trump, LaCivita?