Duke nisur nga 1 maji, Qendra Kombëtare Biznesit, do të ofrojë 179 shërbime online, kjo falë procesit të digjitalizimit. Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Pranvera Fagu e ftuar në Report Tv ne emisionin ‘Studio Live’, tha se do të mbyllen 35 sportele, por nuk do të ketë asnjë largim nga puna. Për gazetarin Arbër Hitaj, Fagu tha se shërbimi online do ti reduktojë biznesit kostot financiare dhe kohën. Sipas Fagut do të ofrohet edhe asistencë nëpërmjet telefonit në rastet kur qytetarët hasin vështirësi.
‘Ne revolucioni digjital se kemi filluar sot por kohë më parë, qëllimi ishte për të stimuluar biznesin për shërbimet online. 179 shërbime online do ti ofrojmë duke filluar që nga 1 maji. Kjo është një kërkesë e kohës, i redukton biznesit kohën dhe kosto financiare. Shërbimi online ka koston financiare zero, është lehtësi është shpejtësi dhe në fund fare kthehet në produkt. Do të shmangë kontaktin fizik.
35 sportele fizike të gjitha do të mbyllen. Ne do të afrohemi me biznesin. Ne do të jemi vetëm një klik larg. Është bërë e ditur se asnjë largim nga puna nuk do të ketë. Ne nuk do të jemi në sportel por pas tij në shërbim të biznesit dhe do të ofrojmë të gjithë shërbimin tonë që të plotësohen kushtet.
Afrohet asistencë nëpërmjet Chat dhe telefon, do ketë një manual. Por ka zyra ka njerëz të afërm që mund ta përdorin internetin. Shumë pyetje që na kanë ardhur, na thonë po sikur mos të funksionojë. AKSHI-i është i gjithi në punë. Asgjë nuk do të vonohet më shumë se 24 orë, nëse ndodh kalohet nga sistemi.’- tha Fagu.
Për mbi 95% të shërbimeve publike të ofruara nga shteti, shqiptarët nuk do të kenë më nevojë të dalin nga shtëpia. Nga 1 maji, këto shërbime do të ofrohen online, ndërsa do të marrë fund 'epoka' e sporteleve. Në këtë mënyrë qytetarët do të kursejnë kohë, do të shmangin radhën, e po ashtu i jep fund edhe korrupsionit në këmbim të një shërbimi të caktuar.