Nga data 1 maj, rikthehet marrëveshja mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, e cila parashikon lehtësimin e procedurave kufitare për veturat me targa të të dy shteteve.
Në bazë të kësaj marrëveshjeje, për automjetet kosovare dhe shqiptare nuk do të kryhen kontrolle kufitare, duke mundësuar lëvizje të shpejtë dhe të pakufizuar.
Marrëveshja e lëvizjes së lirë të nënshkruar mes Kosovës dhe Shqipërisë në pranverën e vitit të kaluar shmangu trafikun dhe lehtësoi lëvizjen kufitare gjatë sezonit veror.
Edhe këtë sezon lehtësimi i procedurave do të zbatohet gjatë nëntë muajve të vitit, konkretisht nga 1 maji deri më 30 shtator, dhe nga 1 nëntori deri më 28 shkurt të vitit pasaardhës.
Ndërkohë, udhëtarët që kalojnë kufirin përmes pikave të përbashkëta, Shqipëri-Kosovë deri më 1 maj duhet të paraqesin dokumentet e identifikimit, për shkak të nevojës për përpunimin dhe regjistrimin e saktë të të dhënave të automjeteve.
Në ditët e fundit është vërejtur rritje e ndjeshme e qarkullimit në të dyja anët e kufirit. Sipas të dhënave nga Dogana e Morinës, gjatë tre ditëve të të fundit në territorin e Shqipërisë kanë hyrë rreth 10 mijë shtetas më së shumti të Kosovës dhe 6 mijë mjete, ndërsa në dalje janë regjistruar 4 mijë shtetas të Shqipërisë dhe rreth 2 mijë mjete.
Për të përballuar fluksin e shtuar të udhëtarëve, autoritetet kufitare në të dyja vendet kanë angazhuar të gjitha sportelet në dispozicion, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata dhe për të garantuar një kalim sa më të shpejtë dhe efikas në doganë.
Komente
