TIRANË- Nga 1 maji të gjitha sportelet do të jenë online, një risi tashmë për qytetarët. Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj shpjegon lehtësitë që sjell kalimi nga sportelet fizikë në ato online për qytetarët.
“Të gjitha aplikimet që deri tani nuk dihej fare kur e merrje përgjigjen, do të jenë me nënshkrim elektronik ose vulë elektronike, por dhe do të monitorohen në kohë reale”.
Përmes një video të publikuar në faqen e Kryeministrisë Karçanaj iu është përgjigjur katër pyetjeve më të shpeshta që mund të bëhen nga qytetarët për këtë risi.
4 pyetjet që marrin përgjigje nga Drejtoresha e AKSHI-t
-Sa dhe si do t’i shërbejë qytetarëve shqiptarë kalimi nga sportelet fizike në ato online?
Karçanaj: Gjej rastin të përmend raportin që kemi së fundmi nga BERZH që i jep Shqipërisë vendin e parë në rajon për shërbimet publike dhe renditemi të 17 në botë, lëmë pas fqinjët tanë si Italia dhe Greqia që prej kohësh kanë hyrë në Bashkimin Europian. Kemi një ndryshim të madh që i ka ndodhur jetës së qytetarëve dhe bizneseve falë e-Albania. Së fundmi, ndryshimet teknike na kanë mundësuar një transformim të ri, për herë të parë shërbimet dhe përgjigjet për të gjitha aplikimet që deri tani nuk dihej fare kur e merrje përgjigjen, do të jenë me nënshkrim elektronik ose vulë elektronike, por dhe do të monitorohen në kohë reale. Më në fund përgjigja ndaj qytetarit nuk do të ngelet më në dorë të harresës njerëzore apo të neglizhencës së punonjësit, por do të kemi një sistem që i mbulon të gjitha këto fenomene.
-Cilat janë disa nga institucionet që kalojnë me sportele online?
Karçanaj: Preken të gjitha institucionet. Kemi grupin e parë të institucioneve që u reduktohen ndjeshëm sportelet. Përmend këtu Drejtorinë e Përgjithshme të gjendjes civile, nga 390 sportele fizike, kalon në 150 sportele. Në këto sportele do të merren vetëm ato shërbime që kanë nevojë për prezencën e personit. Preket Qendra Kombëtare e Biznesit, ku shërbimet do të ofrohen vetëm online dhe sportelistët që më parë punonin në sportelet fizike, do të punojnë për t’i kthyer përgjigje me vulë elektronike qytetarit. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, por dhe të gjitha institucionet e tjera sepse edhe në rastin kur këto institucione nuk kanë pasur sportele fizike që reduktohen apo ishin te pjesa që aplikimi realizohej dhe përgjigja vinte me postë, tashmë do të kemi një përgjigje që vjen vetëm në mënyrë elektronike dhe me vulë digjitale. Kjo është risia më e rëndësishme e këtij transformimi
-Si do të operohet me qytetarë që nuk janë të familjarizuar me teknologjinë, të moshuarit përshembull?
Karçanaj: Nga eksperienca e deritanishme dhe nga shifrat, ne flasim me shifra, pensionistët e kanë përdorur platformën e-Albania shumë mirë. Në pandemi ishin përdoruesit kryesorë dhe rezervonin javët e tyre për dalje. Aplikimet për pensione arritën në 1.6 milionë përdorime të këtyre shërbimeve që bëhen nga moshat e treta, fermerët e moshuar gjithashtu që aplikojnë në e-Albania.
-Çfarë avantazhesh do të sjellë sistemi i qendërzuar, i shërbimeve pa letra, që është ambicia e qeverisë shqiptare?
Karçanaj: Tashmë kemi kaluar pa letër në sistemin e akteve ku merret mendimi dhe kryhet gjithë procesi i inicimit dhe aprovimit të akteve të Kryeministrit. Çdo akt atje është pa letër, me nënshkrim elektronik. Sistemi i menaxhimit të dokumenteve është implementuar me shumë sukses në Kryeministri dhe në të gjitha ministritë e linjës. Është momenti që në dy vitet e ardhshme të përmbyllim punën e gjithë administratës, të automatizohet, të kalojë pa letër, nuk do të kemi asnjë letër, as kohë të humbur më në postë, nuk do të kemi më pesë ditë deri në dy javë vonesa, apo printera që amortizohen.