Nga 17 janari në treg prerjet e reja 500 lekë e 2 mijë lekë, BSH: Më të sigurta dhe të vogla në përmasa! 3 metoda si të dalloni kartëmonedhat e falsifikuara

14 Janar 2022, 16:54| Përditesimi: 14 Janar 2022, 17:31

  • Share

Prej datës 17 janar në qarkullim do të jenë 2 kartëmonedhat e reja, të serisë së emetuar nga Banka e Shqipërisë, prerja 500 lekë dhe prerja 2 mijë lekë. Të dyja këto prerje do të jenë në duart e qytetarëve për të kryer shërbime me to paralelisht me kartëmonedhat që janë aktualisht në qarkullim.

Seria e re ka 6 prerje pasi për herë të parë përfshin edhe kartëmonedhën 10 mijë lekë dhe dallohet për elementet e shtuara të sigurisë.

“Ruajnë të njëjtat personazhe kryesore, ngjyra dominonte, përpos elementeve e sigurisë vijnë më të rifreskuara. Kartëmonedhat janë në prerje me të vogël. Në rastin e kartëmonedhës 500 lekë filli i sigurisë, ndryshon ngjyrë sipas këndit të shikimit. Në rastin e kartëmonedhës 2 mijë lekë është shiriti hologram, ku është logo e Bankës së Shqipërisë, portreti e mbretit Gent, vlerën nominale dhe lulet Gentiana, të cilat me lëvizjen e kartëmonedhave kundrejt dritës formojnë ngjyra të ndryshme”, thotë Julind Gjipali nga Banka e Shqipërisë.

Julind Gjipali nga departamenti i emisionit në Bankën e Shqipërisë thotë për Report TV se seria e re është tepër e vështirë të falsifikohet.

“Një objektiv i kësaj serie të re është edhe elementët e sigurisë për të pasur gjithnjë një kartëmonedhë të besueshme për publikun, si dhe për të qenë një hap përpara falsifikatorëve. Elementët e sigurisë janë më të avancuarit të momentit. Cilësia e falsifikimit ka qenë shumë e dobët”, tha Gjipali.

Kartëmonedhat e falsifikuara janë lehtësisht të dallueshme nga qytetarët, mjafton të përdorin 3 elementë: Prek,lëviz dhe shiko.

“Me anë të prekjes mund të dallojmë konsistencën e kartëmonedhës, mund të dallojmë shtypin e ngritur. Vijat në skajet anësore të  kartëmonedhës i shërbejnë edhe qytetarëve me aftësi të kufizuar shikimi për të identifikuar kartëmonedhën që kanë në dorë”, pohon Gjipali.

Seria e vjetër e kartëmonedhave ishte emetuar që në 1996, me përjashtim të 2 mijë lekëshit që është hedhur në qarkullim në 2008. Ndërsa seria e re me 6 prerje 200, 500, 1000, 2000, 5000 dhe 10 mijë lekë ka nisur të hidhet në treg që prej shtatorit 2019.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?