Politikë

Nga 2 amnistitë, lista e zezë me përdhunuesit tek përgjysmimi i pagave për deputetët, 30 nismat ligjore që do shqyrtohen nga Kuvendi i ri në shtator

8 Korrik 2021, 17:28| Përditesimi: 8 Korrik 2021, 20:46

  • Share

Kuvendi i Shqipërisë, i cili doli nga zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit 2017, mbajti dje seancën e fundit për këtë legjislaturë të pazakontë, për shkak të një vendimi politik të opozitës, e cila dorëzoi mandatet e përfaqësimit në Kuvend në pas të vitit 2019, në kuadër të strategjisë së saj politike me synim për të rrëzuar mazhorancën nga pushteti dhe për të ardhur vetë në pushtet përmes zgjedhjeve të parakohshme. Strategjia rezultoi gjithsesi e dështuar, ndërsa vende vakante në Kuvend u plotësuan pjesërisht nga vetë kandidatët për deputetë të PD-LSI-ja. Ndërkaq, Parlamenti aktual nuk ka shqyrtuar dhe rrjedhimisht nuk ka miratuar dhe as rrëzuar rreth 30 projektligje të depozituara në Kuvend që nga viti 2017 deri në muaj korrik 2021.

Nismat ligjore, disa prej të cilave shumë të rëndësishme, me impakt publik dhe që mund të prodhojnë debate politike, tashmë janë një nga sfidat e para të Kuvendit të ri që doli nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 dhe që do të konstituohet në shtator 2021. Nga projektligjet e mbartura nga Kuvendi aktual, 19 nisma ligjore janë propozuar nga deputetët, ndërsa projektligjet e tjera janë propozuar nga qeveria. Mes 30 nismave ligjore të mbartura,

Pjesë e axhendës së Kuvendit të ri do jetë edhe projektligji i propozuar nga deputetja Fatjona Dhimitri për krijimin e një regjistri kombëtar me personat e dënuar për krime seksuale, pra për hartimin e një liste të zezë me përdhunuesit dhe sidomos me abuzuesit me të mitur.

Një tjetër projektligj i pashqyrtuar është ai për ndryshimin e ligjit për statusin e deputetit, i cili parashikon përgjysmimin e përfitimeve financiare dhe privilegjeve të deputetëve. Mes nismave të mbartura është edhe një projektligj i propozuar nga deputeti Myslim Murrizi për faljen e të gjitha gjobave të vendosura gjatë pandemisë covid-19. Ndërkaq, qeveria ka propozuar që në shtator 2020, ligjin për amnistinë fiskale dhe penale. Nisma parashikon deklarimin e parave dhe pasurive të padeklaruara më parë, duke paguar një tarifë nga 5 deri në 10 % të vlerës së parave apo pasurive të paluajtshme. Nisma është kritikuar për rrezikun e legalizimit të parave të pista dhe pasurive të paligjshme. Nisma ligjore u pezullua, por nuk u tërhoq nga Kuvendi, ndërsa kryeministri Rama ka pohuar se po merret ekspertizë ndërkombëtare për ta ndryshuar projektligjin.

Kuvendi i ri do të vendosë edhe për fatin e projektligjit për referendumet në Shqipëri, propozuar nga deputetja Rudina Hajdari që në korrik të vitit 2020. Ligji hap rrugën dhe thjeshtëson proceduar për mbajtje e referendumeve vendore dhe kombëtare në Shqipëri. Gjatë 30 viteve të fundit, në Shqipëri është zhvilluar vetëm një referendum, ai për miratimin e Kushtetutës aktuale në vitin 1998.

Nuk është marrë në shqyrtim as projektligji për gjuetinë i propozuar nga deputetët Besnik Baraj, Eduard Shalsi dhe Erion Braçe që në shtator të vitit 2017. Ligji do të jetë pjesë e Kuvendit të ri që do konstituohet në shtator. Do të shqyrtohet nga Kuvendi i ri edhe projektligji i propozuar nga qeveria për shkrirjen e Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme dhe krijimin në vend të saj të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore. Një tjetër projektligj i rëndësishëm i propozuar nga qeveria është nisma për menaxhimin e mbetjeve.

Do shqyrtohen nga parlamenti i ri edhe disa nisma të tjera për trajtimin financiar të punonjësve të SHISH, punonjësve të policisë si dhe për moshën e daljes në pension të minatorëve dhe naftëtarëve, me kosto financiare në buxhetin e shtetit. Dy nisma të tjera të mbartura parashikojnë ndryshimin e Kodit Penal dhe Kodit të Familjes. Sa i takon ndryshimeve në Kodin Penal, është propozuar një dënim deri në 7 vite burg për përdorimin e paligjshëm të pasurive të konfiskuara. Ndërsa ndryshimet në Kodin e Familjes ndryshojnë kushtet, rregullat dhe kriteret e birësimit.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?