TIRANË- Pas 8 muajsh, do të hiqen çadrat e vaksinimit masiv në Sheshin Skënderbej! Nga 25 nëntori, dy çadrat e mëdha nuk do të jenë më të pozicionuara në sheshin kryesor të qytetit dhe procesi i vaksinimit do të vijojë në qendrat shëndetësore si dhe në stadiumin ‘Air Albania’. Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.
"Vaksinimi në sheshin "Skënderbej" zhvendoset pranë qendrave shëndetësore. Shërbimi i vaksinimit pranë pikës së përqëndruar në sheshin "Skënderbej" në Tiranë do të transferohet pranë qendrave shëndetësore si dhe pikës së vaksinimit të përqëndruar në stadiumin "Air Albania”.
Duke filluar nga dita e enjte, datë 25 Nëntor, ekipi i vaksinatorëve dhe mjekëve do të jetë në shërbim pranë qendrave shëndetësore si dhe në Stadiumin “Air Albania”, aty ku do të vijojë ÇDO DITË vaksinimi antiCOVID.
Për të kryer vaksinën anti-COVID, kontaktoni mjekun tuaj të familjes. Vaksinimi anticovid është i hapur për fëmijët 12-15 vjeç me frenim të imunitetit si dhe për çdo qytetar mbi 16 vjeç. Aktualisht po kryhet edhe doza e tretë e vaksinës antiCOVID, sipas rekomandimit të mjekut të familjes", thuhet në njoftim.
Në total vendi ynë ka arritur që të sigurojë mbi 2.6 milionë vaksina, ku gjatë javës së fundit mbërritën edhe 74,880 doza të tjera të vaksinës Pfizer, si pjesë e kontratës së dytë të qeverisë shqiptare me kompaninë. Deri në 11 nëntor janë më shumë se 18000 qytetarë që kanë marrë dozën e tretë të vaksinës, teksa prej 1 nëntorit ka nisur edhe vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç me sëmundje infektive dhe i atyre mbi 16-vjeç, por nuk ka ende një shifër se sa fëmijë janë vaksinuar. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,963,359 doza të vaksinës ndaj COVID-19, ku mbi 1 milion qytetarë e kanë kryer të paktën një dozë të vaksinës anti-COVID.
4 qytetarë kanë humbur betejën me COVID në 24 orët e fundit në vend e ndërsa sot janë regjistruar 556 raste të reja. Shifrat i bën të ditura Ministria e Shëndetësisë dhe kanë ardhur si rezultat i 3960 testimeve. Viktimat janë një qytetar nga Përmeti 60 vjeç, një nga Fier 65 vjeç, dy qytetarë nga Tirana 78 dhe 81 vjeç. Aktualisht në spitalet COVID po marrin trajtim 150 pacientë, nga të cilët 18 janë në gjendje më të rënduar, e ndërsa bëhet e ditur se janë 7,847 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Statistika (23 Nëntor 2021)
Raste të reja ditore 556
Të shëruar në 24 orë 698
Të shtruar në spitale 150
Humbje jete në 24 orë 4
Testime ditore 3,960
Testime totale 1,376,320
Raste pozitive 197,167
Raste të shëruara 186,267
Raste Aktive 7,847
Humbje jete 3,053
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive sipas qarqeve:
Tiranë 4,234
Fier 636
Gjirokastër 545
Shkodër 464
Berat 458
Durrës 388
Elbasan 361
Vlorë 254
Korçë 211
Lezhë 170
Dibër 65
Kukës 61
Ish-deputeti i PS-së, Namik Dokle ka humbur vëllain si pasojë e covid19. Politikani socialist e ka bërë publik lajmin përmes një mesazhi prekës në rrjetin social Facebook.
“Lamtumirë, o vëlla! Mua më dhe kurajo, por vetë nuk e përballove dot COVID e mallkuar. I përjetshëm kujtimi!”, shkruan Namik Dokle.
Kujtojmë se vetë ish-deputeti, pak kohë më parë u përball me virusin vdekjeprurës bashkë me bashkëshorten e tij, por fatmirësisht e fitoi betejën.