Ekonomi

Nga 7 tetori transfertat me SEPA me kosto 10 herë më të lira, komisionet e pagesave elektronike zbresin në 25 €! Tarifat për remitancat, jo më shumë se 3 euro

6 Tetor, 15:35| Përditesimi: 6 Tetor, 18:30

  • Share

Nga 7 Tetori kur nis zbatimi i SEPA-s, ose zona e vetme e pagesave në euro, komisionet për transfertat elektronike nuk do të jenë më të larta se 25 euro, duke u ulur me gati 10 herë. Përfitime të dukshme do të kenë edhe emigrantët, pasi për paratë që do të dërgojnë në Shqipëri, nuk do paguajnë më shumë se 3 euro.

***

Nga Shqipëria drejt gjithë Evropës, e deri në Guajanën franceze në Amerikë Latine, territoret në varësi të Kurorës Britanike, ishujt Azore të Portugalisë e deri në ishujt Kanarie të Spanjës, janë 40 shtete drejt të cilave transfertat bankare do të kenë një kosto disa herë më të ulët, menjëherë pas implementimit të SEPA-s.

Hapi i parë që duhet të plotësojnë bizneset dhe qytetarët që të përfitojnë nga komisionet e ulta dhe shpejtësia e transfertës, është hapja e një llogarie bankare edhe në euro. Banka e Shqipërisë këshillon se një masë e tillë do të shmangte luhatjet e kursit të këmbimit, për dërgesat jashtë vendit.

Komisionet për transfertat në lekë

Kur transfertat elektronike, bëhen nga llogaria në lekë, për ato me vlerë deri në 40 mijë lekë, komisioni do të jetë 0 lekë.

Deri më tani pa komision ishte deri në vlerën 20 mijë lekë. Për pagesat mbi 40 mijë lekë deri në 10 milionë lekë komisioni do të jetë sa 0.005% e vlerës por jo më shumë se 500 lekë.

Kurse kur pagesa është mbi 10 milionë lekë komisioni maksimal është 750 lekë. Por kur transfertat bëhen nga sportelet e bankës, komisionet do të jenë dyfish më të larta. Banka e Shqipërisë synon në këtë mënyrë të nxisë transfertat në rrugë elektronike.

Komisionet për transfertat në euro

Transfertat në euro deri në 100 mijë euro do të kenë komision sa 0.01% të vlerës, ose 10 euro, kurse mbi 100 mijë euro komisioni do të jetë 25 euro.

Nëse këto transferta do të nisen në degë dhe jo elektronikisht, komisioni do të arrijë deri në 50 euro. Para implementimit të SEPA, komisionet digjitale për këto vlera arrinin deri në 300 euro përveç se kanë zgjatur disa ditë për t'u ekzekutuar.

Transfertat hyrëse në Shqipëri

Çdo pagesë që vjen në llogarinë e një qytetari apo biznesi në vend nuk do të ketë komision më të lartë se 3 euro, pavarësisht vlerës që ka. Pra të gjitha remitancat që do të vijnë në Shqipëri nga emigrantët kostoja nuk do të jetë më shumë se 3 euro. Këto ndryshime pritet t’i kursejnë qytetarëve dhe bizneseve shqiptare rreth 40 milionë euro në vit.

V.GJ /r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e gjyqtarit në sallë, sa të mbrojtur janë njerëzit e drejtësisë?