Nga Alla te Fran Tuci, 5 kryebashkiakë të arrestuar në 4 muaj! Pranga për korrupsion e shpërdorim detyre, më i bujshmi videoskandali i Gjicit

16 Korrik 2023, 18:17| Përditesimi: 16 Korrik 2023, 23:18

  • Share

Heqja e imunitetit si deputet të Arben Ahmetajt nga Kuvendi me kërkesë të SPAK, për t’i hapur rrugë arrestimit dhe kontrollit në banesë pas ngritjes së tre akuzave që kanë lidhje me inceneratorët është goditja më e fortë e drejtësisë së re në rang të Lartë shtetëror. Kur Gjykata e Posaçme akoma nuk ka firmosur kërkesën për arrestim të Ahmetajt, edhe pse ky i fundit nuk është më brenda kufirit shtetëror të vendit, bilanci i muajve të fundit flet për numër të konsiderueshëm arrestimesh për korrupsion dhe shpërdorim detyre të kryebashkiakëve dhe ish-kryebashkiakëve socialistë dhe jo vetëm, të cilët tashmë duket se kanë krijuar një “shoqatë” të pushtetit lokal në paraburgimin e Durrësit, aty ku janë akomoduar për t’i bërë shoqëri njëri-tjetrit, në pritje të gjykimit. Në 4 muaj Gjykata e Posaçme firmosi 5 kërkesa arrestimesh të SPAK.

12 korrik 2023

I fundit që ra në gracën e SPAK ishte ish-kryetari i bashkisë së Fushë-Arrëzit, Fran Tuci, në akuzë për shpërdorim detyre për shkak të dyshimeve për abuzim në një tender rruge. Hetimi për Tucin nisi pas parregullsisë për hapjen e procedurave të një segmenti të ri rrugor me gjatësi 1.8 km dhe gjerësi rreth 5 m, i cili cenoi një sipërfaqe të konsiderueshme të fondit pyjor duke e dëmtuar ndjeshëm. Dëmi i përllogaritur kap vlerën e konsiderueshme të rreth 234 milionë lekëve.

24 qershor 2023

Një ndër arrestimet më të bujshme të javëve të fundit mbetet ai i ish-kryetarit të bashkisë së Kukësit, Safet Gjici. Një video skandal i publikuar teksa ai kryen marrëdhënie intime me një grua brenda zyrës e detyroi Gjicin të japë dorëheqje dhe brenda pak orësh edhe shkarkim me vendim qeverie. Arrestimi i Gjicit u bë disa ditë më vonë për korrupsion pasiv, pasi në videon ai shfaqet duke i ofruar mbështetje financiare gruas në fjalë mbi një projekt për strehimin dhe kujdesin ndaj qenve endacakë në qytet.

6 qershor 2023

Vangjush Dako, ish kryebashkiaku i Durrësit u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës në 2 raste. Rasti i parë ka të bëjë me dhënien e një leje ndërtimi në 2011 për një pallat, në lagjen nr 5, në qendër të Durrësit që u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës. Pasi verifikime dyshohet se pallati kishte 4 kate pa leje dhe legalizimi i godinës është kryer në shkelje të ligjit. Rasti i dytë ka të bëje me një kallëzim për tenderin e shëtitores që sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit dëmi llogaritej në 18 milionë lekë.

12 maj 2023

2 ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit u arrestua kandidati i Berishës dhe Metës për Himarën, Fredi Beleri nën akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhjet apo blerjes së votave. Një person bashkëpunoi me policinë dhe prokurorinë e Vlorës për dokumentuar faktin e akuzës, ai u pajis me logjistikën e nevojshme, që nga regjistruesi. I infiltruari arriti të merrte shumën prej 40 mijë lekëve të reja në kërkim të 8 votave në favor të Belerit. Beleri u shpall fitues nga qelia në zgjedhje, por betimi i tij nuk u krye asnjëherë për të marrë detyrën.

15 mars 2023

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, ra në pranga për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre mbi dyshimet e abuzimit në një tender me vlerë 3 milionë euro. Llalla dyshohet se favorizoi dy kompani gjatë procedurës së prokurimit publik me qëllim që më pas punimet për ujësjellësin t’i kryejë kompania ‘OE 2AF Albania shpk’, e cila është në administrimin e të afërmit të Allës, Aqif Konesha. Kompanitë që dolën fituese të tenderit kishin ‘BOE Egland shpk’ dhe ‘BE-IS shpk’.

G.MO//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?