Në fund të muajit të kaluar udhëtova nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Kosovë. Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. znj. Vjosa Osmani – Sadriu, më ftoi për një pritje që kishte organizuar me përfaqësues të suksesshëm të diasporës shqiptare nëpër botë.
Ishte kënaqësi për mua, u ndjeva vërtetë e vlerësuar, nga Ftesa Zyrtare e Presidentes së Republikës së Kosovës znj. Vjosa Osmani Sadriu. Sigurisht në atë event të rëndësishëm të pranishëm ishin edhe ambasadorët e vendeve përkatëse, mes tyre edhe ambasadori i Republikës së Kosovës pranë Misionit të Kombeve të Bashkuara në New Jork, Shkëlqesia e Tij Z. Blerim Reka.
Gjithashtu, me ftesë të Presidentes Osmani – Sadriu të pranishëm ishin, e mbijetuara e dhunës e përdhunimit seksual në Kosovë nga forcat militare serbe znj. Vasfije Krasniqi Goodman, së bashku me familjarët e saj, vëllain Naim Krasniqin me bashkëshorten e tij Elvirën, pedagoge e matematikës në Tiranë. Gjithashtu, të ftuar ishin aktivistët e pa lodhur të çështjes kombëtare Agim Rexhaj, Belul Gashi etj..
Fjalën e hapjes e mbajti Presidentja e Republikës së Kosovës Sh. S. znj. Vjosa Osmani Sadriu, e cila shoqërohej nga bashkëshorti i saj, Prindon Sadriu. Në ceremoninë përshëndetëse, Presidentja Osmani – Sadriu, i uroi mirëseardhjen bashkatdhetarëve në Kosovë. I përgëzoi për arritjet e sukseset e tyre, duke vlerësuar lart përkrahjen dhe mbështetjen që i kanë dhënë Kosovës në kohë lufte dhe në kohë paqe, si dhe i ftoi për bashkëpunime të mëtejshme. “Pasi edhe pa kontributin e sakrificat tuaja të çmuara – tha ajo – nuk do të fitohej lehtë paqja dhe Pavarësia e Kosovës.
I pranishëm ishte edhe Ansambli artistik “Vatra” nga Zvicra, që udhëhiqet nga artisti dhe aktivisti Lulzim Krasniqi. Ishin veprimtarë të tjerë nga Shqipëria, bota dhe trevat shqiptare. Ky eveniment special mbajtur për bashkatdhetarët në Rezidencën Presidenciale në Prishtinë u mbyll me një koncert të pasur artistik. Për të pranishmit u shtrua një koktej me ushqime tradicionale shqiptare, pije dhe fruta të stinës.
AMANETI I BABAIT
Si amanet nga im atë, dhe si mbesë e familjes Boletini, nuk mund të lija pa vizituar edhe “Kullën e Boletinëve” varrin e Heroit tonë Kombëtar Isa Boletini dhe varrin e djemve, nipave dhe luftëtarëve të Isa Boletinit. Mes emocionesh të forta, këtë rrugëtim nga Prishtina, e mora së bashku me Heroinën Shqiptare – Vasfije Krasniqi Goodman, vëllain e saj Naim Krasniqin, bashkëshorten e tij, Elvirën e vajzën e tyre Alsea. Udhëtuam njëherësh me dy makina, njëra pas tjetrës.
Me mua ishin edhe disa nga kushërinjtë e mi që jetojnë në Kosovë, të cilëve gjatë kohës së luftës serbët i kishin djegur e shkatërruar Shkollën e Anglishtes në Mitrovicë, ku mësimin e gjuhës angleze e jepnin të gjithë si familje. Me fitoren e Pavarësisë së Kosovës e ringritën përsëri Shkollën, tashmë më të mirë dhe më funksionale përsa i përket mësimdhënies, pasi tani nxënësit, studentët aty praktikojnë e mësojnë jo vetëm anglishten, sigurisht shqipen, por edhe disa gjuhë të tjera të huaja.
Mbërritja në “Kullë” më shtoi më shumë emocionet, pasi në atë tokë që akoma dukeshin gjurmët e gjyleve, preheshin eshtrat e të parëve të mi. Në atë Kullë gjithashtu kishte lindur, rritur e kishte luftuar qysh fëmijë me pushkët e gjata nëpër frëngji edhe gjyshja ime Hajrie Boletini.
Megjithëse u preka, përsëri i mbajta lotët. Më duhej të qëndroja e fortë sikurse gjyshja ime Hajrie Boletini, stërgjyshja ime Ajshe Boletini, teze Ajete Boletini, teze Shehide Boletini etj., të cilat qysh në moshë fare të re jeta i përballi me luftra, vrasje, bombardime, halle e derte e kurrë nuk i ishin përkulur armikut apo të përloteshin.
Një jetë e tërë me mbresa, kujtime, histori, ëndrra të vrara, luftra e jetë të humbura vetëm e vetëm që populli të jetonte në liri e në paqe. Pas vendosjes së buqetave me lule, në mënyrë solemne hymë një nga një në “Kullë”. Pamë odën e grave, odën e burrave, djepin ku u lindën e rriteshin fëmija, odën ku kuvendonte Isa me luftëtarët e patriotët e kombit shqiptar në Kosovë. Si një amanet i nënës së tij, Shehides, vajzës së Isës, eshtrat e Isa Boletinit, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij mes shumë rreziqeve e kontrolleve të shumta në Mirovicë i solli nipi i Isës, Remzi Murati.
VRASJA E HEROIT
Pas vrasjes së Heroit Isa Boletini, djemve, nipave dhe luftëtarëve të tij në Podgoricë më 23 Janar 1916, eshtrat e tyre qëndruan më tepër se 80 vite në varrezat e Malit të Zi. Që nga viti 1978 autoritet Kosovare filluan përpjekjet e para për tërheqjen eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Podgoricë dhe për t’i rivarrosur ato në vendin e lindjes në Kosovë, ku një nga këmbëngulësit e mëdhenj që eshtrat e Isa Boletinit të mbërrinin nga Mali i Zi në Kosovë ka qenë vetë Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova. Mos kthimin e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë në Kosovë e kundërshtoi edhe kryetari komunal i Mitrovicës, boshnjaku Osmanagiç, i cili shkroi: “Mos na i bini eshtrat e këtyre tradhtarëve”. Një meritë e veçantë i takon në këtë rast edhe përfaqësuesit të bashkësisë islame Idris Demiraj, për interesimin e pakufishëm që tregoi duke njoftuar hoxhën ne Mitrovicë, Prof. Asllan Muratin, Remzi Muratin dhe Muhamet Shukriun, për tërheqjen e eshtrave të Isa Boletinit dhe luftëtarëve të tjerë nga varrezat islame në Podgoricë. Remzi Murati i biri i Shehide Boletinit mori parasysh çdo gjë, edhe vdekjen që si e si të realizonte amanetin e nënës së tij. Për të përfunduar këtë mision, u nis drejt Podgoricës nga Prishtina me autobus. Remzi Murati u nis në atë udhëtim final duke mbajtur në zemër edhe në shpirt amanetin e nanës së tij të dashur Shehides, që eshtrat e të atit të saj Isa Boletinit të ktheheshin patjetër në Kosovë.
Sipas kontakteve me Armend Muratin, djalin e Remzi Muratit edhe ky një veprimtar i njohur i çështjes kombëtare shqiptare, që prej vitesh jeton e punon si inxhinier elektronik në Norvegji, mbaj mend të më ketë treguar se: “Ditën e kthimit me çantat e eshtrave për në Kosovë, Remzi Murati nuk lejoj që askush tjetër të jetë pranë tij, në rast se policia malazeze serbe do zbulonte se ç’ka ka në çanta. Familja e Remzi Muratit përjetoi disa ditë të vështira pasi që të gjithë e dinin se momenti më i vështirë do ishte transporti për në Mitrovicë nëse gjinden eshtrat, po nuk kishin kontakt me Remziun, dhe ato ditë ishin shumë të rënda për familjen. Remzi Murati sipas ditarit të tij, përshkruan udhëtimin në ndalje të autobusit, ku të gjithë urdhërohen të dalin jashtë dhe të renditen me çantat e veta para këmbëve, dhe në ato momente mendoi se çdo gjë mori fund, me dy çantat para këmbëve të tij, filloi të mendoj se ndoshta policia ka marrë informata dhe për atë e ndaluan autobusin. Duke kërkuar nëpër çanta, policia gjeti tek një burrë letërnjoftimin dhe e arrestuan, të tjerëve u thanë të kthehen në vendet e tyre dhe autobusi u nis. Remzi Murati mendoi se do ndalen edhe një herë ose më shumë herë deri në Mitrovicë. Sidoqoftë, arriti në Mitrovicë”.
Ndërsa patriotja dhe mbesa e tij, Ariana Hoxha, punonjëse medicinale në Gjakovë, për median tha: “Remzi Murati nuk jetoi që të ishte pjesë e rivarrimit të eshtrave të gjyshit të tij dhe dajave të tij, dha kontribut deri në ditët e fundit edhe në projektin e renovimit të Kullës si Isa Boletin it. Por vepra e tij mbetet shëmbëlltyrë për aktin që definon sot ringjallimin e figurës së Isa Boletinit dhe qëndresës së ikonës Shqiptare në veri, si në ditët kur jetoi. Është ky akt, momenti kur thua “o do vdes, o do e bëj” që e definon Remzi Muratin taman si nip i Isa Boletinit. Është shqiptar, është nder, është vendosmëri, është integritet, është heroizëm. Gjaku nuk është ujë”.
Fotot, shënimet, guri i madh përpara “Kullës” që ishte mburoja e parë e saj nga sulmet e armikut, veshjet e xhamadanët e Isës, të cilat ishin punuar me aq art e dashuri nga duart e nënës së tij Ajshes, me veglën e tezgjahut që ndodhej akoma edhe sot në “Kullë” tërhiqnin vëmendjen e të fusnin thellë në mendime për ngjarjet e së shkuarës…
TRASHËGIMIA PËR BREZAT
Në atë “Kullë” ku përveç, luftës dhe vrasjeve, zhvillohej jeta, zihej brumi i bukës, trashëgohej ndër breza artizanati, arti dhe traditat kulturore shqiptare, mësohej gjuha e bukur shqipe. Lindnin e rriteshin fëmijë pa babë, pasi si luftëtarë trima e atdhetarë të flaktë vriteshin nëpër luftëra e pusitë e armiqve, të cilët e donin Shqipërinë të copëtuar.
Me makinën e vogël të tezgjahut aty u thurën edhe pëlhurat për plagët e të plagosurve. Pajat e vajzave që nesër do të bëheshin nuse, sa fillonin ndaleshin pasi sulmet e një pas njëshme tregonin se sa në rrezik ishte jeta e Boletinëve, ku sipas porosisë së Isës në rast sulmi duhej të largoheshin që andej vetëm me rrobat e trupit. Ashtu siç doli nuse edhe gjyshja ime, që kur ishte kthyer Isa dhe vëllezërit e saj nga lufta ishin mërzitur që nuk kishin mundur ta përcillnin nuse.
Vajtja ime në Mitrovicë, tek “Kulla” në Boletin ishte një amanet i babait tim dhe unë gjithsesi nuk mund të mos e realizoja. Si duket “patëm këmbën e mbarë” pas mbërritjes tonë atje erdhën edhe vizitorë të tjerë, me thënë të drejtën u gëzova. Një ditë më parë “Kullën” e kishte vizituar edhe Ministri në Detyrë i Kulturës në Kosovë Hajrulla Çeku.
Për të lëvizur në Kosovë m’u desh të merrja edhe taksi, shoferi i njërës prej tyre më tha:
– Eh, sikur çfarë ka bërë Isa Boletini.
– Më falni – i thashë – por më duket, se portreti juaj apo edhe i imi nuk gjendet në flamurin që përshkroi mes përmes stadiumin e Beogradit e valëvitet kudo nëpër botë nga shqiptarët me portretin e Isa Boletinit dhe Ismail Qemalit.
Kaq u desh e taksixhiu nuk foli më, heshti.
U largova nga “Kulla” në Boletin me mbresa e kujtime të jashtëzakonshme që do të mbeten gjatë në memorien time. Falënderoj me këtë rast, që në këtë ditë të shënuar për mua, pata pranë aktivisten e të drejtave të njeriut Heroinën Vasfije Krasniqi Goodman, të cilës i jap respektin maksimal për guximin e kurajon e saj, që ka treguar dhe flet hapur çdo ditë, ndaj maltrajtimit e dhunës seksuale që është ushtruar ndaj saj nga forcat barbare e kriminelët serbë, familjarët e saj si dhe kushërinjtë e mi./Panorama
Komente
