Kultura

Nga Apolonia te Lini i Pogradecit që ‘ngacmoi’ Ramën, Belisa Muka rrëfen ekspeditat e Institutit Arkeologjik e laboratorin e ri: Mbi 30 projekte!

26 Shtator 2022, 22:22| Përditesimi: 26 Shtator 2022, 22:29

  • Share

Ekspedita të reja e tradicionale, 2022-shi për Institutin e Arkeologjisë, ka qenë një vit impenjativ. Në kërkim të përgjigjeve, lidhur me  pyetjet e ngritura, për secilin projekt arkeologjik, studiuesit prej pranverës vijojnë punën në terren.

“Mbi 30 projekte të parashikuara janë realizuar duke nisur nga periudha e prehistorisë me pellgun e Korçës, me kërkimet në kuadër të projektit Lin 3 që ka dhënë dhe rezultate shumë të mira. Po ashtu në Maligrat, kemi pasur kërkime në kuadër të Prehistorisë. Kërkime që janë realizuar në qendra të rëndësishme të teritorit duke nisur nga Bushati, Durrësi, Apolonia, Finiqi, Lugina e Drinosit, Antigone, Adrianopoli etj.”, thotë drejtorja e Institutit Arkeologjik, prof.asoc.dr. Belisa Muka.

Ekspeditat janë mbajtur në bashkëpunim me institucione të huaja homologe, duke qenë pjesë e tyre studiues me emër e arkeologë të rinj nga Italia, Franca, Anglia e të tjerë. Për shumë prej artefakteve të gjetura, analizat janë kryer, jashtë vendit. Ndërkohë që pritshmëritë janë që pas montimit të laboratorit në Institut, të trajnohen edhe specialistët përkatës. Trajnimi kërkon kohë, por është i domosdoshëm, për të krijuar pavarësinë e proceseve të restaurimit të objekteve arkeologjike, të ndërprerë prej vitit 2008.

“Procesi i trajtimeve të objekteve post gërmim lidhet me projektet, por edhe me laboratorin e ri që Akademia e Studimeve Albanologjike ka në ambientet e tij, shumë shpejt funksional në kuadër të një projekti të rëndësishëm evropian që nuk parashikon vetëm ngritjen e laboratorit, por edhe ngritjen e kapaciteteve të cilat nesër do të merren intensivisht me proceset e restaurimit të objekteve të kategorive të ndryshme, pra jo vetëm qeramikë, por mbi të gjitha metal apo tekstil”, thotë më tej arkeologia.

Gërmimet arkeologjike përgjatë këtyre muajve, tërhoqën jo vetëm vëmendjen e medies, por edhe të politikës. Vetë kryeministri Edi Rama në fund të gushtit veçoi zbulimet mbi banesat e llojit palafit mbi 7600-vjeçare në Lin të Pogradecit.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm, i cili ëhstë në një fazë të tij të re.  Nga kërkimet nënujore në brigjet e liqenit tashmë jemi zhvendosur në tokë për të pasur një panoramë sa më të qartë të aktivitetit njerëzore për periudhën historike për të cilën ne interesohemi, por më kryesorja është ajo e prehistorisë”, shprehet drejtorja e Institutit Arkeologjik.

Gërmimet do të vijojnë deri në muajin nëntor në Pogradec, Butrint e të tjerë.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?