Napoli është zyrtarisht kampion në Serie A për herë të tretë në histori. Pas 33 vitesh nga titulli i fundit, napoletanët me Luciano Spallettin në krye kanë siguruar trofeun e tretë në histori. Një ndër protagonistët e këtij sezoni fantastik për të kaltrit ka qenë edhe Amir Rrahmani.
Mbrojtësi dhe kapiteni i Kosovës ka qenë shtylla e prapavijës për të tijtë, duke u aktivizuar në 25 ndeshje dhe në total ka grumbulluar 2.089 minuta. Veç lojës së mirë, 29-vjeçari ka shënuar edhe dy gola dhe dhuruar një asist. I lindur në Prishtinë, Rrahmani as në ëndrrat më të bukura nuk e kishte imagjinuar se do ishte kampion në Serie A me Napolin.
I dalë nga moshat e Drenicës, Rrahmani në 2010 stërvitej në baltën e Skënderajt në Kosovë, teksa pamjet tregojnë forcën e pasionit dhe këmbënguljes. Jeta dhe karriera sjellin befasi, për mrekullinë titull.
"Përralla" me emrin Amir Rrahmani do merrte jetë në 2013, atëherë kur djaloshi 19-vjeçar do bashkohej me Partizanin në Superligën shqiptare. RNK Split, Dinamo Zagreb dhe Lokomotiva e Zagrebit ishin përvoja kroate që farkëtoi durimin e një kampioni të ardhshëm.
Kalimi në 2019 në Serie A me Hellas Veronën dhe më pas me Napolin në verën e 2020, i hapi rrugë një historie të mrekullueshme që kulmoi zyrtarisht dje me titullin kampion në Serie A. Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Rrahmanin, që nga balta e Drenicës formoi kampionin e vitrinave të Italisë. Amir Rrahmani bëhet shqiptari i dytë që fiton titullin kampion në Serie A, pas Naim Kryeziut në 1942 me Romën.
Vetem urime Rahmanit, prej tij jam bere tifoz i Napolit. Sa per nisjen nga "balta" ndoshta nuk duhet tepruar, shkollat tona te futbollit kane nje nivel. Sidoqofte suksese!
PërgjigjuSakte.Vetem nje gazetar largpames dhe me fjalor te pasur mund ta bente kete lidhjen me balten....