Nota e mëngjesit nga Washington në faqen Politico.com hapet duke përmendur zhurmën e tapave të shampanjës në kryeqytet, pas njoftimit të largimit të Elon Musk nga administrata e Donald Trump. Sipërmarrësi kishte paralajmëruar prej kohësh tërheqjen e tij graduale: nëse do të qëndronte në administratë më shumë se 130 ditë, do të kualifikohej si punonjës me kohë të plotë, duke iu nënshtruar detyrimeve të transparencës dhe rregullave për konfliktet e interesit, një gjë që nuk kishte ndërmend të pranonte.
Pra, në dukje, një ndarje konsensuale, jo një përçarje. Musk shfaqet i bindur se farat e mbjella me Doge-n, ministrinë e tij të Efikasitetit, do të japin frytet në uljen e burokracisë dhe shpenzimeve të tepërta. Por, duke shkatërruar sektorë të tërë të administratës publike, ai u përplas jo vetëm me stafin, por me gjysmën e qeverisë dhe një pjesë të mirë të Kongresit, përfshirë republikanët. Me rënien e shifrave të popullaritetit të tij, edhe vetë Trump ndaloi së lavdëruari Musk.
Ëndrra e Musk për të shkurtuar shpenzimet publike kishte dështuar prej kohësh
Tani pyetja që ngrihet është: çfarë do të ndodhë me atë dikaster që duhej të transformonte makinerinë e shtetit, me njerëz të përzgjedhur e punësuar nga vetë ai? Doge tashmë është nën hetim nga drejtësia për një sërë shkarkimesh të cilësuara të paligjshme: tashmë, me largimin e Musk, ka më pak pengesa për gjykatësit. Gjithsesi, ëndrra e tij për të shkurtuar shpenzimet publike me 2.000 miliardë dollarë — më vonë reduktuar në 1.000 — kishte dështuar prej kohësh: gjithçka ishte tkurrur në 150 miliardë. Por edhe kjo shifër nuk qëndron: aty përfshihen shpenzime të eliminuara më herët dhe funksione shtetërore të prerë gabimisht, që tani po rikthehen me ngut.
Çfarë mbetet nga ky eksperiment?
Ndoshta vetëm një rast i humbur, i çrregullt, nga një sipërmarrës gjenial dhe dinamik, por pa përvojë politike dhe pa empati, që hyri në skenën e Uashingtonit me një motosharrë në dorë, dhe sot largohet thuajse në heshtje — me një tweet. Thuajse, sepse në të njëjtën kohë që falënderon presidentin në X për mundësinë për të nisur me Doge masa për rregullimin e financave publike, Musk jep një intervistë për CBS, ku kritikon buxhetin “të madh e të bukur” të Trump, duke thënë se ai vetëm rrit deficitin dhe borxhin federal, pra, shkatërron gjithë punën që kishte bërë te Doge.
As dyer të përplasura, por nuk do të largohet në heshtje
Pra, Trump nuk prish raportet me Musk — i cili ka bërë më shumë se kushdo tjetër për rizgjedhjen e tij — dhe Musk nuk e sulmon personalisht një president që ka në dorë instrumente të pushtetit që mund të ndihmojnë ose dëmtojnë rëndë kompanitë e tij. Por zhgënjimi i Musk është i dukshëm, dhe bashkë me të edhe një inat i fshehtë për dështimin në ndalimin e një marrëveshjeje të hidhur: krijimin në Abu Dhabi të një prej qendrave më të mëdha të të dhënave për inteligjencën artificiale në botë, të nënshkruar nga kreu i OpenAI, Sam Altman — armiku i tij i betuar — së bashku me Nvidia, Oracle dhe Softbank. Fillimisht, sipërmarrësi tentoi të sabotojë partneritetin, më pas i tha përfaqësuesve të Emirateve se marrëveshja nuk do të realizohej pa pjesëmarrjen e kompanisë së tij, xAI. Por në fund, Trump e bekoi marrëveshjen pa Musk.
As dyer të përplasura, por ai “bashkëpresident” që në shkurt thoshte se e donte Trump, tani largohet i dëshpëruar — një rikthim i pjesshëm i skenarit të 8 viteve më parë me mikun e tij Peter Thiel, një tjetër miliarder nga Silicon Valley, që zgjati pak në Shtëpinë e Bardhë pas dashurisë elektorale për Trump. Por ndryshe nga Thiel, që është i heshtur, Musk është komunikues i pakontrolluar: pronari i Tesla, X dhe SpaceX që ka shpenzuar thuajse 300 milionë dollarë për të ndihmuar Trump të zgjidhet dhe kishte premtuar edhe 100 milionë të tjerë për zgjedhjet afatmesme të vitit 2026, tani thotë se ka shpenzuar shumë për politikën: mjaft, nuk do të japë më asnjë dollar — përveç nëse sheh ndonjë përfitim. “Dhe për momentin s’po shoh asnjë.”
Si do të riorganizohet koalicioni i Trump?
Pyetja themelore është se si do të ristrukturohet koalicioni që i dha Trump mjetet për të ndërhyrë në çdo sektor, duke qeverisur në mënyrë autoritare. Ai kishte krijuar një ekuilibër mes së djathtës ultrakonservatore të Heritage Foundation dhe projektit famëkeq Project 2025, dhe botës së teknologjisë aleate me të. Tërheqja e Musk lë në fushë vetëm tradicionalistët? Apo Musk, Thiel, Andreessen dhe të tjerë drejtues të Silicon Valley, të vetëdijshëm për mësimet e tetë viteve më parë dhe me shumë njerëz të tyre të vendosur tashmë në nyjet kyçe të administratës, po presin në hije? Trump mbetet i aftë dhe i pathyeshëm, por me një horizont të kufizuar.
Teknologjia, gjithnjë e më e fuqishme dhe e destinuar së shpejti që me inteligjencën artificiale të revolucionarizojë tregun e punës, duke sjellë sfida serioze për politikën — siç paralajmëron edhe shefi i Anthropic, Dario Amodei — sigurisht nuk heq dorë nga ambicia për të ndryshuar rregullat e demokracisë. Përdorimi i Trump si një buldozer rezultoi një iluzion. Tani loja do të luhet me JD Vance: “kapiteni i së ardhmes”, krijesë e Thiel, por që ka flirtuar edhe me ultrat e Heritage. Çfarë do të bëjë kur (dhe nëse) Trump t’i hapë rrugën?/Corriere della Sera
Komente
