Janë vepra nga Arti Modern, Fovizmi, Art Deco, Avant-Garde etj., pa të cilat do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e artit botëror. Krijime të artistëve me famë botërore, që njihen si mjeshtrat më të mëdhenj të modernizmit dhe i përkasin periudhës së viteve nga 1900-1970, ato vijnë në një ekspozitë të veçantë të çelur për publikun shqiptar në mjediset e Qendrës për Hapje dhe Dialog në Kryeministri.
“Nga bohemizmi te përjetësia” sjell vepra nga Amadeo Modigliani, Henri Matisse, Edgar Degas, Tamara de Lempicka, Kees van Dongen etj. Koleksioni paraqet një grup të tërë artistësh, pa të cilët do të ishte e pamundur të imagjinohej historia e Artit Modern, siç janë Fovistët—Louis Valtat, Maurice Vlaminck, Henri Manguin, Auguste Herbin, Jean Puy, Albert Gleizes dhe Jean Metzinger. Holandezi Kees van Dongen dhe italiani Amedeo Modigliani ishin të lidhur ngushtë me Francën dhe përfaqësohen me kryeveprat e tyre: van Dongen me një portret spektakolar të Marcelle Léoni, dhe Modigliani me portretin e suedezes së re, Annie Bjarne.
“Modigliani e përshkruante këtë portret si “Vajza suedeze”. Ajo erdhi në Paris si turiste. Në atë kohë ishte një rreth artistësh në Café La Rotond, shumë e rëndësishme për artistët e asaj kohe. Mogdiliani i kërkoi Annie Bjarne të ishte modele për të dhe bëri këtë portret në Monparnasse.”, - thotë kuratorja Danijela Ucovic ndërsa flet për veprat e Modiglianit.
Ucovic përshkruan disa nga karakteristikat e veprave të tij, që shfaqen edhe te kjo vepër, siç është qafa e gjatë apo forma e fytyrës, frymëzuar nga maskat afrikane.
“Sigurisht, diçka që është mjaft e rëndësishme për Mogdilianin janë buzët e vogla, hunda e vogël dhe sytë pa bebëza sepse siç ka thënë ai mund të vizatojë komplet sytë e dikujt vetëm nëse njeh shpirtin e personit. Ky portret i Bjarne është interesant edhe sepse njëra anë e syrit të saj është gri, tjetri është në ngjyrë kafe. Kur njerëzit pyesnin Mogdilianin pse shpesh pikturon njerëz në këtë mënyrë, ai thoshte se me një sy gjithmonë kemi nevojë të shohim botën rreth nesh dhe me syrin tjetër të shohim brenda nesh.”, - vijon ajo.
“Mogdiliani ishte piktor i emocioneve, shumë i thjeshtë dhe elegant. Ai u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare kështu që nuk na la shumë vepra arti si Picasso, Dali apo Matisse. Kjo është një nga arsyet pse ai është një nga më të dëshiruarit dhe të kërkuarit në tregun e artit. Kjo vepër i përket një prej punëve të tij më të rëndësishme.”, - thekson kuratorja.
Një tjetër artiste që prezantohet në ekspozitë është polakja Tamara de Lempicka.
“Ajo thirrej baronesha e furçës sepse ishte baroneshë dhe stli i saj është shumë interesant. Kur u zhvendos nga Rusia në Paris ishte artiste që ndryshoi kursin e artit, edhe për shkak të stilit të saj të jetës, apo mënyrës se si shpenzonte para. Kur u zhvendos në Paris, ajo tha që duhej të ishte grua shumë e pasur dhe të bënte para nga punët e artit dhe donte që nga çdo pikturë që shiste të blinte një byzylyk floriri. Donte që çdo duart e saj të ishin plot me byzylykë, gjë që ia arriti.”
De Lempicka sipas kuratores ia doli që të ishte e para artiste femër që jetoi dhe u bë e pasur thjesht nga arti, ndërsa me krijimet e saj influencoi mjaft kulturën pop dhe artistë të njohur të Hollivudit, si Madonën, Jack Nicholson apo Barbara Streisand.
“Lëvizjet më të mëdha të artit filluan në kryeqytetin e artit botëror, Paris, nga Montmarte në Parnas, ku artistët takoheshin dhe shkëmbenin idetë e tyre. Bëhet fjalë në periudhën mes dy luftërave, duke sjellë disa nga mjeshtrat më të mëdhenj.”, - thotë drejtuesja e COD, Jetona Koçibelli.
Veprat artistike në ekspozitë pasqyrojnë ndërgjegjen kolektive të epokës, stilin e jetës dhe momentin historik, kryesisht në Francë, por edhe në Evropën Perëndimore dhe Lindore, në Amerikën Latine dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Skulpturat zënë gjithashtu një vend të veçantë në koleksion, duke filluar me bronzin e bukur “Vallëzuesja e vogël katërmbëdhjetëvjeçare”, e veshur me tutu prej pëlhure, nga Edgar Degas, i cili krijoi shumë kryevepra me temën e baletit. Një eksperiment skulpturor i guximshëm nga Henri Matisse, Aurora prej allçije të lyer me bronz, është një vepër e rëndësishme në koleksion.
Diversiteti i koleksionit pasurohet nga grupi i shquar i artistëve përparimtarë hungarezë, përfshirë Bela Kadar, Lajos Tihani, Csaky dhe Hugo Scheiber. Edhe përfaqësuesit e avangardës gjermane janë të shumtë: Hanns Bolz, Henrich Nauen, Max Ackermann, Friedrich Gotsch, Boris Kleint, Oscar Moll dhe e famshmja Gabrielle Münter. Ekspozita vjen në bashkëpunim me Fondacionin MTA dhe Ambasadën e Izraelit_.
Komente
