Merita Spahija dhe mbijetesa e kukullave në 73 vjet Teatër

23 Janar, 16:32| Përditesimi: 23 Janar, 20:26

  • Share

Pranë rrugës së Kavajës ku qëndron e hapur ekspozita “NINGYŌ: Arti dhe bukuria e kukullave japoneze”, nga përtej xhamave të Galerisë Tiranë pikasim 'miq' nga Teatri i Kukullave. Çufo dhe Tipi janë të parët që ndjellin kalimtarët për një takim për së afërmi.

“Kjo ishte një ide e drejtoreshës së GAT, Edit Pulës, e cila krahas ekspozitës japoneze, që është me të vërtetë një pasuri kulturore, një ekspozitë shëtitëse në të gjithë botën me një koleksion të pasur që fillon nga shek.XVII deri sot. Ne deshëm ta bëjmë edhe si apologji të dy kulturave, por edhe për të treguar këtë pasuri tonën”, shprehet artistja Merita Selimi Spahija.

Në qoshkun dedikuar Shqipërisë artistja Merita Spahija ka përzgjedhur të ekspozojë disa prej kukullave të arkivës së Teatrit. Personazhet e përrallës bullgare "Guri magjik", të realizuara Kristina Svetlozarova, janë të parat që na ftojnë në një 'tur' nostalgjie. Bashkë me kukullat udhëtojmë në një copëz historiku të Teatrit.

“Ne në të vërtetë kemi 73 vjet histori të teatrit të kukullave  dhe kjo është një pjesë e vogël e Arkivës, ose koleksionit të kukullave”, thotë më tej ajo.

Ariu, Pinoku, ujku, dhelpra, lejleku, janë miq me të cilët u rritën breza. Por si paradhomë e kësaj historie qëndron kontributi i themeluesve.

“Kukullat e para shqiptare fillojnë në 1950-ën, dhe fillon nga Ndoc Kodheli, ai ka mbaruar në Itali dhe sjell petrushkat me dy gishta, që vazhdojnë si kulturë dhe sot. Po ne kemi vetëm fotot dhe tekstet që kanë qenë. Pas Ndocit vjen Tonin Shiroka, i cili vazhdimisht ka kontributin më të çmuar për ndërtimin e Teatrit Kombëtar të Kukullave”, thotë më tej.  

Në vazhdë të kësaj historie, krahas kukullave të karakterit kombëtar në Galeri hasim frymën detajiste të Klajd Ymerit,  figurat abstrakte të Romeo Çanit, gruan mirditore  të Matlinda Mehmetajt, personazhe të aktualitetit si doktor Piperi, por edhe heroin e përrallës klasike "Princi i vogël"

“Është edhe princi i vogël që e kam gjedhur për historinë që ka, dhe për kohën që na përket sot”, shprehet më tej artistja.  

Protagonisti i francezit Antoine de Saint-Exupéry qëndron pezull, në heshtje  si të gjithë miqtë e tjerë të fëmijëve. Janë aktorët ata që u japin jetë kukullave, marionetave a maskave.

Brezat të tërë interpretësh nga Zija Grapshi,  Xhavit Xhepa, Agron Gashi, Bardhyle Nase deri tek më të rinjtë, që fshihen pas lojës së kukullave, Merita i bën pjesë e këtij miniekspozitori, përmes një instalacioni..

“Është një punë kolosale që bëhet nga prapavija pas”, thotë Selimi.

Vetë artistja ka 18 vjet kontribut në teatrin e kukullave. Është kujdesur për arkivin, skenografinë, dhe ka realizuar kukulla për disa shfaqje...

“Dhe unë kam bërë disa shfaqje të këndshme por modeste. Kam provuar të eksperimentoj, nuk është se nuk kam provuar . Kam bërë ‘7 kecat dhe ujku’ me zysh Ermira Gjatën dhe disa shfaqje në teatër. Shfaqja e parë ka qenë me Klaudia Hilën te ‘Kacamisri’, një shfaqje lëvizëse shumë simpatike”, shton më tej artistja

7 kecat dhe ujku mbeten veç në fabulën e vizatuar të Meritës, dëshmi e diplomës së saj. Ndërsa kukullat  i mungojnë arkivës, si shumë prej personazheve të tjerë të teatrit.

“Ka mbetur pak ç ‘është e vërteta sepse në vitet ‘97-‘98 disa janë hedhur. Një veprim jo shumë i mirë, që disa prej kukullave të shfaqjeve që u hoqën nga repertori u hoqën nga teatri, pasi ne duhet t’i kishim dhe ato në Arkiv. Edhe pse ne ende kemi koleksionin tonë”, tregon ajo.

Thotë se një shfaqje kukullash e arrirë duhet ti ketë në harmoni të gjithë elementët, nga teksti, regjia, dekori, aktorët deri te fonia...

“Që të gjithë kemi kontributin tonë ndonëse jemi të ndryshëm dhe kjo i jep një ngjyrë më të plotë, e bën si simfoni shfaqjen”, shton artistja.  

Me godinën e vjetër në rikonstruksion, dhe premisën për të pasur një Teatër të Ri Kukullash pranë Gardës, Merita ka një dëshirë edhe sa i përket ruajtjes së kukullave.

“Dëshira është që  të ketë një galeri kukullash. Çdo periudhë kohe ka autorët e vet, dhe është e këndshme që të ruhen, që fëmijët të mund të shikojnë rrugëtimin. Unë gjithmonë kam insistuar për një laborator për kukullën, sepse janë njerëz të veçantë ata që punojnë me kukullat. Punojnë me shumë vullnet, me dashuri”, shprehet ajo.

Të mbushura me histori, si manifestim i traditës e ritualeve, kulturës së tyre, janë edhe kukullat japoneze. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në 2 shkurt.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?