Futbollistët e Kombëtares duken në superformë këtë fillim sezoni. Gjashtë nga legjionarët kanë shënuar fundjavën që lamë pas për ekipet e tyre, madje disa prej golave kanë qenë deçizivë. Në prag të ndeshjes kundër Serbisë e cila luhet më 11 tetor në Leskovac dhe vlen për Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026, kuqezinjtë duken në formë të mirë.
Jasir Asani - Në Iran, Jasir Asani shënoi dy gola për Esteghlal FC. Ekipi i Asani barazoi 2-2 kundër Paykan për raundin e katërt të sezonit. Të ndodhur dy herë në disavantazh, vendasit iu falën golave të shqiptarit në minutat 45+7 dhe 80-të (i dyti me penallti). Këtë verë Jasiri la Gwangju në Korenë e Jugut dhe u bashkua me iranianët.
Mirlind Daku - Sulmuesi i Rubin Kazan e ka çuar në nëntë numrin e golave sezonal. Rubin Kazan barazoi 2-2 në udhëtim kundër Akron Togliatti, ndërsa Daku shënoi në minutën e 54-t.
Myrto Uzuni - Sulmuesi i Austin FC i dha tri pikë të tijve në limitet e sfidës, në fitoren 2-1 kundër Seattle Sounders. Tetë gola për Uzunin këtë sezon.
Anis Mehmeti - Bristol City u mposht 1-3 nga Oxford United në Angli, ndërsa për vendasit golin e vetëm e shënoi Anis Mehmeti në minutën e 53. Katër gola për sulmuesin anësor në tetë ndeshjet e këtij sezoni.
Juljan Shehu - Në Poloni, Widzew Lodz u mposht 3-2 në udhëtim nga Gornik Zabrze. Për miqtë golin e parë e shënoi Juljan Shehu. Para golit, Shehu goditi edhe traun e portës me një 'predhë' nga jashtë zone.
Arbër Hoxha - Në Kroaci, Dinamo e Zagrebit fitoi 0-2 derbin kundër Hajdukut në Split. Golin e parë e shënoi Arbër Hoxha në minutën e 44-t.
Titullarë këtë javë ishin edhe Thomas Strakosha, Mario Mitaj, Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Marash Kumbulla, Kristjan Asllani, Qazim Laçi, Ylber Ramadani, Adrion Pajaziti, Ernest Muçi dhe Rey Manaj. Ndërkohë, si zëvendësues dhanë kontributin e tyre Ivan Balliu, Nedim Bajrami dhe Indrit Tuci.
Komente
