Nga data 9 deri më 11 tetor, në Tiranë zhvillohet Java Kulturore Holandeze, një seri aktivitetesh që shënojnë 55-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Holandës dhe Shqipërisë. Programi përfshin ekspozita, diskutime dhe evente që ndërthurin artin, sportin dhe dialogun kulturor, duke sjellë më afër dy vendet përmes krijimtarisë dhe kujtesës historike.
Aktivitetet nisin më 9 tetor, ora 11:00, në Stadiumin Air Albania, me ceremoninë hapëse të ekspozitës “Ajax – 17 Nëntori / Tirona – Ribashkim dhe Ekspozitë Fotografike”. Ky aktivitet kujton ndeshjen historike të vitit 1970 mes Ajax dhe 17 Nëntorit, që përfundoi 2–2 dhe u bë simbol i miqësisë dhe diplomacisë sportive. Legjendat Arie Haan dhe Ruud Krol rikthehen në Tiranë për t’u ribashkuar me ish-lojtarët shqiptarë, në një ribashkim që përfshin panel diskutimi dhe ekspozitë me imazhe të papublikuara nga ajo periudhë.
Në të njëjtën ditë, më 9 tetor, ora 17:30, në Vila 31, hapet ekspozita “Amsterdam Rainbow Dress”, një vepër unike e krijuar nga flamujt e vendeve ku orientimi queer ende është krim. Ekspozita përfshin 30 fotografi nga nëntë vitet e fundit dhe do të shoqërohet me prezantim nga Arnout Van Krimpen më 10 tetor, ora 17:00. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun në datat 10–11 tetor, në oraret 10:00–13:00 dhe 17:00–20:00.
Java mbyllet më 11 tetor, ora 17:00, në Vila 31, me aktivitetin “Dialogë me Artistë – Lidhjet mes së kaluarës dhe së ardhmes”, ku kuratorja Kim Knoppers dhe dizajnerja holandezo-shqiptare Felice Emanuels diskutojnë lidhjen midis kujtesës, traditës dhe inovacionit në art dhe dizajn. Knoppers trajton konceptin e kurimit transhistorik dhe rolin e qendisjes si mjet kujtese dhe rezistence, ndërsa Emanuels prezanton mënyrën se si motivet tradicionale shqiptare rimendohen përmes teknikave moderne të dizajnit industrial holandez.
Java Kulturore Holandeze sjell në Tiranë një kombinim të veçantë të artit, sportit dhe dialogut ndërkulturor, duke theksuar vlerat e miqësisë dhe bashkëpunimit mes dy vendeve.
Hyrja në të gjitha aktivitetet është e lirë.
Pas përfundimit të Javës Kulturore Holandeze, Tirana do të mirëpresë Javën Kulturore Japoneze, nga 12 deri më 18 tetor, një javë e dedikuar trashëgimisë së pasur të Japonisë.
Komente
