Sezonin që lamë pas kampionatin e humbi me pikë të barabarta, por këtë situatë Tiranë kërkon të mos e përsërisë më dhe për këtë arsye është skuadra më me shumë lëvizje në merkato deri më tani.
Sëfundmi bardheblutë 26 herë kampionë të vendit kanë prezantuar zyrtarisht Liridon Latifin, anësorin i cili sezonin e kaluar luajti te Vllaznia. 29-vjeçari kishte disa kërkesa brenda dhe jashtë vendit, por në fund zgjodhi Tiranën për shkak të projektit të bardhebluve, duke firmosur për dy vite.
Megjithatë prishtinasi nuk është emri i vetëm i madh që i bashkohet skuadrës së drejtuar nga Shehi. Edhe pse jo zyrtarisht, Albi Doka, tashmë mund të quhet një transferim i kryer. Ish-futbollisti i Tiranës, i cili sezonin e fundit luajti në Hungari te Honved, ka hedhur të zezën mbi të bardhë, duke blinduar krahun e djathtë të ekipit për 3 vite. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Gentian Selmani, portieri i ardhur më herët nga Laçi.
Gjithsesi nga Tirana ka patur edhe firo. Pavarësisht se Orges Shehi njoftoi rinovimin me Albano Aleksin, ky i fundit në mënyrë të befasishme u bashkua me Egnatian. Ngërçi në bisedime, por edhe pagat e prapambetura detyruan fierakun të zgjidhte rrogozhinasit, ndërsa për këtë ka marrë edhe një premio.
Tirana prej 12 qershorit ka nisur përgatitjet për pjesmarrjen në kualifikueset e Conference League, ndërsa më 20 qershor si bardheblutë dhe skuadrat e tjera shqiptare do të mësojnë kundërshtarët në Europë.