TAPIZË- Plot 13 plumba automatiku janë derdhur mbi automjetin “Range-Rover” me targa italiane, që drejtohej nga Durim Bami, por ezkekutimi i këtij personi, sërish nuk është arritur të kryehet nga kundërshtarët. Bami, fatmirësisht ka mundur të shpëtojë pa pasur asnjë lëndim, megjithëse në makinën që ai drejtonte janë futur 6 predha kallashnikovi, ku njëra prej tyre ka plagosur në krahun e djadhtë djalin e hallës së Bamit, Ervin Kodrën.
“Shqiptarja.com” zbulon detaje të tjera lidhur me atentatin e datës 4 nëntor, ku tre persona që besohet se kanë qenë të veshur si policë, kanë tentuar të vrasin me armë zjari, Durim Bamin nga Nikla. Ky i fundit ishte duke drekuar në fshatin Qerek me kushëririn e tij, ku pasi kanë mbaruar drekën në një lokal afër Rinasit, kanë vendosur të kthehen në Fushë-Krujë.
Por në ecje e sipër, makina me targa italiane “Range-Rover”, që drejtohej nga Durim Bami, është qëlluar me breshëri automatiku, plot 13 herë. 6 predha kanë prekur pjesë ballore të automjetit, i cili është qëlluar në lëvizje e sipër.
Goditja ka qenë shumë e mirëorganizuar dhe dyshohet se Durim Bami, është mbajtur në vëzhgim për një periudhë kohe, duke organizuar pritën kundër tij, pikërisht në vendin e quajtur ura e Tapizës. Në rëfimin e të plagosurit Ervin Kodra, të cilin ka mundur të sigurojë “Shqiptarja.com”, thuhet se Durim Bami, ka mundur të manovrojë me shpejtësi makinën, duke hyrë në anën tjetër të rrugës dhe më pas të përplaset në murin rrethues të një biznesi që meret me tregtimin e mermerit.
Ervin Kodra, u ka thënë policisë se në 4 nëntor 2020, rreth orës 13:00, është takuar me Durim Bamin, tek shtëpia e tij në Nikël, pasi Bamin e ka djalin e dajës. Më pas janë larguar së bashku dhe kanë shkuar në fshatin Qerek, në afërsi të Rinasit, ku kanë ngrënë drekë në një lokal 1 katësh. Teksa kanë qëndruar deri në orën 15:00, me makinën e Durimit janë nisur duke udhëtuar drejt fshatit Nikël në Fushë-Krujë.
Drejtimin e makinës e ka patur Durim Bami ndërsa Ervin Kodra ka qëndruar si pasagjer në sediljen e parë të mjetit. Sapo kanë shkuar në hyrje të urës së Tapizës, në drejtim Kamëz-Fushë-Krujë, një automjet Golf 5 me ngjyrë gri ishte i ndaluar në trotuar, me kënd drejtimi nga sfalti i rrugës kryesore.
Dhe në një distancë prej rreth 20 metra, pa u afruar tek kjo makinë e parkuar, nga ky mjet është hapur zjarr në drejtim të makinës së Durim Bamit. Kodra ka treguar se nga makina tip Golf, është hapur zjarr me breshëri armësh automatike, dhe në këtë moment sipas tij, durimi ka prerë timonin e makinës majtas dhe kanë kaluar në krahun tjetër të rrugës, duke u futur në një rrugicë të vogël dhe duke përfunduar brenda rrethimit të një fabrike mermeri, ku janë përplasur në murin rrethues të saj.
Si Durim Bami dhe Ervin Kodra, kanë dalë nga automjeti duke rënë në tokë dhe pas disa minutash ka shkuar me shpejtësi Valter Bami, vëllai i Durim Bamit, dhe ka dërguar në spitalin Ushtarak, Ervin Kodrën. Ndërsa sipas dëshmisë së këtij të fundit për Durimin kishte mësuar se ishte larguar në shtëpi.
Ervin Kodra, më tej ka treguar se në momentin kur janë qëlluar ka parë dhe ka fiksuar se brenda në automjetin tip “Golf 5”, kishte fiksuar 3 persona, ku njëri ishte shofer, tjetri pasagjer dhe i treti ka qënë në sediljen e pasme. Sipas tij personi që ka qëlluar me breshëri ka qenë njeriu që ndodhej në sediljen e pasme të makinës dhe ky person në kokë mbante dhe kapele. Ndërsa dy personat e tjerë nuk ka mundur t'i fiksojë dhe nuk ka qenë në gjendje që t'i njihte tre personat që ndodheshin në makinën nga vinin të shtënat. Lidhur me këtë ngjarje është marë në pyetje Valter Bami, vëllai i Durimit, i cili ka treguar se si ka shkuar me urgjencë në fabrikën e mermerit, dhe kishte çuar në spital kushëririn e tij të plagosur.
Ndërkohë për tre ditë me rradhë Durim Bami nuk është arritur të gjendet nga policia. Ai është vetëdorëzuar në polici një ditë më parë dhe ka dhënë sqarime se nuk ka mundur të njohur autorët që i kishin ngritur pritën.
Analfabet, medioker, i gerditshem "gazetar", shkruhet shpuan* jo ç'puan. Ca vemje.
Përgjigju