Kronikë

Nga ekzekutimi i Sofisë te Pjerin Xhuvani para zgjedhjeve, në 4 muaj 20 vrasje, 5 më shumë se në 2020

2 Maj 2021, 14:15| Përditesimi: 2 Maj 2021, 15:48

  • Share

TIRANË- Në katër muajt e parë të vitit 2021 janë regjistruar në total në të gjithë vendin 20 vrasje. E krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, janë pesë vrasje më shumë, ndërsa edhe këtë vit nuk kanë munguar atentatet mafioze.

Ishte ora 08:45 e mëngjesit. Një ndër zonat më të populluara të kryeqytetit u trondit. Të shtënat e mbytura të silenciatorit, të enjten e 25 shkurtit ishin në drejtim të 66-vjeçarit Behar Sofia i cili u vra përballë Piramidës, sapo kishte dalë nga banesa. Autori u largua qetësisht me biçikletë. Vrasja e Sofisë ishte vetëm një nga 19 të tjera në vend.

Nga 1 janari deri në 30 prill të paktën shtatë vrasje dyshohen si atentate me vrasës me pagesë të tipit mafioz. Në fokus të krimit janë sërish pikat e nxehta tradicionale, duke filluar nga Durrësi, për të vazhduar me Shkodrën, Fierin, Vlorën, Tiranën dhe Elbasanin. Interesant mbetet fakti që të gjitha vrasjet e këtij katër mujori të parë të çojnë në Fushë Krujë, aty ku gjenden pjesa më e madhe e vrasësve me pagesë.

Qyteti i Durrësit është tronditur dy herë gjatë kësaj kohe, ngjarje akoma të pazbardhura. Vrasja e Edmir Begut dhe pak kohë më vonë edhe e mikut të tij, Edmond Koçi, i njohur si Mond Çekiçi. Në Fier u vra Shkëlzen Kastrati në ditën e parë të shkurtit. Ngjarja është zbardhur, por pjesa më e madhe e autorëve janë në arrati. Në Vlorë u vra Gentjan Qarri, në mes të qytetit. Karikator plumbash u shkreh edhe në drejtim të Bardhok Pllanajt në Shkodër dhe vetëm pak ditë para zgjedhjeve u ekzekutua Pjerin Xhuvani në Elbasan.

Pjesa më e madhe e këtyre vrasjeve kanë motiv prishjen e pazareve të drogës dhe hesapet e pambyllura. Gjatë kësaj periudhe nuk ka munguar edhe krimi brenda familjes.

Në një raport të publikuar nga INSTAT, thuhet se viti i kaluar ka regjistruar në total 52 vrasje me dashje. Sipas këtij raporti vletor statistikash të kriminalistetit, 2020-a ka regjistruar 6 vrasje me dashje më pak se 2019-a, në të cilin janë regjistruar 58 vrasje. Por, 2020 njihet një vit më negativ se 2017-a dhe 2018-a, tek të cilët janë regjistruar përkatësisht 50 dhe 51 vrasje me dashje. Viti më i keq i vrasjeve në pesë vitet e fundit është 2016-a, në të cilin janë regjistruar 71 vrasje me dashje.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?