Sport

Nga emigrimi në Prizren për nipin dhe mbesën sportiste, gjyshi nga Kukësi: Kur i pashë për herë të parë s’i mbajta dot lotët

18 Qershor, 15:48| Përditesimi: 19 Qershor, 11:09

  • Share

Emigrimi e largon nga njerëzit e zemrës, sidomos me nipin dhe mbesën, Adem Nërguti rrugën nga Italia në vendlindje e bën shpesh vitet e fundit. Gjyshi i dy mundësve të vegjël kuksianë kthehet dhe mungon rrallë në ndeshjet e tyre.

Herën e fundit në shkallët e pallatit të sportit 70-vjeçarin e gjetëm në Prizren të Kosovës, ku Erglena dhe Ernest Domi, motër e vëlla, kishin kampionatin e radhës.

“Kam nipat dhe mbesat të cilët marrin pjesë në sportin e mundjes në Prizren dhe i kam ndjekur sa herë kam patur mundësi të vij këtu në pallat sporti,”-u shpreh gjyshi i sportistëve.

Për Report TV, Ademi thotë se emocionet janë të mëdha sa herë që nipi dhe mbesa e tij zhvillojnë ndeshjet.

“S’ më ka qëlluar të mos fitojnë. Gjithmonë kanë fituar dhe kam ndjerë kënaqësi. Më rrëqethet trupi kur i shoh. Shumë të shkathët dhe unë e përjetoi shumë,”-tha ai.

Adem Nërguti nuk mund ta harrojë herën e parë kur pa nipin të ndeshet në tapetin e mundjes.

“Për herë të parë kur i kam parë në tapet, Nestin më shumë që bëri disa kapje e rrotullime në ditën e parë, unë kam nisur të qaj,”-deklaroi ai.

Edhe pse nuk i pëlqen të bëjë diferencime, gjyshi i sportistëve e di se kë ka më të talentuar.

“Të mirë janë të dy, por vajza i ka disa aftësi më shumë,”-u shpreh gjyshi i fëmijëve.

Adem Nërguti bën edhe një apel, për mbështetjen e sportit të mundjes në Kukës. Sipas tij në qytetin verilindor mungojnë kushtet për t’u marrë me mundjen, ndërsa ekzistojnë edhe paragjykimet për mbesën.

“Mbesa iku sepse nuk i kanë kushtet e favorshme për t’u mërzitur. Plus mentaliteti ynë që nuk ka pasur vajza të tjera atje dhe kjo e ka penguar të stërvitet. S’ka shoqe për të punuar,”-tha ai.

Erglena dhe Ernest Domi janë pjesë e ekipit ‘Kolosi Infinit’ të Prizrenit, ndërsa në garat ndërkombëtare përfaqësojnë si Kosovën ashtu edhe Shqipërinë.

Ne.k./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?