Ekspozita “Nëntori” shënon një çerekshekulli. Veprat e mbi 30 artistëve, ekspozuar në muret e galerisë “FAB”, çelin një dritare rreth panoramikës së artit vizual vendas përgjatë këtij viti.
“Kjo nismë lindi në vitin 1998 dhe u krijua nga Llambi Blido, Stefan Taçi dhe Besim Tula, si një nevojë për t’u marrë me pikturën e kavaletit”, thotë organizatori dhe piktori Aleksandër Filipi.
Prej artistëve që e shënuan këtë traditë, piktori Stefan Taçi, është i pranishëm, qoftë në paskuinta, si “dora e fshehtë” që ndihmon në kurim, ashtu edhe me veprën e tij “2022” ku sjellë me delikatesë temën e Luftës në Ukrainë, e krizat që e pasojnë, pa i hequr veprës dritën e shpresës. Ndërsa organizatori, Aleksandër Filipi, vjen në mënyrë simbolike me një vepër më të hershme si “Antequam Moses”.
“Solla një tablo që ishte pak më e vjetër por e pa ekspozuar tek ‘Nëntori’. Nga latinishtja ‘Antequam Moses’ do të thotë koha para Moisiut. Janë figura që tentojnë të mbijetojnë apo të dominojnë mbi të tjerët, por në kushtet e një ekzistence kaotike”, thotë më tej ai.
Nga elementët etnografikë e të tabanit me artistë si Buron Kaceli, tek liria e gruas, varfëria që mbështjell portretin familjar të një punëtori pa e shuar dashurinë nga Erjon Bardhi, flladi piktoresk pogradecar mes mitit të sirenave e ujërave të bekuar nga Anastas Kostandini, e “Fëmijëria e munguar” në serigrafinë plot mesazhe e ndjeshmëri të Merita Selimit, tematikat e teknikat janë të larmishme...
“Ajo që e bën të veçantë këtë grupim, duke iu referuar kësaj kohe, kësaj epoke, është gëzimi i mundësisë absolute të lirisë të të shprehurit”, shton më tej piktori.
E çojnë pa përkrahje institucionale përpara artistët këtë traditë, të nxitur nga pasioni, dëshira për tu takuar e ballafaquar përmes veprave, brezave, por edhe për të qenë të pranishëm në këtë takim të përvitshëm me dashamirësit e artit pamor.