Nuk është më shumë se 19-vjeç dhe prej dy ditësh bashkë me nënën dhe motrën janë sistemuar në një nga dhomat e qytetit studenti. Studenti afganas, i cili mbërriti në Shqipëri me avionin e dytë akoma ka përballë imazhet e terrorit që la pas në Kabul. Tregon se kanë fjetur nëpër rrugë, mes pluhurit dhe urisë. Ditën që në aeroport ndodhi një shpërthim, ai ishte aty.
"Dita e fundit ishte shume keq, fjetëm nëpër rrugë, nuk kishim ku të rrinim, kishte pluhur. Në aeroport kishte shumë njerëz që po rrinin jashtë duke pritur për një mundësi për të hyrë brenda, por nuk lejoheshin dhe shume njerëz vdiqën dhe aty. Ditën që ne erdhëm ishte një bombë në aeroport dhe shume njerëz vdiqën aty nga shpërthimi. Nuk ka siguri për ne atje. Nuk kishim as bukë, nuk kishim ku ti gjenim, amerikanet po na jepnin ushqimin e tyre", tha studenti
Mes të evakuuarve që kanë ardhur në Shqipëri, Report Tv foli edhe me dy gazetarë afgan, të cilët në të njëjtën kohë jepnim edhe mësim në Universitet.
"Jeta ime dhe puna ime ishte në rrezik, pasi un punoja si mësuese në universitet dhe gazetare. Kështu që puna ime ishte e rrezikshme atje. Këtu ndihem e sigurt, por kam frikë sepse lashë gjithçka pas nga jeta ime. Karrierën, shtëpinë, familjen, motra e vëllezër", tha gazetarja afgane.
"Shqiptarët janë shumë të sjellshëm me ne. Këtu ndihemi shume mirë. Për 20 vjet ne luftuam shumë që vendi ynë të rimëkëmbet, por fatkeqësisht çdo gjë u shkatërrua. Vendi jonë u pushtua nga talebanët dhe u kthyem sërish pas në vite", tha gazetari afgan.
Ndërkohë që një adoleshente tregon tmerrin e ditëve që përjetoi në pritje për t'u evakuuar së bahsku me familjen e saj.
"Situata ishte shume e keqe. Ishte shumë e vështirë sepse ishim ne rrezik. Është situatë shumë e trishtë. Babai im punonte si gazetar dhe mamaja ime ishte mësuese atje", tha e reja.
Për një pilot ushtarak në Afganistan, i cili aktualisht është në Qytetin Studenti, thotë se talebanët janë mizorë, dhe askush nuk i njeh ata më shumë vetë afganët. Ai nuk e di akoma ku ndodhet pjesa tjetër e familjes.
"Ndihemi mirë. Jemi të sigurt këtu. Kemi 2 ditë që kemi ardhur. Talebanët janë njerëz shume mizor dhe të dhunshëm. Planet për të ardhmen nuk e di akoma ndoshta këtu, ndoshta në ndonjë shtet tjetër. Në Afganistan kam motrën, vjehrrën, nipa e mbesa. Unë atje kam punuar si pilot ushtarak", tha piloti.
Sot afganët e ardhur në Shqipëri ndjehen të sigurte. Fëmijë e të rritur janë të qetë, por të gjithë kanë një qëllim, duan të ikin në Amerikë.
"Do fluturojmë për në Amerikë. Dhe do përpiqemi të gjejmë një punë të mirë atje dhe të jetoj me familjen", tha njëri prej tyre.
"E ardhmja akoma nuk është e qartë për mua sepse kompania me te cilën kam punuar është në Amerikë. Ndoshta do shkoj në Amerikë", tha gazetarja afgane.
" Sigurisht që ne mendojmë për Amerikën. Ne akoma nuk i dimë rregullat këtu në Shqipëri dhe ligjet", përfundoi një tjetër.
Po pse doni te ikni ne SHBA more?? Ketu keni mundesi pune per 200€ ne muaj, fasonerite kerkojne puntore cdo dite. Ne SHBA do rrini pa pune o te shkrete.
Përgjigju