Politikë

Nga Greqia në Gjermani, kryeministri Rama: Në Berlin për Panairin më të madh në botë të Turizmit, Shqipëria e zgjedhura e nderit! Kush e mendonte...? (VIDEO)

2 Mars, 20:35| Përditesimi: 2 Mars, 21:25

  • Share

Kryeministri Edi Rama ka lënë pas Athinën në Greqi, ku mori pjesë në Panairin e Punës për nismën me kthimin e emigrantëve në Shqipëri duke bërë oferta pune, dhe ka zbritur sot në mbrëmje (2 Mars) në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlinin.

Kjo vizitë lidhet me çeljen e Panairit të Turizmit, më i madhi në botë, dhe ku Shqipëria është zgjedhur si vendi i nderit për vitin 2025.

Kryeministri e njoftoi me një video-mesazh në rubrikën e tij “Ç’kemi nonjë të re”.

Fjala e plotë e kryeministrit Edi Rama nga Gjermania:

“Mirëmbrëma nga Berlini. Pas një dite vërtetë në Athinë, në panairin e parë të punës, ku 120 kompani nga Shqipëria prezantuan ofertën e tyre, për një gamë të gjerë vendesh pune, erdhëm këtu në Gjermani, ku Shqipëria do çelë nesër Panairin e Turizmit, si vendi i zgjedhur i nderit për vitin 2025. Kush e mendonte deri disa vite më parë Shqipërinë në këtë pozicion. E ftuar si vend nderi në panairin më të madh të botës për turizmin”, u shpreh kryeministri.

Ku jemi përgatitur të lëmë një mbresë të veçantë me ofertën tonë dhe prezantimin tonë këtu. Kur ne morëm detyrën kishte vetëm turizëm patriotik pas vëllezërve dhe motrave nga Kosova e shqiptarëve që ktheheshin në shtëpi nga emigrimi apo Maqedonia e Veriut, ne jemi bërë vendi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë, dhe renditemi prej tre vitesh radhazi në 3 vendet e para të klasifikimit të Organizatës Botërore të Turizmit në shkallë kontinentesh. Nga një popullatë nga 4,3% akses në aviacion kur ne morëm detyrën sot kemi 32% akses në aviacion për banorët rezidentë të Shqipërisë.
Ndërkohë që për të tretin vit radhazi aeroporti i Tiranës e ka kaluar atë të Beogradit për numër pasagjerësh, duke arritur vjet shifrën rekord të 11 milionë pasagjerëve. Shifra e 12 milionë turistëve nga një hartë e larmishme, ku figurojnë për herë të parë edhe mijëra japonezë, amerikano-latinë apo australianë ishte për 2024 një tjetër zhvillim i mëtejshëm i ekonomisë së re të turizmit shqiptar.

Nesër, në prani të shumë mediave dhe gazetarëve, ne do jemi së bashku me drejtuesit e panairit që në mëngjes, për një ditë të jashtëzakonshme nxemjeje që kulmon pasdite me spektaklin e Shqipërisë, ndërsa pasnesër në mëngjes, në pavionin e Shqipërisë, edhe në praninë e autoriteteve të shtetit gjerman këtu në Berlin, do hapet zyrtarisht panairi i turizmit. Jam shumë krenar, vërtetë shumë krenar që ia arritëm këtë ditë dhe që do t’i bëjmë posaçërisht krenarë shqiptarët e Gjermanisë me praninë dhe rolin e Shqipërisë në këtë eveniment të madh global të turizmit".

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A nxorën primaret e PD-së kandidatët më të mirë për 11 majin?