Nga janari në nëntor zarzavatet u shtrenjtuan me 17.8%! Rrapaj: Për shkak se nuk mbështeten fermerët! Braçe: Çmimet i rrit abuzimi

15 Dhjetor 2023, 16:31| Përditesimi: 15 Dhjetor 2023, 16:52

  • Share

Konsumatorët, po përballen me një tjetër valë rritje të çmimeve të produkteve të shportës, e kryesisht të zarzavateve edhe pse pjesa më e madhe prodhohen në tregun vendas.

Referuar të dhënave zyrtare, çmimet e zarzavateve përfshirë dhe patatet janë shtrenjtuar me 17.8% përgjatë 11 muajve të këtij viti në raport me vitin e kaluar.

Ndërkohë që vjet, kur inflacioni ishte më i lartë, zarzavatet u shtrenjtuan me 12.5%, krahasuar me vitin 2021.

Edhe në pikun e prodhimit të patates apo qepës qytetarët e blinin në tregjet e Tiranës me çmim mbi 100 lekë një kg, ndërkohë që fermerët ua shisnin tregtarëve me çmim trefish më të lirë.

E njëjta gjë po ndodh edhe me produktet e tjera bujqësore, si frutat, ku molla e të gjitha llojeve është mbi 100 lekë, e po ashtu mandarinat e portokallet.

"30 lekë për kg, është ky artikull në Lushnje dhe Divjakë. 80, 100, 120 lekë këtu në mes të Tiranës është totalisht i pajustifikuar. Është çështje themelore, është çështja e funksionimit të tregut, e abuzimit dhe grabitjes që ndodh atje, e trefishtë nga bujku te qytetari e te shteti", tha deputeti Erion Braçe.

Përtej abuzimit nga tregtarët në vendet e prodhimit e deri në tregjet e qyteteve, kryetari i Agrobiznesit Agim Rrapaj, thekson se jo e gjithë kërkesa për produkte mbulohet nga prodhimi vendas dhe çmimet në treg po rriten dhe prej importit.

“Në këtë fazë që jemi nëse nuk ndërhyhet me disa masa konkrete, siç është rasti i TVSH-së, akti normativ për rritje buxheti, rritje e financimit për skemën kombëtare si dhe rritja e vendeve të punës, të gjitha së bashku mund të përballojnë fluksin e rritjes së çmimit”, pohon Rrapaj.

Por Rrapaj paralajmëron tjetër rritje të çmimeve të produkteve bujqësore nëse nuk ndërhyhet me financim.

“Fermerët tanë nuk kanë tashmë mundësi që të shfrytëzojnë të gjithë hapësirën për shumëllojshmëri të produkteve dhe ne jemi të detyruar tashmë që ti importojmë ose ti prodhojmë me një kosto shumë të lartë dhe kjo bën që të rritet çmimi, sepse është rritur kërkesa për disa nga produktet, kjo si rezultat i rritjes së konsumit, si rezultat edhe i rritjes së turizmit”, tha Rrapaj.

Sipas INSTAT inflacioni në muajin nëntor ishte 3.9%, ku vetëm ushqimet u  shtrenjtuan me 7.1% dhe rritja më e fortë e çmimeve u regjistrua tek zarzavatet pasi në nëntor u shitën 21.2% më shtrenjtë se në vitin e kaluar.

B.K/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?