Fatma Karimi dhe Mina Raoufi, dy vajza afgane sollën për Report Tv historinë e tyre, tepër prekëse por njëkohësisht plot shpresë dhe forcë. Ndërsa u detyruan t’i largoheshin regjimit të talebanëve, fati i solli në Shqipëri ku po qëndrojnë për disa muaj tashmë.
Pavarësisht vështirësive që sjell lufta, ato kanë gjetur guximin për t’ia dalë mbanë dhe për të luftuar për vendin e tyre duke qëndruar të forta e duke mos I humbur shpresa për një të ardhme më të mirë.
Megjithëse nuk e njihnin Shqipërinë përpara se fati t’i vendoste këtu, ndjehen me fat dhe mjaft të mikëpritura:
Po, unë e njoha Shqipërinë vetëm pasi ika nga Afganistani. Vetëm emrin kisha dëgjuar dhe nuk dija asgjë për Shqipërinë. Por kur shkova në Pakistan, bëra shumë kërkime për kulturën, njerëzit, për gjithcka. Kur u akomoduam këtu, vetëm disa javë më pas , erdhën plot shqiptarë për të na dhënë mikëpritjen e tyre të ngrohtë na sollën dhurata për të na mikëpritur sepse ne lamë gjithcka pas dhe nuk kishim asgjë. Kjo ishte një suprizë, ishte një mikëpritje e ngrohtë për ne” tregon Fatma për emisionin ‘’Rreze Dielli’’.
“Javët e para kur erdhëm këtu, nuk e kishim mendjen që të dilnim dhe të njihnim njerëzit, ne nuk dinim se cfarë të bënim, ishim shumë konfuz. Pas disa javësh filluam të takonim njerëz, të njiheshim me ta, të bënim aktivitete përmes një organizate amerikane dhe disa psikologëve shqiptarë bëmë një seminar për komunitetin afgane, për traumën e madhe që po kalonin. Unë përktheva për ata përreth 3-4 javë, ky ishte një shans për ta kthyer si një hobi për jetën e përditshme dhe me shumë benefite për njerëzit, jo vetëm për afganët por edhe për shqiptarët” rrëfen Mina për eksperiencën e saj në Shqipëri.
Tashmë ato kanë arritur t’i shpëtojnë regjimit talebanë por mendja dhe ëndrrat e tyre punojnë vetëm për qëllim, të ndihmojnë gratë, vajzat dhe fëmijët në Afganistan të jetojnë të lirë.
“E ardhmja ime pas 20 vitesh studime dhe pune në Afganistan ishte që të shpëtoja njerëzit e mi dhe vendin tim por tani situata është totalisht ndryshe sepse une e lash vendin tim por një ditë dua të jem pjesë e parlamentit që të ndryshojë ligjet për gratë, që të sjellë një ndryshim të madh në jetën e tyre sepse të drejtat e grave në Afganistan janë dhunuar shumë herë”
“Të gjitha ëndrrat dhe qëllimet e mija janë për të ndihmuar njerëzit e mi në Afganistan. Këtu do të përpiqem që të bëjë më të mirën që mundem për ta. Unë kam një ëndërr që një ditë fëmijët dhe gratë t’i lënë të qetë dhe të kenë të drejtën për edukim, për të dalë jashtë dhe të punojnë për veten e tyre”
Ndërsa treguan se destinacioni përfundimtar ku dëshirojnë të vendosen është Kanadaja:
“Po destinacioni final ku kemi vendosur që të jetojmë është Kanadaja, sepse ka qenë ëndrra ime që të shkoja dhe të studioja atje, sot kam gjetur një mundësi për të shkuar atje” u shpreh Fatma.