Nga kamerat, te aplikacionet dhe dronët...bota në kërkim të infeksioneve Covid

15 Qershor 2020, 16:00| Përditesimi: 15 Qershor 2020, 16:05

  • Share

Siç ndodh në gjendje lufte, një sërë qeverish janë duke ndërmarrë hapa të pazakonta për të luftuar shpërthimet e infeksionit nga koronavirusi, përfshirë përdorimin e mjeteve ekstreme të mbikëqyrjes ndaj qytetarëve.

Kryefjala e strategjisë e të gjitha vendeve perëndimore ka qënë gjurmimi dhe monitorimi. Por, si mund të kontrollohet nëse një qytetar i infektuar e ka shkelur ose jo karantinën, duke rrezikuar të gjithë ata përreth tij.

Një nga mjetet më të zakonshme që ka qenë mbledhja e të dhënave për vendndodhjen dhe lëvizjen e të infektuarve nga aplikacione të ndryshme që shkarkohen në telefonat celularë. Kina mobilizoi mjetet e saj të mbikëqyrjes masive, nga dronët në kamerat e rrugës, për të monitoruar njerëzit e karantinuar dhe për të ndjekur përhapjen e koronavirusit. Izraeli, Singapori dhe Koreja e Jugut po përdorin gjithashtu aplikacionet, kamerat dhe informacionin e kartave të kreditit, për të monitoruar pacientët me Covid-19 në vendet e tyre.

Teknologjitë e përdorura nga qeveritë në mbarë botën kanë për qëllim të identifikojnë se ku janë personat e infektuar dhe a po e shkelin karantinën. Maqedonia e Veriut është bërë vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që krijoi një aplikacion për gjurmimin e kontakteve të të infektuarve për të frenuar përhapjen e Covid-19.

Në Singapor, qeveria nxori një aplikacion të quajtur “TraceTogether”. Ai përdor sinjale Bluetooth midis celularëve për të parë nëse të infektuarit kanë qenë në kontakt të ngushtë me njerëzit e tjerë.

Në Hong Kong, disa banorë u detyruan të vinin një byzylyk, i cili lidhej me një aplikacion që të paralajmëron autoritetet nëse një person dilte nga karantinë.

Në Korenë e Jugut, qeveria përdori të dhëna të tilla si transaksionet e kartave të kreditit, GPS-in në smartphone, kamerat e sigurisë si dhe biseda me njerëzit, për të krijuar një sistem ku u gjurmuan rastet e konfirmuara. Kjo bëri të mundur krijimin e një hartë që mund t’u tregonte njerëzve nëse kishin rënë në kontakt me një të infektuar.

Në disa pjesë të Indisë njerëzve po u vihen vula në duar, duke u thënë atyre se sa kohë duhej të karantinohen. Nëse ata shihen në publik, shoqërohen menjëherë brenda nga autoritetet.

Në SHBA, qeveria ka bashkëpunuar e Facebook, Google dhe kompani të tjera të teknologjisë për gjurmimin e vendndodhjes së të infektuarve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?