Rreth 120 mijë euro ose 14 774 306 lekë i ka kushtuar buxhetit të shtetit dietat e 127 deputetëve gjatë muajit shkurt në bazë të ligjit, ndërsa 13 të tjerë kanë hequr dorë nga ata duke mos pranuar përfitimet.
Tarifën më të lartë prej 40 mijë euro e zë karburanti, ku asnjë nga deputetët nuk e ka refuzuar. Deputetët që kanë përfituar pagesën maksimale prej 40 mijë lekësh janë ata që përfaqësojnë edhe qarqet më të largëta si ata të Shkodrës, Vlorës dhe Korçës.
Ndërsa dietat e deputetëve kapin shifrën prej 50 mijë euro ose 6 272 177 lekë vetëm për 117 ligjvënësit. Pjesë e përfitimit të dietave janë edhe ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, apo kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ku vetëm për shkurtin kanë marrë shifrën prej 75 250 lekë, ndërsa Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka përfituar në muajin shkurt 54 895 lekë dieta.
20 mijë euro të tjera shpenzime janë për tarifat e telefonit të 124 deputeteve, ku pagesat për këtë përfitim janë të ndarë në dy shifra, 20 mijë lekë në muaj dhe 17 mijë lekë në muaj.
Në fund vijnë edhe pagesa e qirave për deputetët, të cilët përfaqësojnë zona të largëta. Janë 17 deputetë që gjatë muajit shkurt për qiranë kanë marrë nga buxheti 585 666 lekë.
Por ka edhe deputetë të cilët kanë refuzuar dietat duke i kursyer buxhetit të shtetit. Disa prej tyre janë kreun i grupit parlamentar Taulant Balla, kryetaren e Komisionit të Ligjeve Klotilda Bushka, dy ish-ministrat e Drejtësisë Fatmir Xhafaj dhe Etilda Gjonaj, ish-ministrin dhe sekretarin e Përgjithshëm të partisë Damian Gjiknuri, deputeti i qarkut të Vlorës Bujar Leskaj, ish-kreu i grupit të PD-së dhe deputeti i Tiranës Alfred Rushaj, ish-kryetarja e Forumit të Gruas, Albana Vokshi dhe deputeti i qarkut të Durrësit, Oerd Bylykbashi.
Ish-kryeministri Sali Berisha ka kërkuar tërheqjen nga llogaria e tij të dietave të derdhura nga Kuvendi për muajin shkurt. Në Facebook, ai shkruan se kishte mësuar nga mediat se kishte përfituar shumën prej 75 mijë e 250 lekë dieta, duke i kërkuar parlamentit të tërheqë shumën.
“Sot nga mediat mësova se në llogarinë time bankare parlamenti ka derdhur për muajin shkurt dieta për mua si dhe për 93 deputetë të tjerë shumën prej 75 mijë e 250 lekë dieta. I kërkoj parlamentit t’i tërheq ato nga llogaria ime bankare ku i ka derdhur. Unë jam deputet i Qarkut të Tiranës dhe si i tillë nuk do pranoj asnjë dietë deri në fund te mandatit. Lëvizjet e mia jashtë Qarkut të Tiranës do t’i përballoj me të ardhurat e mia”, shkruan ai.
Nga ana tjetër, Kuvendi ka sqaruar se Berisha nuk përfiton asnjë dietë dhe se emri i tij në kolonën 'dieta' është një lapsus në publikimin online.
"Në lidhje me deklaratat e deputetit Sali Berisha, Kuvendi i Shqipërisë bën me dije se në llogarinë bankare të deputetit Sali Berisha, për muajin shkurt është depozituar shuma totale e muajit ku nuk janë përfshirë dietat. Në kolonën dieta është një lapsus në publikimin online, pasi siç mund të verifikohet nga kjo faqe, totali i shumës së derdhur në llogari të deputetit nuk përmban dietat", njofton Kuvendi.