Nga gjobat për bizneset në plazhe, kartat ID pa afat, te rrëzimi i dekretit të Metës dhe emërimi i kreut të ri të Prokurimeve/ Lista çfarë u votua sot në Kuvend

9 Korrik 2020, 15:38| Përditesimi: 9 Korrik 2020, 17:08

  • Share

TIRANE-Me 94 vota pro Jonaid Myzyri është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë në postin e kryetarit të Komisionit të Prokurimit Publik në vendin e Evis Shurdhës që dha dorëheqjen. Në seancën e sotme Kuvendi i Shqipërisë ka votuar disa projektligje të rëndësishme. Kuvendi rrëzoi sot një tjetër dekret të presidentit, për tregjet e kapitalit.

Deputetët miratuan aktin normativ për masat e sigurisë anti-Covid në plazhe, ku parashikohet 700 mijë lekë gjobë për bizneset që shkelin protokollin sanitar dhe në rast përsëritje do të shkohet në mbyllje të veprimtarisë.  "Akti parashikon penalizimin e subjekteve që ushtrojnë veprimtari turistike në stacionet e plazhit dhe që nuk respektojnë rregullat dhe protokollet e sigurisë, te nxjerra nga organet kompetente, me dënimin me gjobë 700 000 mijë lekë dhe në rast përsëritjeje, iu shtohet edhe mbyllja e veprimtarisë nga inspektoratet përgjegjëse".

Gjithashtu Kuvendi në situatën e krijuar për qytetarët që nuk kanë mundësi për marrjen e shërbimeve, ku kërkohet paraqitja e një letërnjoftimi të vlefshëm miratoi propozimin që afati i vlefshmërisë të zgjatet deri në përfundimin e gjendjes se epidemisë. Po ashtu Kuvendi miratoi projektligjin që që afati për dokumentin e letërnjoftimit për personat e moshës mbi 75 vjeç të jetë pa afat vlefshmërie, pra për aq kohë sa janë në jetë.

Një tjetër projektligj i miratuar ishte ai për sektorin e turizmit, që sqaron se operatorët turistikë do të duhet të rimbursojnë turistët brenda një viti ose t’u kthejnë shumën mbrapsht. "Qëllimi i këtij projekt- akti, është mbrojtja e konsumatorit, që kanë prenotuar dhe paguar nëpërmjet operatorëve turistikë.

Pagesat do të jenë detyrim i kompanive, të realizohen brenda të njëjtës kosto. Dhe nëse operatorët nuk e kryejnë këtë, atëherë kthehen paratë. Vendoset një raport i qartë ligjor me këtë vendimmarrje mes konsumatorit dhe operatorëve turistikë. Konsumatorët do të donin të kalonin ditët e pushimit kur kishin prenotuar, por është e pamundur prej pandemisë" tha ministri Klosi. Për shkak të pandemisë Kuvendi vendosi që të shtynte afatin për aplikimin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme deri në datën 31 dhjetor 2020.

Rendi i ditës që u miratua në seancën e sotme plenare
Miratohet me 85 vota pro raporti i veprimtarisë vjetore të Avokatit të Popullit për vitin 2019

Miratohet me 81 vota pro raporti i veprimtarisë vjetore të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2019

Miratohet me 80 vota pro raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik për vitin 2019.

Miratohet me 86 vota pro akti normativ nr. 24, datë 27.05.2020, “Për një shtesë në aktin normativ nr. 3, datë 15.03.2020, të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, të ndryshuar”

Miratohet me 91 vota pro akti normativ nr. 25, datë 10.06.2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002, “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar”.

Miratohet me 86 vota pro akti normativ nr. 26, datë 10.06.2020, “Për marrjen e masave të përkohshme për mbështetjen e sektorit të turizmit”.

Miratohet me 95 vota pro projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8952, datë 10.10.2002 “Për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë” të ndryshuar””. (Neni 78 i Kushtetutës dhe nenet 55 dhe 73-77 të Rregullores, shumicë e thjeshtë votash.

Miratohet me 82 vota pro projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.

Miratohet me 86 vota pro projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 90/2019 “Për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme”.

Rrëzohet me 84 vota dekret i Presidentit të Republikës nr. 11.510, datë 15.06.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 62/2020, “Për tregjet e kapitalit”.

Miratohet me 83 vota pro projektvendimi “Për strukturën, organikën dhe nivelin e pagave për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë.

Miratohet me 84 vota pro projektvendimi “Për deklarimin e përfundimit të veprimtarisë së Komisionit të Pavarur të Koordinimit, Monitorimit dhe Ndjekjes së Zbatimit të ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Miratohet me 97 vota pro Projektvendim “Për një shtesë në vendimin nr. 100/2017 “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme” të ndryshuar”.

Me 94 vota pro Jonaid Myzyri zgjidhet kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?