Nga katër dukuri të rralla, Ministria dorëzon vetëm dy dosje këtë vit në UNESCO, “Dijebërjen e xhubletës”dhe “Kcimin e Tropojës”

5 Mars 2021, 17:00| Përditesimi: 5 Mars 2021, 18:45

  • Share

Nga katër dukuri të rralla shqiptare, që ishin zgjedhur për të qenë pjesë e garës, si “Kryevepra të trashëgimisë shpirtërore të njerëzimit në UNESCO”, vetëm dosjet e dy prej tyre do të dorëzohen pas datës 22 mars të këtij viti. Ato janë dosja e “Kcimit të Tropojës” edhe e “Xhubletës si dijebërje artizanale”.

“Ne jemi duke parë të gjitha mundësitë që të shkojmë përse jo në të gjitha listat, pasi jemi ndër të paktat vende që kemi këto boshllëqe. Në këtë kuptim, kemi vendos që të dorëzojmë sivjet “Kcimin e Tropojës” dhe “Dijebërjen e xhubletës””, shprehet zv.ministrja e Kulturës, Meri Kumbe.

Ndonëse, një nga kriteret e UNESCO-S është që dukuria që propozohet të jetë ende pjesë e gjallë e komunitetit, Kumbe sqaron se për këtë arsye xhubleta do  të propozohet si dukuri në rrezik

 “Ajo që është e rëndësishme në këtë proces është përfshirja e komunitetit, është kryefjalë në konventën e 2003-it dhe në të gjitha procedurat e UNESCO-s. Vallja e Tropojës është shumë aktive, madje edhe emigruar, duke u përdor në raste festive. Lidhur me xhubletën kemi një fenomen më delikat, për shkak të rëndesës së veshjes, përdorimi i saj që në kohët moderne është tkurrur. Prandaj,  kjo ka qenë arsye që vet anëtarët e komunitetit edhe grupi i punës që po bëjnë dosjen janë të mendimit që t’i drejtohemi listës së dukurive në rrezik”, përfundon Kumbe.

Ndërsa, dosjet e “Rituali i lashtë i shtegëtimit të bagëtive”  dhe “Eposi i Kreshnikëve i kënduar dhe shoqëruar me lahutë”, do të dorëzohen gjatë vitit 2022, për shkak se po përpilohen në bashkëpunim me disa shtete të tjera të Ballkanit

Ndërkohë, apelit të akademikëve dhe studiuesve Françesko Altimari edhe Matteo Mandala që Shqipëria të mbështetë dosjen “Moti i madh”, që ka si qëllim ruajtjen e traditave kulture edhe gjuhësore të arbëreshëve në UNESCO, Ministria e Kulturës i është përgjigjur pozitivisht.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni punën e Gjykatave e Prokurorive në qarqe?