Nga ‘Këngët e Rinisë’ në Sanremo me Anna Oxa-n, rrëfehet Gramoz Burba, artisti që i fali zërin polifonisë: ‘Shqipëria ime’ në skenë, 4 dekada me Ansamblin

17 Shkurt 2023, 21:42| Përditesimi: 18 Shkurt 2023, 12:44

  • Share

Mbrëmjen e së enjtes skena e “Operas” merr ngjyrat e folkut vendas… Koncerti koral “Shqipëria ime” rrugëton përmes këngëve, muzikës që buron nga instrumentet tipike, e kostumeve, në mbarë Shqiptarinë…. Këngë burimore e korale të përpunuara, të përcjella nga dy breza rrëfejnë mbi identitetin tonë kulturor…

"Titullin “Shqipëria ime” e zgjodha së pari sepse  kjo është një trup tërësisht shqiptare dhe shtrirja e repertorit të saj është mbarëshqiptare. Këtu këndohet polifonia labe, këngë tipike e çiftelia jonë,  këngët e bukura të zonës së Shkodrës, të Korçës, të Shqipërisë së Mesme e më gjerë. Kështu që është vet Shqipëria në këtë program”, thotë artisti i Ansamblit e ideatori i recitalit, Gramoz Burba.

Prej kohësh artistit Gramoz Burba, i vërtitej ndër mendime, ideja për të zgjuar atdhedashurinë, shijen e mirë të vlerave të tabanit, përmes ‘ajkës’ së këngëve të traditës në një recital të tillë… Ndoshta si një akt final artistik, para se të tërhiqej nga jeta skenike… Por Teatri i ka besuar eksperiencës së tij, dhe e ka ftuar që të kontriubojë për të rimëkëmbur Ansamblin, e të përçojë tek brezi i ri përkushtimin e pasionin me të cilin ai vetë punoi për mbi 40 vjet në të…

“Idenë e mbajtjes së këij koncerti recitali e kam pasë në mendje prej më shumë se dy vitesh, për shkak dhe të afrimit të moshës sime në pension. Mendoja që ta mbyllja me një koncert të tillë. Duke qenë se unë kam rreth 40 vite eksperiencë pune në këtë spektakël, pretendimet e mia ishin që të jepja më të mirën e eksperiencës sime, të asaj që kam pas bërë gjatë bashkëpunimeve të mia dhe për shkak të njohjes që kam per repertorin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore”, tregon ai.

Me në krahë drejtuesin e Orkestrës së Ansamblit Alban Tahirin e dirigjentin Vladimir Hasimi, Ansambli në skenë, sjell trimninë si virtyt të shqiptarit me këngën e  “Hajrendin Pashës” apo “Për k’to trojet tona”. Udhëton në gojëdhëna me “Legjendën e qyqes”, këndon potpuri nga Kosova, Shqipëria dhe këngë arbëreshe, e padyshim më gjatë për dashurinë… në dhimbjen e “Vajzës së valave”, në hijeshinë e ‘Kaçurrelave të saj’, në mendimet e një bandilli trim, që i dorëzohet kësaj ndjenje…

“Kjo është një trup e themeluar rreth 65 vite më parë dhe natyrisht që në repertor numëron dhjetëra e mijëra shfaqje, koncerte dhe premiera të ndryshme. Natyrisht që Ansambli mbetet krenaria e kulturës e trupës artistike shqiptare, kjo për shkak të kualitetit të gjatë, por dhe për atë që përfaqëson ajo. Është një trup që flet dhe këndon shqip. Është një trup që lëvron këngën popullore shqiptare burimore, të cilën e merr dhe e përpunon dhe e sjell në një nivel më profesional tek publiku. Nisur nga kjo ne kemi një bagazh në repertorin e këtij Ansambli mjaft të pasur, të cilën unë e dëshiroja që me ardhjen e elementit të ri, pasi koha bën të vetën dhe ciklet janë të gjithë njësoj… Doja t’ua trashëgoja dhe këtyre artistëve të rinj, që janë me mjaft talentë, por gjithsesi duhet të njihen me specifikat që ka trupa jonë”, thotë Burba.

Si vetë karriera e Gramoz Burbës, edhe repertori i këtij recitali shtrihet në dy kohë. Nga brezi i tretë, në Ansambël, mbeten gjurmët e krijimtarisë e kontributit të tyre, të cilat artisti shpreson të çohen përpara nga më të rinjtë…

“Këtu 50 për qind janë të rinj. Të ardhur sefte, pjesa tjetër është brezi i ndërmjetëm, por janë shumë pak. Nga brezi i vjetër, paraardhësit tanë nuk kanë mbetur më, por ka mbetur prezente krijimtaria e tyre, të cilën përpiqem ta trashëgoj. Kështu që dhe ata janë pjesë e këtij repertori dhe kësaj trupe.

Përsa i përket repertorit, mbeten kryesosht këngët e vjetra ato që këndohen më tepër, po ka dhe rifreskim. Unë e kam ndarë këtë koncert në dy etapa të Ansamblit. Ajo çka është bërë para viteve '90 dhe krijimtaria e më pasme”, shprehet artisti.

Ishte ëndërr para ’90-ës për të rinjtë, që të bëheshin pjesë e Ansamblit. Shkaqet janë të shumta, e lidhen veçmas me prestigjin që kishte vetë Ansambli dhe vlerësimin që u bëhej artistëve që ishin pjesë e tij.

“Natyrisht që para viteve '90, i është bërë një një jehonë e madhe, për shkak të asaj ç’ka përfaqsonte Ansambli merrte një rëndësi të veçantë si trup dhe sukseset e atëhershme natyrisht që dihen, sikundër është Gjerdani i Artë në Dijon, Francë, 1970. Sukseset në turnet në Itali e Gjermani, kudo që kanë shkelur”, tregon më tej.

Gramoz Burba e kujton atmosferën që gjeti 4 dekada më parë kur u bë pjesë e tij, e portretet e njohura të këngëtarëve që gjeti aty, mes të cilëve edhe Vaçe e Hysni Zela.

“Unë e kam arritur Vaçe Zelën, por në kohën që ajo ka qenë këtu unë isha në Korin e Ansamblit të TKOB. Ajo doli në pension në një moshë të re, një pension i parakohshëm për të, por kam gjetur Hysni Zelën, Irini Qirjakon, Valdete Hoxhën etj., emra të njohur të skenës shqiptare në atë kohë. Nga Hysni Zela kam marrë shumë, sepse ishte një artist me permasa të mëdha, njeri që jetonte me pasion per këngën. Në këtë kolektiv është punuar shumë fort, falë dhe drejtuesit që ka qenë një njeri konseguent në punën e tij, siç ishte drejtuesi i korit, i ndjeri Xhemal Laçi. Unë u kam qendruar pranë këtyre artistëve për të mësuar më të mirën prej tyre”, rrëfen ai.

Talentet që kishin zë të përshtatshëm për këngët popullore pikaseshin asokohe që në vegjëli, kështu ka ndodhur dhe me Gramoz Burbën.

“Që në moshën 10-vjeçare e kam nis me këngët polifonike, "E ndjera Meropi Gjebrea, që na jepte muzikë në klasë të katërt kishte aftësinë për të krijuar grupet artistike me fëmijët. Dhe që në atë kohë na pikasi dhe bëmë një grup polifonik mjaft interesant, që jepnim shfaqje në shkolla të ndryshme apo qendra industriale. Unë me atë e kam filluar dhe kur erdha këtu gjeja veten, se më flinte brenda shpirtit tim kënga polifonike”, thotë artisti.

Rrugëtimi i tij ka nisur me këngën polifonike, e ndonëse arriti sukses edhe me pjesë të lehta si “Këngët e rinisë” apo “Tre vëllezërit” që këndoi me Françesk Radin e Robert Aliajn, ai zgjodhi që historia e tij në skenë të ishte i lidhur me zhvillimin e Anasamblit.

“Si çdo i ri që ka dëshirat, ëndrrat dhe shijet e veta dhe ne preferonim në atë kohë muzikën e lehtë. Atë që quhej muzikë e ndaluar dhe e dëgjonim fshehurazi… deri këtu, se më shumë nuk të lejonte njeri. Pastaj për të marrë pjesë dhe për të qenë pjesë e një trupe profesioniste ishte një kapitull tjetër që kërkonte mund e djersë, jo si muzika "komerçiale". Që të konkurroje dhe të hyje në një trup profesioniste në TKOB apo Ansambël ishte mjaft e vështirë, sepse kriteret ishin mjaft të rrepta. Duhej mjaft punë, por nëse fitoje ishte një gjë shumë të madhe, sepse ti futeshe në rangun e këngëtarëve dhe artistëve profesionist. Mendoj se në këtë teatër gjërat kanë funksionuar shumë shumë mirë në ate kohë, pavarësisht se ti mund të kaloje punë, fitoje testin, por nuk mund të futeshe sërisht në trup, që nga dita e parë. Duhet të bëje trajnime, të mësoje se çfarë përfaqëson, çfarë luan kjo trup. Pra është dashur mund dhe djersë shumë. Do të dëgjoje, pasi kalimi nga muzika burimore që e merrnim ne, në atë kohë nga Festivalet e Gjirokastrës e të tjera të këtij lloj, nuk mund ta sillje bruto para çdo shqiptari. Por, duhet ta përpunoje në një stad më të lartë dhe me të tjera ngjyrime, ngjyrë vokali etj. Ishte një punë shumë shumë e lodhshme, por që kishte sukses”, shprehet ai.

Janë me dhjetëra turnetë që Gramoz Burba ka bërë bashkë me vokalistë të Ansamblit brenda e jashtë vendit. Para e pas ’90-ës. Është kujdesur bashkë me kolegë të tjerë që të promovojë edhe isopolifoninë tonë, e në këto ndalesa kujtimet siç thotë janë mbresëlënëse…

“Veçoj koncertet në vitet ‘80 në Itali, në sheshin “Duomo”, një koncert me një pjesëmarrje shumë të madhe të publikut, por qoftë dhe diskutimet që janë bërë sa i përket folkut shqiptar. Janë bërë në ambiente të hapura dhe kanë qenë mjaft interesante dhe të sukseshme sa i përket asaj që përfaqson folku shqiptar. Mendoj se ka qenë një nga arritjet e mëdha. Por, gjithashtu, po prapë në fillim të viteve '90, koncertet në ShBA, Kanada e Australi kanë qenë koncerte mjaft të mira”, rrëfen artisti.

Ende në atmosferën e edicionit të 73 të Sanremos, artisti kujton kur ndanë atë skenë me Anna Oxën në vitin 2006. Këngëtaren e përshkruan si “tërësisht shqiptare” në pritjen e ngrohtë që u ka bërë, por edhe për sensibilitetin që ka treguar lidhur me çështjet kombëtare…

“Për ne  që e kemi ndjekur çelentanon, Morandin etj., Sanremo ka qenë një ëndërr, pasi njerëzit kanë sakrifikuar dhe jetën për atë Festival, për shkak të censurës që ekzistonte. Pjesëmarrja aty ka qenë shumë e madhe, kontaktet me artistë që I kishe parë në televizor apo salla. Ne shoqëruam një këngë të Anna Oxa-s, kemi qenë një grup, një formacion me Bardhyl Xhafka, Armaldo Kllogjeri, artist nga Kosova etj. Atmosfera ishte e bukur, qyteti "ziente", ishte festë!”, tregon ai.

Eksperiencat artistike që mban mbi supe do të kërkonin faqe të tëra për t’u rrëfyer, ndërsa në shpirt ushqen ëndrrën që historia e Ansamblit të mos zbehet… Edhe sot, artisti rrëfen se gjen mes radhëve të të rinjve, të talentuar, që punojnë të përkushtuar, për një përfaqësim dinjitoz të Ansamblit brenda e jashtë vendit.

“I shikoj se kanë shumë pasion dhe dëshirë për të dhënë kontribut këtu, kam rastet e djemve që këndojnë polifonin në mënyrë të shkëlqyer Rajmond Kllogjeri, Miraka etj., që nuk janë lebër, por pasioni dhe dëshira e tyre e kanë bërë të mundur që të përfaqsohen me dinjitet. Ata edhe kërkohen shumë”, shprehet Burba.

Por e pranon Gramoz Burba, se shkëlqim i Ansamblit, nuk është ai i dikurshmi, e me dhimbje rendit shkaqet.

“Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore së pari i mungon organika. Vitet e tranzicionit kanë bërë dëm jashtëzakonisht të madh,  pasi këtu janë çekuilibruar repartet që është shumë vështirë të funksionojnë. Tani punojmë me borxhe, marrim njerëz shtesë etj,. për të realizuar qoftë dhe një material të thjesht.  Së dyti është krijimtaria,  sepse dyndjet demografike kanë bërë të ikin shumë elementë, rapsod, që kanë qenë nëpër fshatra. Plus dhe hapja e tregut në muzikë, futja e rrymave alternative etj,. që e shëmtojnë dhe i heqin etnicitetin. Kjo është një zallamahi që nuk dihet se kur e ka fundin, dhe se kur do të përfundojë. Ne kemi me çfarë të krenohemi. Ne që jemi pjesë e këtij Ansambli, e shikojmë se çfarë interesi kanë të huajt për folkun e pastër shqiptar dhe çfarë vlerësimi kanë. Prandaj, unë e them me dhimbje që sot është shumë vështirë që t'i rezistojmë këtij cunami muzikor. Unë e shikoj shumë të vështirë!”, rrëfen artisti.

Në rropatjet edhe personale, për ta rimëkëmbur sadopak, rrëfen se duhet më shumë mbështetje, që këto vlera kulturore, që flasin për këngën, muzikën, vallen e kostumet tona… të vihen në pah e të mos lihen të humbasin. Ndonëse personalisht, ndihet i përmbushur si artist, meraku i tij mbetet fati i Ansamblit…

“Nuk kam pengje nga ana personale. Sa i perket Ansamblit, jam me dëshirën që ta shikoj në çdo shfaqje që të ketë suksesin e vet, por edhe të ruaj dhe figurën e vet, të mos bjerë pre e këtij niveli muzikor, këtë synoj për momentin. Nëse do të ketë dashamirësinë dikush që t'i shikojë me prioritet këto punë, qoftë këtu apo me TKOB, se ka mungesë personeli do të ndihesha shumë i gëzuar, sepse është një trup që nuk krijohet lehtas”, përfundon artisti Gramoz Burba.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?