Lloyd George, Viktor Emmanuel Orlando, Georges Clemenceau dhe Woodrow Wilson

Nga Konferenca e Paqes, ku u ndalua copëtimi i Shqipërisë

19 Janar 2019, 07:31| Përditesimi: 19 Janar 2019, 07:46

  • Share

Paris, 18 janar 1919

Data e sipërshënuar shënon për fatet e kombit shqiptar një moment historik. 100 vjet më parë lëmshi i çështjeve të paqëndrueshme për çështjen e kombit shqiptar ishte tragjik.

Më 1913, ambasadorët në Londër i dhanë një zgjidhje të palogjikshme çështjes së kombit shqiptar, duke kënaqur nën kërcënimin e ambasadorit rus, përfaqësues i shtetit euroaziatik (që njihej në qarqet politike europiane me emërtimin "Xhandar Ndërkombëtar"), pretendimet e fqinjëve lakmitarë të së njëjtës bashkësi sllave e ortodokse, shkëputën nga trupi krahinën e Kosovës.

Gjatë luftës Europa shkoi edhe më tej: bëri një plan për coptimin e të gjithë Shqipërisë, duke ua ndarë atë fqinjve grekë, italianë, serbë e malazezë. Kështu, Shqipëria e copëtuar u ndodh në fund të Luftës së Parë Botërore para rrezikut të shpërbërjes përfundimtare. Traktati i fshehtë i Londrës, ndërmjet Antantës dhe Italisë më 26 prill 1915, parashikonte ndarjen e tokave shqiptare mes Italisë, Greqisë e Serbo-Malazezëve.

Një tjetër marrëveshje e fshehtë ekzistonte ndërmjet Italisë e Greqisë: sipas saj, Roma do të mbështeste kërkesën greke për aneksimin e Korçës e Gjirokastrës; Greqia do mbështeste kërkesën e Italisë për aneksimin e Vlorës. Në këto rrethana, atdhetarët shqiptarë, kudo ku ndodheshin, ndërmorën një lëvizje të ethshme në mbrojtje të trojeve shqiptare e të drejtave të kombit. Ishte Ismail Qemali ndër të parët, që në një moment kaq kritik, u ngrit e mori rrugën për të qenë aktiv pranë aksionit kombëtar.

Kryeministri italian, Orlando, e kishte njoftuar Ismail Qemalin se e priste për të biseduar për Konferencën e Paqes në Paris. Delegacioni i tij kishte rënë dakord që do të bashkohej me delegacionin e kolonive shqiptare që vinin nga Amerika. Sa zbriti në Peruxhia, Ismail Qemali u njoftua se Orlando nuk e priste. Ai ishte nisur për në Paris. Ishte lënë porosi që delegacioni shqiptar të priste në Itali derisa Orlando të kthehej nga konferenca. U kuptua se flitej për një izolim të qëllimshëm. Me thirrjen e egërsuar "...më hëngrën në besë", më 23 janar 1919, pasi kishte pirë një kafe të shërbyer nga personeli i hotelit, Ismail Qemali u nis drejt konferencës së shtypit, ku nuk arriti të shqiptojë asgjë. Vdiq më 24 janar. Të afërmit thonë: "Vdiq i helmuar!"

Në këto kohë anarkie, atdhetarët shqiptarë u mblodhën më 25 janar në Durrës, nga ku doli një qeveri, pa mundur të shmangë ndikimin italian. Qeveria e Durrësit emëroi një delegacion për Konferencën e Paqes në Paris. Të tjera delegacione shqiptare kishin mbërritur në Paris. Mihal Grameno rendit gjashtë, ndërsa Mehdi Frashëri përmend katër dërgata: një delegacion nga Stambolli, një i Esad Pashës, një i kolonisë shqiptare të Rumanisë.

Por, mbi të gjitha këto të ashtuquajtura delegacione, ku u bënë shumë përpjekje për të bashkuar qëndrimet, spikaste delegacioni i kolonisë shqiptare që do të vinte nga Amerika e që fati nuk e desh të bashkohej me delegacionin e Ismail Qemalit, siç ishte rënë dakord.

Në ato ditë aq vendimtare për mbijetesën e Shqipërisë, ishte peshkopi Noli ai që lëshoi apelin poetik "Jepni për nënën", ku secila nga shtatë strofat mbyllej me fjalët e pavdekshme "Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë". Fan Noli, përfaqësues i federatës panshqiptare "Vatra", i rrethuar nga një aradhë intelektualësh shqiptarë si: Mehmet Konica, Kristo Dako, Mihal Grameno, Kostandin Çekrezi, Parashqevi Qiriazi, Sevasti Dako dhe organet "Dielli" e "Ylli i Mëngjesit", u shfaq në jetën e ambientet e politikës amerikane tërë forcë, gjallëri. U arrit të ndërtohen marrëdhënie me Presidentin Uillson e anëtarët e delegacionit amerikan.

Fan Noli ishte takuar më 4 korrik 1918, në jahtin presidencial "Mayflower", me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i cili i kishte thënë Nolit se "...unë do kem vetëm një zë në Konferencën e Paqes në Paris dhe atë zë do ta përdor në emër të shqiptarëve".
 Ishte qëndrimi i Presidentit Amerikan ai që shpëtoi Shqipërinë, rrjedhë edhe e luftës e përpjekjeve që intelektualët shqiptarë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës bënë për mbrojtjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe formimin e shtetit shqiptar. Influenca e "Vatrës", me 72 degë në SHBA, Kanada e lidhjet e qëndrueshme me mbrojtësit e çështjes shqiptare në Angli, Aubrey Herbert dhe Edith Durham, i bënë ballë me dinjitet lukunisë greke, italiane e sllave. Ishte influenca e "Vatrës" mbi delegacionin amerikan që përcaktoi qëndrimin e qeverisë së SHBA-ve për këtë çështje.

"Presidenti Uillson bëri më shumë se askush për pavarësinë e Shqipërisë; Uillsoni refuzoi kategorikisht të nënshkruante marrëveshjen, derisa u sigurua në të drejtën vetëqeverisëse të shqiptarëve", u shpreh Noli pas Konferencës së Paqes. Jo vetëm nuk pranoi të nënshkruante marrëveshjen e copëtimit të Shqipërisë, por qëndrimi i prerë i Presidentit Uillson u pasua nga dy nota, "...më të ndritshmet e karrierës së tij, nota që ndaluan copëtimin e Shqipërisë", thotë Noli. "Vatra" mbajti pandërprerë një delegacion në Paris. Një nga armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve në atë kohë, kryeministri i atëhershëm grek, Venizellos, u detyrua të pohonte se "...Vatra ma hoqi nga dora Vorio-Epirin".

Por historia nuk mbyllet këtu! Në janar të vitit 1920, Franca me Anglinë kishin rënë dakord që të zbatohej traktati i fshehtë i Londrës. Nga kjo marrëveshje, trupat italiane prej 150 mijë ushtarësh nuk po largoheshin nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra e Durrësi, pavarësisht vendimeve të Konferencës së Paqes në Paris. Por në Shqipëri shumë gjëra kishin ndryshuar pozitivisht.

Rreziku që ndjehej ngado kishte bërë që vetëdija kombëtare të ishte forcuar. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës dhe e vendosur në Tiranë, pak ditë pasi Avni Rustemi vrau në Paris Esad pashë Toptanin, ndërmori së bashku me popullin e pothuaj gjithë krahinave, një nga betejat luftarake më madhështore që ka kryer ndonjëherë, atë që në histori ka hyrë me emrin “Lufta e Vlorës”. Plot 99 vjet më parë, më 3 shtator 1920, trupat e fundit ushtarake italiane u larguan nga Vlora. Tre muaj më vonë, më 17 dhjetor 1920, Shqipëria do të bëhej anëtarja e 43-të e Lidhjes së Kombeve. Shqipëria shpëtoi dhe shpëtimi i erdhi vetëm nga SHBA-ja e presidenti i saj, Willson. Do ishte po kjo shtyllë demokracie dhe presidenti i saj, Klinton, që do t’i jepte lirinë edhe shqiptarve të Kosovës.

Zgjatja e pakuptimtë në vite e zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës ishte oksigjen për Serbinë. Filloi të flitej gjithnjë e më shumë për "ndryshimet demokratike në Serbi" dhe gjithnjë e më pak për barbarinë serbe në Kosovë. Ashtu si në vitin 1919, edhe tani është kolosi i demokracisë në botë, që mbron një popull e një kombësi nga synimet imperialiste e koloniale të sllavëve. Europa, që pa dhe preku gjenocidin e pashembullt, të ushtruar me hekur e zjarr nga Serbia ndaj shqiptarëve, në vitet ‘90, që arriti në përmasa shokuese për botën në 1999-ën, nuk ishte e aftë dhe e efektshëme në parandalimin e luftës e krimeve serbe për sundim në Ballkan, tani në një farë mënyre u del përkrah. Kanë mbi një muaj që nuk rreshtin emisarët e saj për ta detyruar Haredinaj të heqë masën e taksimit të mallrave serbe. Rusia nuk i heq duart nga ngatërresat e saj në Ballkan dhe dhurata e qenit të Sharrit në oborrin e Putinit përpos se do u ndjell ligësinë ndaj popujve jo sllavë, jo ortodoksë.  

Shqiptarë, mos prisni që Federata Ruse dhe Serbia të jenë prekur nga krimet që kanë bërë. Tani serbët e vëllai i madh rus, kërcëllojnë dhëmbët. Në këto rrethana, kur fantazma e Rusisë cariste endet mbi hapësirat e populluara nga shqiptarët, duhet të jemi më se të bashkuar në qëndrimet tona. Në Konferencën e Paqes më 1919 në Paris, delegacioni panshqiptar, duke parë rrezikun e msdh ku ndodhej atdheu, kërkoi një mandat të SHBA-ve mbi Shqipërinë. Në këto momente Kosovës si mbetet veçse mbështetja fortë mbi kombin e vet dhe SHBA-në.

Komento

Komente

  • Matias: 22/11/2021 14:05

    kush ishin delegacionet kryesore te shqipetareve?

    Përgjigju
  • xreport: 21/01/2019 10:40

    me shume artikuj si ky ju lutem, na duhet te dime vuajtjet e te kaluares qe ta kuptojme..... "Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë". Fan Noli, me beri te dalin pak lot

    Përgjigju
  • Eri: 20/01/2019 17:25

    Nuk e di pse fusni Italine ne nje qese me greko-sllavet. Amerika na mbeshteti per shkak se kete ja kerkuan italianet.

    Përgjigju
    • life: 20/01/2019 20:45

      @ERI ke Shum te drejt,vendosjen e kufijve shqiptar deri ne prevez matan janines e beri nje italian i zgjedhur per percaktimin e kufirit greko-shqiptar ne 1912.kjo urrejtje per italine ne kete periudh autori e ka marr gabimisht nga komunizmi i cili per te sunduar i beri te ter armiq.gjithashtu komunizmi mohoj dhe firmetaret e pavarsis si LEF NOSI;MITHAT FRASHERI;QEMAL KARAOSMANI.....

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?