Nga mesazhi i Kadaresë te fjala e ish-presidentit Moisiu, kujtohet në 'Opera' Holokausti e 'Besa e përjetshme' e shqiptarëve ndaj hebrenjve. Yehiel Hilik Bar: Mirënjohje!

26 Janar 2023, 22:40| Përditesimi: 27 Janar 2023, 15:41

  • Share

TIRANË- Nën sloganin "Besa e përjetshme", 'Israeli House Albania' mbajti sot në Teatrin e Operas dhe Baletit, një ceremoni përkujtimore për Holokaustin.  Si shenjë homazhi për 6 milonë burra, gra e fëmijë izraelitë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe mirënjohje për kontributin e shqiptarëve në mbrojtje të 3750 hebrenjve, mbrëmja nisi me himnet e dy vendeve... ndërsa në skenë qirinjtë e ndezur ishin për shpirtrat që u vranë tej çdo imagjinate njerëzore prej nazistëve.

Fjalimet e dhjetëra personaliteteve të të vendeve, u hapën me falënderimet ndaj shqiptarëve e përjetimin personal të presidentit të nderit të Israeli House Albania, Yehiel Hilik Bar, si nip i të mbijetuarve të gjenocidit nazist ndaj hebrenjëve, e stërnip i viktimave të kësaj lufte...

"Për mua nuk është asnjëherë e lehtë të flas për Holokaustin, sepse unë jam nip i një të mbijetuari të Holokaustit. Gjyshi im, ka qenë një partizan trim, një luftëtar kundër nazistëve, që arriti t'i mbijetojë Holokaustit, por prindërit e tij u vranë brutalisht nga nazistët bashkë me anëtarë të tjerë të familjeve të tyre. Ne sot flasim për 6 milionë hebrenj të vrarë, e madje shpesh thuhet se ata u vranë nga makinerai naziste, por në fakt nuk ishte makineria naziste ajo që vrau... vëllezërit e motrat tona, por ishin qeniet njerëzore që i vranë duke krijuar një kasaphanë. Një nga masakrat dhe gjenocideit më të mëdha që ka njohur historia. Dhe ne duhet të mos e harrojmë kurrë atë që ka ndodhur, ndaj jemi sot këtu, që kjo të mos harrohet. Që 2/3-tat e hebrenjve u vranë në këtë gjenocid. Mirëpoe dhe sot, edhe 8 dekada pas Holokaustit ka nga ata që duan ta mohojnë, por ne nuk do ta lejojmë këtë. Edhe sot ne shohim të shfaqen forma urrejtje ndaj hebrenjve apo myslimanëve, madje edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne duhet ta frenojmë këtë. Sepse lufta ndaj një feje, është luftë ndaj të gjitha feve, është luftë ndaj njerëzimit", u shpreh Yehiel Hilik Bar.

Më tej, ai vuri theksin mbi tolerancën dhe harmoninë fetare që ndiqet në Shqipëri.

"Dhe kjo është arsyeja pse unë jam krenar që jam president nderi i Shtëpisë që po hapim në Shqipëri, në këtë vend që ka tolerancë zero ndaj antisemitizmit, e që i ka mirëpritur dhe mbrojtur gjithmonë hebrenjtë që erdhën nga jashtë këtij vendi. Për fat të keq, gjyshi im nuk erdhi këtu në Shqipëri... Ne do të vazhdojmë gjithmonë t'i ruajmë këto raporte, sepse nuk do të harrojmë kurrë se si populli juaj na mirëpriti duke na ofruar një strehë të sigurt, mbrojtje nga nazistët. Ne nuk do të harrojmë kurrë se si Shqipëria ishte vendi që strehoi më shumë hebrenj, pas luftës sesa para saj. Dhe do të jemi mirënjohës që kombi juaj është angazhuar që tu mësoj brezit të ri se ç'ishte Holokausti. Falë asaj që ju keni bërë për ne, ne do jemi gjithmonë motra e vëllezër. Ndaj ne nesër do të mbajmë zi bashkë, do të qajmë bashkë, por mbi të gjitha s'do të harrojmë se çfarë ndodhi", shtoi ai më tej.

Anëtar Nderi i Bordit të projektit ‘Israeli House Albania’, ish-presidenti Alfred Moisiu, iu bashkua ceremonisë përkujtimore. Ai bëri thirrje që t'i mëshohet kujtesës e vlerave të humanizmit që e kaluara të mos përsëritet, duke sjellë në vëmendje sakrificën e shqiptarëve për të mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës, duke bërë çmos që të mos dorëzonte asnjë prej tyre, pavarësisht rrezikut. Një nga rastet që ish-presidenti përmendi ishte ai i Mihal Lekatarit. Në vitin 1942 në Kavajë, në moshë fare të re, ai u angazhua që të shpëtonte jetën e mbi 50 hebrenjëve.

"Për miq e shok shqiptari nuk është kursyer asnjëherë, ndaj edhe unë ngjit këto shkallë sot, edhe pse në këto ditë të zbehta nuk është e lehtë... Ne sot u mblodhëm në emër të kujtesës, në emër të viktimave të Holokaustit, e të besës që kombi im u dha hebrenjve... Kjo besë, do të mbetet e përjetshme, jo vetëm ndaj hebrenjve por të gjithë miqve tanë. Në këtë bord ne jemi një grup miqsh, ish-ambasadorë, pioner të paqes, biznesmen etj., nga dy kombet duke lënë dyert e hapura për këdo të bëhet pjesë. Ne shqiptarët dhe izraelitë jemi dy kombe që historikisht jemi luftuar padrejtësisht nga të tjerët. Kjo na jep të drejtën të themi se afrimi ynë historik, duhet të përforcohet edhe më shumë në kohën e sotme, që në fat të keq është mbarsur me fenomene e ngjarje që mund ta shkaktojnë një katastrofë dhe më të madhe se në të kaluarën", u shpreh ish presidenti Moisiu, duke shtuar, se tradita e mirëkuptimit dypalëshe, jo që nuk do shuhet në të ardhmen, por do të konsolidohet më shumë...

Fjalën në emër të kryeministrit Edi Rama, në nder të kësaj dite, e mbajti gjatë mbrëmjes së sotme, Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila gjatë ditës së sotme mbajti edhe në Kuvend një ligjëratë lidhur me këtë temë.

"Holokausti, shënon një nga periudhat më të errëta të historisë njerëzore. Kujtesa e Holokaustit është kthimi në vëmendje e asaj tragjedie të përmasave të jashtëzakonshme. Është mjeti më  i rëndësishëm për të kuptuar se çfarë ndodhi, për të shpjeguar se si ndodh, dhe mbi të gjitha për të mos lejuar përsëritjen", u shpreh Spiropali.

Mirëkuptimi mes dy vendeve, vjen sipas ministres edhe në sajë të ngjashmërive në histori, që e bëjnë Shqipërinë e Izraelin, viktimë të lakmive apo mizorive, që i kanë bërë pre të sulmeve.

"Besoj se pak popuj në botë, mund të kuptojnë më mirë, kalvarin e dhimbshëm që populli hebre ka kaluar në shekuj, më mirë se ne shqiptarët. Jemi pushtuar dhe kërcënuar me shfarosje, jemi sulmuar dhe jemi mbrojtur. Jemi dukur si të shuar, por kemi rilindur, sepse kemi besuar në të drejtën e jetës, në vëllazërinë e gjakut dhe të identitetit si njerëz, ka mbajtur gjallë mbijetesën dhe hartën tonë shpirtërore", tha ajo, duke vënë theksin tek fakti se asnjë shqiptar, pavarësisht rrethanave, qoftë i krishterë a mysliman, nuk dorëzuan asnjë hebre.

Si shenjë soliadrizimi dhe vijimësie të kësaj miqësie, por edhe për ti trashëguar këtë histori të rinjve, Spiropali ceku krijimin e dy muzeve për hebrenjtë në Berat e Vlorë, si dhe krijimin e Qendrës Kulturore Hebraike në Tiranë, por edhe miratimin në Parlament në 2020-ës, të rezolutës për miratimin e një përkufizimi kundër antisemitizmit.

"Në vitin 1999, kur një tjetër regjim fashist në Evropë, një tjetër Hitler i vogël, projektonte programin e dhembshëm për shqiptarët e Kosovës, nobelisti Elie Wiesel, një tjetër i mbijetuar i Holokaustit erdhi në Tiranë për të nxitur shpresën se një popull është më i fortë se çdo kërcënim nga vdekja. ", u shpreh Spiropali, duke rikujtuar kalvarin e shqiptarëve të Kosovës që u detyruan të largohen nga vendi, për t'u rikthyer sërish në 'vatrën'.. në 'Jerusalemin' e tyre.

Spiropali kujtoi në këtë rast edhe propozimin bërë Ministrisë së Arsimit për të përfshirë librin "Natë" të nobelistit në titujt e librave passhkollorë, si pjesë e programit antisemitik.

Mik me nobelistin Wiesel, të cilit i besoi në vitin 1989 edhe letrën e tij, ku i kërkonte presidentit amerikan George Bush, shpëtimin e Shqipërisë,e solidar me vuajtjet e popullit hebre, edhe shkrimtari Ismail Kadare dha përmes një video-je mesazhin e tij gjatë kësaj ceremonie.

"E kam takuar Wiesel dy herë, dhe u ndjeva i lumtur, që munda t’i jap një mesazh, në emër të shqiptarëve njeriut të shquar të Izraelit, në atë konferencë të madhe që u gjenda në Francë. Mbrojtja e një populli, bën pjesë gjithmonë në thesarin e njerëzimit. Nuk është rastësi që popujt i kujtojnë dhe nuk duan ti harrojnë këto, sepse njerëzimi ka prirjen ta dojë vendin e vetë. Jemi të pambrojtur nga sulmet e tmerrshme të harresës, prandaj kur popujt nuk harrojnë gjërat e mëdha që kanë kryer, pa ndonjë qëllim përfitimi të rastit, apo mburrjeje, kjo na gëzon shumë. Në historinë e njerëzimit gjërat e mëdha që përsëriten janë të rëndësishme. Ne kemi të drejtë morale që ta duam dhe të bërtasim me zë të lartë për këtë gjë, jo për të vënë të tjerët në pozitë poshtëruese por për të kujtuar të mirët që i kemi bashkë dhe që duhet po bashkërisht t'i mbrojmë... Unë kam shkruar pa e ditur këtë gjë, realisht në këtë kuptim të caktuar,  por mesa duket e kam përjetuar si miliona shqiptarë të tjerë, pa u vetëdijesuar për kuptimin e thellë e të përjetshëm të saj, që do të ma mësonte jeta gradualisht. Kombi shqiptar, kështu kanë qenë rrethanat e lindjes, ecjes së tij në histori... Do të ishte normale që të mos bëhej kjo, a të harrohej në histori, por kombi shqiptar e ka këtë meritë që ka kujtuar e vazhdon ta kujtojë dhe nuk e vë në diskutim asnjëherë këtë gjë... ", u shpreh Kadare.

Pjesë e mbrëmjes, që u shoqërua me elementë dokumentaresk, historik e muzikor u bënë edhe të tjera personalitete të dy vendeve, duke pasur në fokus mirënjohjen ndaj shqiptarëve, luftën kundër harresës, edhe në kuadër të Luftës në Ukrainë, dhe forcimin e miqësisë së përjetshme mes dy vendeve, edhe përmes ‘Israeli House Albania’.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?