Portreti shqiptar në 120 vite histori të pikturës shqiptare, vjen përmes një studimi të artistit e studiuesit Abaz Hado, të promovuar në Akademinë e Shkencave. I ndarë në periudha të ndryshme, autori krijon një qasje sa studimore aq edhe kritike e analitike, duke trajtuar fenomene të ndryshme të portretit, si karakteri etnik, psikologjik, modeli e piktori.
“Fillon në vitet 1800, që janë dhe portretet e para në pikturën shqiptare “Motra Tone” dhe një portret i Skënderbeut dhe vijon deri në vitet 2000”, thotë Hado.
Një dekadë punë, që ngjall kërshërinë e evolucionit të portreteve në kohë në plot 430 faqe shoqëruar me ilustrime, duke nisur nga imazhi intim i kopërtinës, tek grafikat, vizatimet, karikaturat a mozaikët
“Është një vepër që e kam zbuluar rastësisht kur kam qenë drejtor në Galeri , me autor Zef Shoshin, i cili ka qenë vetëm 17-vjeç e në Liceun e Tiranës kur ka bërë këtë portret”, thotë më tej autori.
Një botim që shënon një sërë risish studimore. Autori trajton mitet në portretin shqiptar duke bërë krahasime me vepra a kryevepra të tjera botërore. Kjo edhe kur flitet për portretet e diktatorëve.
“Unë kam marrë një studim dhe kam bërë një krahasim me portrete të tjera ku portreti shqiptar del i veçantë , del karakteri i plotë i këtij portreti në pikturë. Do vazhdoj pastaj me një studim tjetër, por për portretin në skulpturë”, thotë ai.