Presidenti kinez

Bota

Nga Nikaragua në Kinë, ja si autokratët i kanë tradhtuar 'premtimet' e revolucionit

26 Nëntor 2021, 14:30| Përditesimi: 26 Nëntor 2021, 14:31

  • Share

A përfundojnë revolucionet gjithmonë me tradhti? Qytetarët sudanezë janë vetëm të fundit në radhë që kanë parë një “agim demokratik” të zhduket nga forcat reaksionare. Në fakt kjo është një histori shekullore. Napoleoni e përmbysi Revolucionin Francez, duke imponuar një perandori ku liria mbretëroi vetëm për pak kohë.

Stalini e hodhi poshtë fuqinë e proletariatit për të ndërtuar një diktaturë totalitare. Nga Afrika e Jugut në Kubë dhe deri në Mianmar, trashëgimtarët e sotëm në pushtet të luftës politike revolucionare e kanë çnderuar trashëgiminë e tyre. Popujt evropianë që hoqën me gëzim zgjedhën sovjetike,tani po shohin sërish kufizimin e lirive të tyre.

Pranvera arabe u shua me shpejtësi. “Revolucioni Amerikan” i vitit 1776, nuk ishte fare revolucion. Ai qe më shumë një revoltë e taksapaguesve të klasës së mesme të bardhë, e shoqëruar me një gjuhë të zbukuruar.

Zhvillimet e javës së kaluar në disa vende që janë shumë larg njëra-tjetrës si Nikaragua, Etiopia dhe Kina, janë një paralajmërim se si ndryshimet radikale mund të ndalen dhe të kthehen mbrapsht, sesi mund të humbasin shumë lehtë përfitimet revolucionare të arritura  me shumë vështirësi.

Në të tria rastet, ashtu si përgjatë gjithë historisë, në qendër të problemit është një individ i vetëm vetë-lavdërues. Nikaragua nuk ka qenë kurrë gjë tjetër veçse një vend shumë i varfër. E megjithatë, revolucioni fitimtar Sandinist i vitit 1979, solli në fillim reforma dhe shpresë për një të ardhme më të mirë.

Rrëzimi i diktaturës së familjes Somoza, u bë kauza më e madh e së majtës që nga lufta civile spanjolle. Vullnetarë nga e gjithë bota u angazhuar në atë betejë kundër rebelëve Kontra të mbështetur nga SHBA-ja. Udhëheqësi sandinist, Daniel Ortega, u bë një super-yll i politikës.

Por nikaraguanët u lodhën në fund nga lufta, dhe po ashtu edhe nga Ortega. Në vitin 1990, unë e pashë atë teksa bënte xhiro në një fshat, hipur mbi rimorkion e një kamioni, në përpjekje për të ringjallur besimin e banorëve bazuar tek premtimet e dikurshme të revolucionit.

Për habinë e tij, Ortega i humbi zgjedhjet atë vit. Disfata e hidhëroi, teksa ai u zotua se do ta rimerrte me çdo mjet  presidencën. Dhe ia arriti qëllimit në vitin 2007, dhe pasi anuloi kufizimet kushtetuese të mandatit, ndodhet në pushtet që nga ajo kohë.

E nxitur nga gruaja dhe zëvendëspresidenti i vendit, Rosario Murillo, regjimi i tij është bërë “një tirani dinastike ishullore, që i ngjan frikshëm asaj kundër së cilës luftoi disa dekada më parë” shkroi gazetari Stephen Kinzer. Kundërshtarët politikë dhe miqtë e dikurshëm janë burgosur, medias dhe gjyqësorit i është mbyllur goja, ndërsa protestuesit vriten dhe abuzohen vazhdimisht.

Zgjedhjet presidenciale të javës së kaluar, të fituara me “me një diferencë shumë të madhe” u denoncuan gjerësisht si të manipuluara. Por Ortega, sot 76 vjeç, duket i pa shqetësuar nga kritikat. Ai pritet që të sundojë deri në vdekjen e tij , kur shpreson që Rosario apo një nga djemtë e tyre ta pasojë atë në këtë post.

“Ai dukej si një udhëheqës shumë premtues. Pakkush mund ta imagjinonte se ai do të degjeneronte në një diktator tëvetmuar. Si ndodhi që ky revolucionar i moderuar, që dikur mendonte madje të bëhej prift, është bërë tani sundimtari më brutal në historinë e vendit të tij?”- shkruan Kinzer.

Dhe kjo është një enigmë paralajmëruese, mbi të cilën do të bënte mirë të meditonte kryeministri i Etiopisë,Abiy Ahmed. Ashtu si Ortega, dhe Abiy ishte një yll i politikës ndërkombëtare, duke fituar çmimin Nobel për Paqe në vitin 2019.

Tashmë është denoncuar gjerësisht po nga faktori ndërkombëtar, pas pushtimit katastrofik që i bëri vitin e kaluar provincës veriore Tigray. Lufta e nisur nga Abiy kërcënon tani që të përfshijë edhe kryeqytetin Addis Abeba, të shkatërrojë unitetin e brishtë të Etiopisë, dhe të destabilizojë më tej Bririn e Afrikës.

Ashtu si Ortega, ambicia e tij personale dhe gjykimi i dobët, kanë vënë në rrezik përfitimet e konsiderueshme të arritura që nga revolucioni i vitit 1991, që i dha fund regjimit ushtarak marksist Derg.Abiy shpalli një gjendje të jashtëzakonshme mbarëkombëtare javën e kaluar, duke u bërë thirrje qytetarëve që të rrokin armët.

Thirrjet e Unionit Afrikan dhe OKB-së për armëpushim janë refuzuar. Grupet e të drejtave të njeriut dokumentojnë krimet e vazhdueshme të luftës, të cilat dyshohet se janë kryer nga forcat e Abiy-t, si dhe nga armiqtë dhe aleatët e tij.

Ndërkohë, politika e tij ka rikthyer urinë në Etiopi, një dështim ky shumë simbolik, duke pasur parasysh kujtimet ende të gjalla të urisë së viteve 1980. OKB-së thotë se 400.000 njerëz në Tigray përballen me një emergjencë të ushqimit. Miliona të tjerë janë zhvendosur.

Çfarë lloj lidershipi është ky? Si mundet që një lider i pamatur, duke refuzuar që të pranojë gabimet dhe të japë dorëheqjen, të ruajë pushtetit për të shkatërruar tre dekada arritje dhe për të djegur të ardhmen e një kombi? Kjo është një pyetje që duhet t’i bëhet edhe udhëheqësit autokratik të Kinës, Xi Jinping.

Ai e kaloi javën e kaluar, duke siguruar mbështetjen e brendshme të Partisë Komuniste Kineze (PKK) për një mandat të tretë e të paprecedentë si president, duke filluar që nga viti i ardhshëm. Xi është tanimë politikani më i fuqishëm që nga koha e Maos, stilit brutal dhe autoritar të të cilit ai i përmbahet deri në detaje.

Mediat zyrtare i thurin lavde. Kritikët kanë frikën për jetën e tyre. Në shtetin e mbikëqyrjes së Xi, sundon tekno-fashizmi. Megjithatë, çfarë lidhje ekziston vërtet midis politikës së pushtetit dhe kultit të personalitetit të Xi-t dhe aspiratave të revolucionarëve themelues të PKK, të cilët kur u takuan 100 vjet më parë në Shangai, të frymëzuar nga revolucioni rus i vetëm4 viteve të shkuara, u zotuan se do të luftojnë shtypjen?

Pas disa dekadash progresi të qëndrueshëm, çfarë çmimi mund të paguajnë ende kinezët për ambiciet agresive personale të Xi? Përballë një ekonomie me rritje të ngadalësuar, një krizë borxhi në rritje, një mjedis në degradim e sipër, një popullsie në plakje të vazhdueshme, dhe një grupi antagonistësh të jashtëm në rritje, Xi ka vetëm pak vjet kohë për të realizuar “ëndrrën e tij kineze” për epërsi globale, ribashkim me Tajvanin, konsolidimin e brendshëm, vijimësinë e monopartitizimit të rreptë dhe konformitetit social mbytës.

Me njërin sy tek historia dhe tjetrin tek e ardhmja, Xi ka vënë bast mbi lavdinë personale. Gjërat mund të shkojë në çdo mënyrë të mundshme. Një krizë e rëndë financiare në Kinë, mund të çojë në një konflikt ose recesion mbarëbotëror, ose të dyja bashkë.

Megjithatë, një Kinë triumfuese nën Xi, mund të jetë fatale për demokracinë globale, të drejtat civile, fjalën e lirë dhe ligjin ndërkombëtar. Hong Kongu është një paralajmërimi zymtë. Si i justifikojnë pushtetarë të tillë tradhtitë e tyre ndaj popullit, idealeve dhe betejave që i kanë ngjitur atje ku janë?

Ndoshta, si Ortega dhe Abiy, edhe Xi besojnë se vetëm ata mund të sundojë në mënyrë efektive, se ata janë të pazëvendësueshëm dhe unikë. Ndoshta ata e ngatërrojnë besimin me mendjemadhësinë. Ata synojnë që të sigurojnë “trashëgimi” të pakuptimta.

Ata bëhen të ndërvarur nga pushteti. Në fakt, për ta nuk ka asnjë justifikim. Të tillë tradhtarë të reformimit janë një plagë toksike. Ashtu si “100 lulet” e Maos, ata mbijnë në të gjithë botën moderne, jo si lulet, por si barërat e këqija./ Nga Simon Tisdall, “The Guardian”, bota.al

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?