Jo vetëm tatimet por edhe Inspektoriati i Punës ‘zbarkon’ në terren për të luftuar informalitetin në turizëm. Inspektorati Shtetëror i Punës njofton se ka hartuar një plan masash për kontrollin e subjekteve, që ushtrojnë aktivitetit e tyre në sezonin turistik në të gjithë vendin.
“Kontrollet e shtuara synojnë të garantojmë kushte të ndershme dhe të sigurta pune në mbrojtje të të drejtat e punonjësve. Turizëm i suksesshëm do të thotë punë me dinjitet dhe ligjshmëri”, thuhet në njoftim.
Në fokus të inspektimeve do të jenë disa elemente të rëndësishëm që shkelen nga bizneset e këtij sektorit. Do të ketë inspektime dhe kontrolle rigoroze për regjistrimin dhe pagesën e kontributeve të punonjësve. Po ashtu në monitorim të posaçëm do të jetë monitorimi i të drejtave të punëtorëve nën 18- vjeç si dhe do të ndalohet punësimi i tyre në profesione të vështira apo gjatë natës.
Po kështu Inspektorati i Punës njofton se do të ketë kontrolle të dedikuara pagesës së orëve shtesë sipas Kodit të Punës si dhe për llogaritjen e ditëve të pushimit javor.
Jashtë vëmendjes nuk do të jenë as punonjësit e huaj, pasi do të verifikohet dokumentacioni i tyre dhe nëse respektohen të drejtat nga bizneset.
“Nëse konstatoni shkelje të të drejtave tuaja në punë, Ju inkurajojmë të denonconi pranë Inspektoratit të Punës. Bashkëpunimi juaj është thelbësor për një treg pune të ndershëm dhe të sigurt”, kjo është thirrja e Inspektoratit të Punës për të gjithë qytetarët.
Për të luftuar informalitetin në turizëm edhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka hartuar një plan masash, ku ndër më kryesoret është caktimi i pagave indikative për sektorin e turizmit.
Në listën e pagave të publikuara është vendosur që rrogat në këtë sektor të nisin nga 55 mijë lekë për rojet, në 60 mijë lekë për sanitaret apo punëtorët e krahut, 63 mijë për recepsionistët, 70 mijë lekë kamarieri, 90-100 mijë lekë menaxherët dhe 140 mijë lekë kuzhinier apo kryekuzhinier.
Për të bërë hetimin, tatimet do të krahasojnë pagat ‘dysheme’ të caktuara prej tyre dhe pagat që deklarojnë bizneset e këtij sektori. Kjo masë e caktimit të pagave nga tatimet, vjen për shkak se shumë biznese nga baret, restorantet, hotelet apo resortet nuk deklarojnë rrogat reale të punëtorëve.
Komente

Merruni me diten e shtune, qe te gjithe bizneset private e marrin te mireqene si dite normale pune, ne nje kohe qe duhet te jete dyfishi ose pushim.
Përgjigju