1 gushti, nuk do të zbardhte kurrë më për këtë mostër me fytyrë njeriu, të quajtur Muhammad Ajman Rabí al Zawahiri, kreu i Al Kaedës, i cili qysh pas vrasjes më 2011, të sheikut Osama Bin Laden, ishte njëri nga më të kërkuarit ndërkombëtarisht, që më në fund, CIA amerikane, pas gjashtë muaj survejimi, jo vetëm e gjeti ku ishte strukur si miu, në një vrimë të shtëpisë së një miku të tij taleban (axhutant i njërit prej krerëve të Al Kajdës Sirajuddin Haqqani), në Kabul të Afganistanit, por në një çast fatal për atë, kur guxoi të dalë në ballkon, me një dron të sofistikuar e asgjësoi, duke e hedhur në erë, pa dëmtuar askënd tjetër!
Do të shkruaj më gjatë në pjesën e dytë të këtij opinioni për krye terroristin egjiptian, famëkeqin Ajman, por le të bëjmë një retrospektivë, e të kthehemi 60 vite më mbrapa; kur duke u gdhirë 1 korriku 1962, në Burgun Ayalon të Ramallahut, pas gjykimit e dënimit me vdekje, u var në litar nga Izraeli, njëri prej kriminelëve më të mëdhenj nazistë, të Holokaustit apo Zgjidhjes Finale të Çështjes së Shfarosjes së Hebrejve, Otto Adolf Eichman! Siç e shkruajtëm që në titull, kriminelët e këtyre përmasave kanë të njëjtën fytyrë, vetëm se në këtë rast, për koincidencë, ata kanë edhe emër të njëjtë, me ndryshimin e vetëm, se krimineli gjerman, ka një H më shumë! Emri i plotë i tij është Otto Adolf Eichman, në shqip Ajhman!
I lindur në Solingen (qyteti i çelikut special për vegla apo orendi në Gjermani), më 19 mars 1906, ai i nisi studimet në Linz të Austrisë, (që Hitleri synonte ta bënte kryeqytetin e pestë të Rajhut III-të), në të njëjtën shkollë ku kish mësuar edhe vetë Adolf Alois Hitler, BRG Fadingerstrasse, ku edhe u edukuan, e u indoktrinuan me antisemitizëm. Ai u largua nga shkolla pa u diplomuar dhe u dha pas mekanikës, pa shfaqur asnjë interes për politikën, derisa një ditë, rastësisht takoi Ernst Kaltenbrünnerin e SS-ve, në një miting të NSDAP dhe pranoi propozimin të bëhej pjesë e Partisë së tyre Naziste! Dhe kështu, me devocionin e një mediokri, që për kompensim dhe justifikim punonte si një ROLEX zviceran në funksion të detyrës që i dhanë në Zyrën e Mbledhjes dhe Sistemimit të Dokumentacionit super burokratik për projektin çnjerëzor dhe racist të Zgjidhjes Finale!
Pikërisht për këtë devocion, shpejt mori gradën e lartë ushtarake. SS – OberSturmbann Führer, duke u vënë madje në krye të një Drejtorie, që merrej vetëm me Zgjidhjen Finale të Shfarosjes së popullsisë hebreje në Kampet e Përqendrimit Nazist! Ai kishte varësi direkte nga Himmleri dhe Heydrichu, e nganjëherë edhe nga vetë Fyhreri, duke patur kështu edhe besimin absolut të tyre, të cilin, për hir të së vërtetës, e justifikoi plotësisht, duke e kryer me zell të paparë deri në fund, me bindjen se, kur vritet një njëri quhet krim, ndërsa kur vriten miliona, është thjeshtë statistikë?! Deri këtu mbërrinte krye cinizmi i të indoktrinuarve me supremacinë e ‘racës ariane’!
Për vite me radhë, por sidomos gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore, nëpër duart e tij të ftohta dhe syve të akullt, kaluan mijëra e mijëra shkresa e dosje, me miliona emra njerëzish brenda tyre, fati i të cilëve ishte i paracaktuar për “fajin” e vetëm, se kishin lindur hebrenj! Ai së pari studioi librin e themeluesit të lëvizjes sioniste, Theodor Herzl “Shteti Hebraik”, që e bindi për t’i hyrë punës në shfarosjen e hebrenjve si popull e si komb dhe mos lejimin e krijimit të një shteti hebraik! Madje, ai shkoi vetë aty në territoret palestineze më 1937, aso kohe Protektorat nën Mandatin Britanik dhe pá nga afër ngritjen e vendbanimeve hebreje (kibbutz).
Por britanikët e zbuluan, e kapën dhe e përzunë! Rastin më të mirë për karrierë, pasi kish rënë në sy të krerëve nazistë si Kaltenbrunner, që ishte vetë austriak, ai e pati më 1938-ën kur Hitleri shpalli Anschluss – in, aneksimin apo më saktë pushtimin e Austrisë, kundërshtuar fort nga Kancelari Engelbert Dollfus, vrarë prej nazistëve qysh më 25 korrik 1934 (me sarkazëm, Dollfussin, për shkak të trup shkurtësisë, vetëm 150 cm. nazistët e quanin Millimetternich – në bashkim fjalësh me emrin e Princit Klemens von Metternich, politikan dhe diplomat i shquar austriak, i njohur për shprehjen e famshme: “Kur ftohet Franca, teshtin tërë Europa”! Në Vjenë, morën pallatin e Princit miliarder hebreoaustriak, Albert de Rotschild dhe e kthyen në zyra të Qendrës për Emigracion të Hebrenjve, në krye të së cilës, u vu vetë Ajhman!
Lufta dihet si përfundoi, ndaj nga frika e ndëshkimit që i priste, shumë prej hierarkëve nazistë, të ndërgjegjshëm për krimet e tmerrshme që kishin kryer, sidomos ndaj miliona hebrenjve në Kampet naziste të Përqendrimit, Mat’hauzen, Dakau, Auschvitz, Treblinka etj apo Ghetot famëkeqe si ato të Varshavës, Vjenës dhe Amsterdamit, u fshehën, ku dhe si mundën, duke ndërruar identitet! Kështu edhe Otto Adolf Eichman, Ajhmani pra, u fsheh pyjeve e fshatrave të Gjermanisë dhe Austrisë, deri sa mbërriti në veri të Italisë, ku me ndihmën e një prifti katolik italian, e miqve të tjerë, pasi mori dokumentet (pasaportë) me identitetin e ri Ricardo Klement, u nis dhe mbërriti në Argjentinë më 1950-ën!
Aty jetoi dhe punoi 10 vite, deri sa një ditë, te Prokurori gjerman Bauer, mbërriti informacioni se pas Ricardo Klement, fshihej dora vetë Otto Adolf Ajhman, pohuar në konfidencë mes miqsh të shkollës, nga një prej fëmijëve të Ajhmanit! Prokurori Bauer njoftoi MOSSAD–in izraelit, një nga shërbimet inteligjente më cilësoret në Botë dhe kështu, u organizua kapja dhe dërgimi në Izrael i këtij kryekrimineli, çka për arsye, që nuk u kuptuan kurrë, nuk u pasua edhe me të tjerë, si kryekrimineli me damkë, Doktori i vdekjes së Awschvitz-it, Josef Rudolf Mengele, famëkeqin e eksperimenteve ndaj qindra njerëzve të gjallë, sidomos fëmijë, mundësisht binjakë monozigotë, i cili vdiq në liri në Brazil, më 1979, teksa lahej në Atlantik, i mbytur pas një iktusi apo hemorragjie cerebrale të pësuar!
Në kapjen e Ajhmanit, ashtu si edhe të disa kriminelëve të tjerë nazistë të fshehur, ka patur rol dhe Simon Wiesenthal, një i mbijetuar i kampeve të përqendrimit nazist, i cili ia kushtoi jetën e tij të gjatë, këtij misioni të rrezikshëm e delikat, por fisnik!
Do të kërcejë përpjetë në varrin tim duke qeshur, kur të kujtoj se në ndërgjegjen time, kam rol për jetët e mbi 5 milionë njerëzve dhe kjo më jep një kënaqësi të veçantë,- deklaroi ai, në kulmin e cinizmit çnjerëzor, teksa gjykohej! Për fjalët e fundit të Ajhmanit, pak çaste para ekzekutimit me varje, jepen tre variante, por ai, deri në fund i qëndroi bindjes, se kishte bërë vetëm detyrën, madje ndihej më se i lumtur, që s’kishte përse të shprehte kurrfarë pendese, madje mbahej krenar për zbatimin me devotshmëri të lartë të detyrës! Në të vërtetë, iluzioni se kryekriminel të tillë, mund edhe të pendohen është më se i kotë, megjithatë kapja, gjykimi dënimi dhe ekzekutimi i tyre, të paktën është një homazh për të afërmit e miliona viktimave, që ata shkaktuan mizorisht!
Tani lé t’i kthehemi, kryekriminelit tjetër, Muhammad Rabí Ayman al Zawaihiri. Ai kish lindur në një familje intelektualësh dhe politikanësh egjiptianë, me plot juristë, shkrimtarë dhe mjekë nga Buhayra, vendosur herët në Maadi, lagje e Kajros. Daja i tij, Abd’- al Rahman Azzam Pasha, ishte i pari Sekretar i Përgjithshëm i Ligës Arabe (me 22 shtete anëtare), ndërsa i ati, Prof. Dr. Muhammad Shafii al Zawahiri, dermatologu më i njohur në Egjipt dhe e motra, Heba, onkologë e shquar.
Gjyshi nga nëna, Abd al Wahhab Azzam, ishte një nga shkrimtarët më të mëdhenj arabë në Egjiptin monarkik të Mbretit të 10, e të fundit të Dinastisë Shqiptare, Farukut, themeluar nga Mehmet Ali Pasha, dinasti, që e sundoi këtë vend 150 vite rresht, duke i fshirë pluhurin e kohës dhe të shkretëtirës së Saharës Egjiptit, çka çoi në zhvillimin dhe modernizimin e këtij shteti me histori të lavdishme faraonike, që po harrohej! Edhe vetë Ajmani ishte mjek, shkrimtar e poet, e që fliste shkëlqyeshëm anglisht dhe frëngjisht!
Që 14 vjeç, u bë ndjekës i Sayyid Qutb Ibrahim Hysain al Shad’hili, (ideolog i famshëm islamik), ekzekutuar me varje bashkë me gjashtë të tjerë, më 1966-ën nga regjimi i Naserit, me akuzën për Grusht Shteti! Ajman, u bë pjesë e një grupi të Vëllezërve Musulmanë, ku indoktrinimi (ose më saktë në shqip trushplarja), e shndërruan shpejt në një anarkoterrorist të fshehtë, që kur studionte në Universitetin e famshëm ‘Al Azhar’ të Kajros!
Pasi u bë pjesë e krahut ekstrem të “Vllazërisë”, Xhihadit Islamik, ai ishte ndër ideatorët dhe organizatorët në hije, i atentatit ndaj Presidentit egjiptian, Muhammad Anwtar al Sadat, më 6 tetor 1981, teksa po ndiqte nga tribuna, një paradë ushtarake në Kajro, atentat ky, realizuar nga “Xhamá Islamija” (Populli Islam), që s’ia falte Sadatit, Marrëveshjen e Camp David me Izraelin, nën nxitjen e SHBA-ës. Ashtu si 14 vite më vonë, 4 nëntor 1995, me të njëjtin motiv për tradhti, vritet në Tel Aviv, Kryeministri i Izraelit, Yitzhak Rabin, nga studenti nacionalist Yigal Amir, që s’mund ta pranonte nënshkrimin nga Rabini të Akordit të Paqes së Izraelit, me Presidentin e Autoritetit të shtetit të Palestinës, Jaser Arafat, gjithashtu, realizuar me ndërmjetësimin amerikan!
Zawahiri shkoi në Afganistan në krah të talebanëve, që luftonin ushtrinë pushtuese sovjetike të Brezhnjevit, ku u njoh, u lidh dhe u miqësua ngushtë me Osama Bin Laden, sheikun miliarder saudit, që kish themeluar një nga organizatat më të fuqishme terroriste në Botë, Al Kajdën (shqip – baza)! Zawahiri akuzohej edhe për atentatin barbar të 17 nëntorit 1997, ndaj një grupi të madh turistësh, me 72 viktima në Luksor, brenda Tempullit të Mbretëreshës Hatshepsut të Egjiptit (rreth 3500 vjet më parë). Një variant tjetër, jep 62 viktima! Ai kish shkuar edhe në Daghestan, ku ishte arrestuar, e mbajtur 6 muaj në burg nga sovjetikët! Por, akuza më e rëndë për Ajman Zawahirin, pa asnjë diskutim, mbetet super atentati unikal i 11 shtatorit 2001, me 3.000 viktima, te Kullat Binjake të Qendrës Botërore të Tregtisë në Nju Jork, në Pentagon dhe me avionin e rrëzuar në Pensilvani, ideator dhe “arkitekt” i të cilit, dihet tashmë, që ishte ai, truri i një përbindëshi të terrorizmit të pamëshirshëm!
Në 3 dhjetor 2001, Ajman i shpëton një atentati në Zhalabad, ku mbetën të vrarë, gruaja e tij Azza dhe tre fëmijët! Më pas i shpëton edhe disa atentateve të tjera, si në maj 2004 në Pakistan, në janar 2006 në Damadola, (po fshat pakistanez), ku ai edhe plagoset! Në 3 mars 2008, Zawahiri publikon librin “Al Tabrí’a”, në të cilin replikon ashpër me Imam al Sharif, një super i penduar i Al Kajdës! Pas vrasjes së Osama Bin Laden, nga komandosët amerikanë të Navy SEAL, në Abotabad, Pakistan, Zawahiri, bëhet Kreu suprem i Al Kajdës. Edhe pse zyrtarisht ai paraqitej sikur Al Kajda e tij, nuk pati lidhje me Khalifatin Islamik, apo ISIS, frymëzues i padiskutueshëm i të cilit, mbetej vetë Zawahiri.
Po më 2011-ën, shpërthyen nga pakënaqësia ndaj regjimeve të korruptuara auto kleptokratike revoltat popullore, të njohura si ‘Pranvera arabe’. Së pari në Tunizi, ku regjimi autokrat dhe kleptokratik i Presidentit Zine ben Abidine Ben Ali, që sundonte prej gati 25 vitesh, (qysh kur përmbysi me një Grusht Shteti “doktorësh” Presidentin Habib Burgiba, si gjoja të paaftë mendërisht), ishte bërë i urryer dhe i padurueshëm nga populli! Vrasja e tregtarit ambulant të frutave, Muhammad Al Buazizi, nga policia e dhunshme, ishte shkëndija që ndezi zjarrin përvëlues për regjimin e korruptuar dhe represiv të tij! Ben Ali, kur pa tërbimin e popullit, mori bashkëshorten e dytë, Leila Trabelsi (një ish parukiere, abuzuese dhe e urryer, po aq sa i shoqi), gjashtë fëmijët, nga tre me të dy gratë dhe i’a mbathi me avionin e tij, mbushur sa nuk mbante më, me kuti plot gurë të çmuar, ar dhe valutë të huaj, për në Xhedah, të Arabisë Saudite, ku jetoi i qetë deri sa vdiq më 2019! Pasuria e tij llogaritej mbi 5 miliard dollar amerikanë!
Ai kish patur dhe mbështetjen e Italisë dhe SISMI-t të saj, që e “shpërbleu”, teksa strehoi kryeministrin socialist italian të akuzuar për korrupsion, Betino Kraksi, që, deri sa ndërroi jetë në Hammamet, nga diabeti, nuk e pa dot më Italinë! ‘Pranvera arabe’, erdhi me erëra të fuqishme edhe në Libi, ku Gadafi, që gjoja “vuante” në Çadrën tribale, kishte pasuri përrallore, dëshmuar në video brenda pallateve të tij, kur u pushtuan nga turmat, por jo intuitën e Ben Ali?! Duke menduar se populli e donte, nuk u arratis, deri sa u kap nga turma, u poshtërua pasi e nxorën nga një tombino dhe u vra nga një adoleshent, me revolverin e artë, rrëmbyer atij!
Tani ishte radha e Egjiptit, ku regjimi autokleptokratik i Muhammad Hosni Sayyid Ibrahim Mubarakut, në 30 vite, kish ngjallur po ashtu pakënaqësi të mëdha! Ai dhe djemtë e tij kishin akaparuar miliarda $ pasuri! Sheshi i Lirisë (Miidan Tahrir), në Kajro ishte epiqendra e protestave, që zgjatën me javë dhe u përhapën në gjithë qytetet e Deltës së Nilit…! Mubaraku u rrëzua dhe u arrestua bashkë me dy djemtë, Ala dhe Gamal, po ashtu abuzues dhe të korruptuar! Mendohet që numri i të vrarëve të ketë qenë i madh, por se sa saktësisht, ndoshta nuk do të mësohet kurrë!
Ai u lirua më 2017-ën dhe ndërroi jetë në moshën 91 vjeçare, në spital! Situatën e shfrytëzoi “Vëllazëria Musulmane”, e cila fitoi në zgjedhjet e zhvilluara përgjithësisht korrekte dhe president shpallet Mohammed Mursi Isa al Ayyat, përfaqësues i moderuar i tyre, i specializuar në SHBA-ës, i cili pati edhe një meritë, mbajti fjalën e dhënë, teksa na priti me Ministrin Edmond Panariti dhe zotin Nuri Domi në Presidencë, se Egjipti, shteti më i madh arab me 100 milionë banorë, (ku është edhe Selia e Ligës Arabe), shumë shpejt do ta njihte Kosovën, çka edhe ndodhi pas pak kohësh!
Nga ana tjetër, ushtria që sundonte prej 60 vitesh, dhe kishte goxha pushtet, vigjilonte dhe e shfrytëzoi pakënaqësinë popullore, madje edhe zhgënjimin nga Morsi të një pjese të mirë të “vëllezërve musulmanē“ prej mefshtësisë së tij, frika e koptëve ortodoksë (mbi 10 milionë) dhe Papës së tyre Tewdros, oponenca e Sheikut të Universitetit Al Azhar, Tayyib, opozitarët si i pavaruri shkencëtar atomist Baradei, ndaj Vëllazërisë, e rrëzuan nga pushteti, madje e arrestuan dhe e gjykuan, deri sa i sëmurë, ndërroi jetë në burg, më 2019-ën, si edhe pas tij, paraardhësi i vet Mubarak më 2020-ën! Pushtetin e mori përsëri ushtria, që vuri në krye të shtetit, gjeneralin Muhammad Sayed Hyssein Khalil Abd’al Fattah el Sisi!
Dëshira dhe synimi i ekstremistëve islamikë të “Vëllazërisë” dhe sidomos Al Kajdës dhe Zawahirit, për ta kthyer edhe Egjiptin në shtet tekokratik sunit, i ngjashëm me Iranin e ajatollahëve shiitë, dështoi dhe prej aso kohe, President është El Sisi, që nuk vonoi të vetë gradohej Feldmareshal! Se si u zhvilluan ngjarjet në Siri (ato shpërthyen pak javë mbasi ne paraqitëm Letrat Kredenciale në Damask), me protestat kundër regjimit të Bashar Hafëz al Assadit, është e njohur dhe natyrisht meritojnë një shkrim më vete, por aty, ekstremizmi Islamik, deri në shkatërrimin e një qytetërimi të lashtë e të zhvilluar me monumente unikale si ato në Palmira, (të cilat patëm fatin t’i shohim nga afër), lufta civile, ISIS, dhe çështja kurde, shto edhe ndërhyrjen ruse, kërkojnë analizë të veçantë!
SHBA-ës nën Presidentin Obama, luajti dobët në politikë dhe diplomaci, e thënë ndryshe, në vend të vinte vetulla, nxori sytë, sidomos në Sirinë e shkatërruar plotësisht me mbi 250.000 të vrarë, e miliona të shpërngulur! Ketë mendim, e diskutonim disa herë miqësisht me dy Ambasadoret amerikane në Kajro, Margaret Scobay dhe Anne Patersson (që mbas Egjiptit, u emërua Zv/sekretare e DASH-it)! E vetmja gjë e mirë ishte fitorja mbi ISIS – in dhe Khalifatin Islamik, që me prerje kokash live të pengjeve perëndimore dhe barbari të tjera, fitoi urrejtje botërore! Krerët e këtij shteti, sa të improvizuar, aq dhe primitivë, u vranë pothuaj të gjithë, si Abu Bakr al Baghdadi, Ibrahim al Hashimi al Qurayshi, Maher Al Agal, Abu Osama al Masri, Abu Hasan al Muhaxhir, Jalaluddin Haqqani, Abu Musab al Zarqawi etj etj !
Interesant është fakti, se një nga terroristët më të kërkuar të Al Kajdës, Sirajuddin Haqqani, sot është Ministër i qeverisë së talebanëve afganë?! CIA vendosi shpërblimin 25 milionë $, për këdo që do të jepte informacion të besueshëm për vendndodhjen e Ajman al Zawahirit, te i cili, më në fund ia mbërriti mbrëmjen e 31 korrikut! Askush nuk do të mësojë kurrë, se cili ishte njeriu, që i mori këto 25 milionë dollarë, por një gjë tjetër dihet me siguri, që Bota, nga 1 gushti 2022, është më e sigurt dhe se tani e tutje, do të ketë një krye terrorist më pak!
Si diplomat shqiptar, që jetova dhe punova për 5 vite në këtë Rajon me kaq histori dhe plot zhvillime, parë me objektivitet, mund të them me bindje, se popujt arabë, me një histori të lashtë, e të lavdishme, meritojnë paqe, begati dhe përparim! Memorie.al