Nga pengesat në diktaturë tek momentet e vështira me prindërit, i biri i Edi dhe Mihal Luarasit me “Rrëfime” në FAB, Eldoni: Si e realizova portretin e nënës

3 Shkurt 2022, 19:59| Përditesimi: 4 Shkurt 2022, 09:41

  • Share

Janë dashur plot 3 dekada, që Eldon Luarasi të ripërballet me publikun Shqiptar. “Rrëfimet” mbi telajo shënojnë edhe të parën ekspozitë personale të artistit në vend. 33 piktura në vaj dhe 2 në akrilik, të realizuara përgjatë 7 viteve të fundit gjejnë vend në galerinë “FAB”. Në një kënd qendror sytë e qeshur të nënës, që përkëdhelin vizitorët me ndjesi. Eldoni lejon një kënd tjetër vështrimi për artisten, Edi Luarasi, të ndarë nga jeta dy muaj më parë.

“E kam realizuar dy vite më parë. Ishte mirë në atë kohë. E dua shumë këtë portret, sepse është një portret intim, familjar... Jemi unë dhe nëna... Kam realizuar edhe portrete të tjera të saj. Njëri prej të cilit është shumë i portretizueshëm në pikturë, përtej faktit që ishte një artiste”.- tha ai.

Eldoni e pranon, tek shpirti artistik, që heton heshtur qenien njerëzore, është edhe babai, regjisori Mihal Luarasi, që i ka dhënë nxitjen kryesore drejt pikturës. Ndërsa Arben Basha, Buron Kaceli, Mikel Temo e miq të tjerë, kanë qenë një mbështetje më shumë.

“Ata kanë ndikuar shumë në formimin tim, fryma në shtëpinë tonë ishte artistike”- u shpreh ai.

E megjithatë goditjet që mori çifti Luarasi nga sistemi do të ndikonin edhe tek i biri, të cilit iu hoq e drejta për të konkurruar në Akademinë e Arteve.

“E përjetova shumë keq, ndonëse familjarisht ne ishim mësuar me këto lloj refuzimesh, ishim kalitur. E megjithatë, nuk e ndërpreva, vazhdova dhe më tej.”- tha ai.

Kanë qenë ata motivi primar, që pas vitesh në Itali, ku edhe ka realizuar një sërë ekspozitash, artisti të kthehej në Tiranë.

'Patjetër që lidhej me të, sepse në moshë të thyer edhe babai edhe mamaja u rënduan nga gjendja shëndetësore edhe erdha që tu rrija pranë.'- u shpreh Elidoni.

Objekte personale si dëshmi e përjetimeve fëminore, një histori ndoshta dashurie veshur në të kuqërremtë, portrete miqësore apo me një impakt intelektual tek artisti, si dhe dhomëza e nudove, kanë si emërues të përbashkët gjendjen, që prevalon ndaj dukjes.

“Është një formë fiksimi, një formë ngritje e përhershme në pikturë. Por gjatë procesit të pikturimit është edhe një raport. Pastaj piktura të kthen mbrapa, kur e shikon të kujton njeriun, raportin që ke pasur me të”.- u shpreh Elidoni.

Ekspozitat personale të Luarasit që i paraprijnë “Rrëfimeve” janë “Art Club Grabatella” në Romë në vitin 2007, si dhe në vitin 2000 në Mannedorf Congress Center. Po ashtu ai ka ekspozuar në Fiumicino, Sicili etj.

Ekspozita “Rrëfimet”, e kuruar nga Genc Përmeti me tekst të Persida Asllanit, do të vijojë të qëndrojë e hapur për publikun deri në 10 shkurt.

 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?