Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore miratoi një financim shtesë prej 80 milionë dollarësh për të mbështetur agjendën ambicioze të Shqipërisë për modernizimin dhe transformimin digjital të sektorit publik, duke përmirësuar aksesin në shërbimet kryesore për qytetarët.
Simon O'Meally, ekonomist i lartë për sektorin publik në grupin e Bankës Botërore, thotë se ky program kombinon reformat inovative në sektorin publik, me ndryshimet në sjellje dhe mjetet dixhitale për të siguruar shërbime publike më efikase, më transparente për qytetarët.
Financimi shtesë do të zgjerojë aktivitetin e programit në tri fusha të rëndësishme, duke nisur nga rimodelimi dhe dixhitalizimi i shërbimeve të qeverisjes vendore. Së dyti, përmes fondeve të reja parashikohet edhe zhvillimi i një platforme të re dixhitale për Prokurorimin Publik dhe së treti, krijimi i një sistemi të ri që do të përmirësojë menaxhimin e financave publike.
"Së bashku me qeverinë, kemi zgjeruar më tej programin. Jam i lumtur të njoftoj se së fundmi Bordi Ekzekutiv i Bankës Botërore miratoi një financim shtesë prej 80 milionë dollarësh për këtë program. Ky financim do të arrijë tri rezultate të rëndësishme. Së pari, rritjen e aksesit të qytetarëve dhe bizneseve në shërbimet qeveritare në nivel vendor. Së dyti, rritjen e transparencës dhe efikasitetit në prokurimin publik, duke sjellë më shumë përfitime ekonomike. Së treti, përmirësimin e financave publike që paratë e taksapaguesve të përdoren më mirë.", shprehet ai.
Ai vë në dukje edhe platformën e-Albania, ku janë regjistruar 3 milionë përdoruess dhe ku ofrohen online 95 përqind e shërbimeve. O'Meally thekson gjithashtu se nga ky program do të përfitojnë 35 mijë nxënës përmes SmartLabs, duke i ndihmuar ata në përmirësimin e aftësive në lexim dhe dije dixhitale.
"Mund të përmirësojnë aftësitë e tyre mbi leximin, numërimin dhe dijet dixhitale përmes SmartLabs. Grupet e venueshme, si personat me aftësi të kufizuara po marrin ndihmën e duhur për të përfituar nga transformimi dixhital. Të rinjtë shqiptarë do të fitojnë aftësi dixhitale që kërkon tregu i ri i punës në ekonominë dixhitale. Kjo do të mundësohet përmes qendrave të inovacionit për të rinjtë që do të funksionojnë së shpejti.", shton O'Meally.
Ky projekt është në përputhje me angazhimin e Bankës Botërore për të përmirësuar ofrimin e shërbimeve publike nga një administratë më moderne dhe e orientuar nga qytetarët, për të forcuar kapitalin njerëzor dhe për të nxitur një rritje më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në Shqipëri.
Komente
