PRAGË, ÇEKI-Udhëheqësit e 44 vendeve evropiane, përfshi të gjitha vendet anëtare të BE, vendet kandidate për në union si dhe të ftuar u mblodhën ditën e djeshme në kryeqytetin çek të Pragës për takimin përurues të Komunitetit Politik Evropian. Një takim që synimet kryesore i kishte 2, rritjen e bashkëpunimit dhe solidaritetit për sfidat si dhe një mesazh i qartë për Rusinë, që ajo është vetëm përballë të gjithëve të Evropë.
Ideatori i këtij projekti, i Komunitetit Politik Evropian, tha nga se samiti përurues i Bashkësisë Politike Evropiane tregon unitetin e kontinentit evropian, teksa ai po përballet me pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë. Sipas kreut të shtetit francez synimi, pikë së pari, është “të këmbehen pikëpamjet për situatën në Evropë, por po ashtu për të ndërtuar një strategji të përbashkët”.
Komuniteti Politik Evropian, sipas Presidencës Çeke të radhës së Bashkimit Evropian nuk do të jetë zëvendësuese e procesit të zgjerimit, sidomos me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse ka deklarata nga skeptikët që një projekt i tillë mund ta frenojë zgjerimin.
Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi rëndësinë e takimit për të demonstruar unitet në rrethanat e Luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Ata që po takohen këtu e dinë se sulmi rus ndaj Ukrainës është shkelje brutale e rendit të sigurisë dhe paqes që kemi pasur në Evropë në dekadat e fundit. Është e rëndësishme që ky sulm të mos pranohet, ne nuk pranojmë që pjesë të fqinjit tonë të aneksohen”, tha Scholz.
Ndërsa, sa i përket Samitit Kancelari i Gjermanisë tha se duhet pasur kujdes që forumi i Komunitetit Politik Evropian të mos shndërrohet në një institucion të ri ndërkombëtar. “Nuk kemi të bëjmë me krijimin e një institucioni të ri me administratë dhe burokraci. Ky takim duhet të na shërbejë për të biseduar me njëri-tjetrin për gjëra konkrete”.
Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell tha se “Komuniteti synon të krijojë një strukturë të re sigurie, por pa Rusinë”. Borrell tha se Komuniteti Politik nuk do ta përjashtojë Rusinë përgjithmonë, por “kjo Rusi, Rusia e Putinit, nuk ka vend këtu”.
Kryeministri i Shqipëris , Edi Rama, tha se nisma e është ide e vjetër që rilindë në kohë krizash.
“Shpresoj të mos kemi nevojë për kriza për të pasur takime sërish. Shpresoj të shfrytëzojmë këtë takim e të vazhdojmë të ndërtojmë diçka të rëndësishme për komunitetin e madh evropian. Frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një Komunitet Politik Europian ashtu siç ka qenë një forcë goxha penguese në momente të caktuara për të gjitha formatet, përfshirë dhe vetë Bashkimin Evropian. Por në një situatë si kjo, Europa është në pikën ku për të parashikuar të ardhmen, duhet ta krijojë”, tha kryeministri Rama, që ishte edhe një prej 5 folësve kryesorë të lançimit të kësaj nisme.
Kosova dhe Serbia ishin gjithashtu të pranishme në takim. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ritheksoi “orientimin strategjik të Kosovës për integrimin euroatlantik si garancia më e mirë për paqen dhe sigurinë në rajon.” Ndërsa Presidenti serb Aleksandër Vuçiç u tha gazetarëve se “nuk ka frikë nga ata që kërcënojnë Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe se përgjigja ndaj liderëve evropianë do të jetë e denjë, e përgjegjshme, serioze dhe e gjerë”. Para Samitit, zyrtarë evropianë thanë se ata presin që ky takim të jetë një mundësi ku Beogradit zyrtar do t'i kërkohet sërish të respektojë politikën evropiane të sanksioneve kundër Rusisë.
Një sinjal për izolimin e Rusisë dërgoi takimi edhe me shpalljen e vendtakimit të ardhshëm: pikërisht në Moldavi, e cila ndodhet në presion të vazhdueshëm të Rusisë.
Çfarë është komuniteti Politik Evropian
Komuniteti Politik Evropian, është një platformë për koordinim politik e krijuar mbi bazën e propozimit të presidenti francez, Emmanuel Macron. Mbi këtë platformë janë bashkuar liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe liderët e 17 vendeve të tjera evropiane, por janë lënë jashtë Rusia dhe Bjellorusia. Nisma synon nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit për çështje me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit në kontinentin evropian.