Gramoz Ruçi, Yuri Kim, Vitore Tusha dhe Ilir Meta

Nga presioni 8-mujor i Yuri Kim tek pakti i fundit KED-Kuvend, prapaskenat e plotësimit të Gjykatës Kushtetuese brenda 2020

23 Dhjetor 2020, 16:30| Përditesimi: 23 Dhjetor 2020, 19:53

  • Share

Dy vjet pas boshatisjes për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut, Gjykata Kushtetuese, do të jetë funksionale brenda vitit 2020 si dhe do të shqyrtojë çështjet e para në seancë plenare në fillim të vitit 2021, me kuorumin minimal prej 6 anëtarësh. Kjo gjykatë, më e rëndësishmja në Shqipëri dhe kusht kryesor për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare Shqipëri-Bruksel për nisjen e negociatave për integrimin e vendit në BE, sot do të ishte larg kuorumit minimal, nëse nuk do të ushtronin presion përfaqësuesit diplomatikë të SHBA-BE në Tiranë. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, ka intensifikuar thirrjet në adresë të Presidentit Ilir Meta, Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe Kuvendit, që në muajin maj të këtij viti, për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese.

“Është koha që të gjithë liderët të tregojnë vullnetin politik dhe të themelojnë Gjykatën Kushtetuese. Njerëzit nuk duhet të presin”, shkroi Yuri Kim në 12 maj 2020. Në 25 qershor 2020, Yuri Kim artikuloi një tjetër mesazh të fortë, teksa tha se “Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Ngrini Gjykatën Kushtetuese”. Në 9 shtator, ambasadorja Kim shpalli objektivin që Gjykata Kushtetuese duhet të ngrihej deri në fund të vitit 2020, ndërsa intensifikoi thirrjet ndaj Presidentit, Kuvendit dhe KED për të plotësuar vakancat.

Në 18 shtator 2020, Yuri Kim kërkoi nga Presidenti Meta dhe kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi për plotësimin e vakancave në Kushtetuese, ndërsa në 23 shator zhvilloi një takim me kryetaren e KED, Vitore Tushën, duke i kërkuar të njëjtën gjë. Kuvendi dhe Presidenca rihapën për herë të tretë garën për dy vende vakante në Kushtetuese. Që në vitin 2018, plotësimi i vakancave kishte dështuar për mungesë kandidatësh.

 Pas kësaj lëvizje, Yuri Kim shkroi se "Faleminderit Presidentit Ilir Meta dhe kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi për rihapjen e shpejtë të thirrjes për kandidatë për Gjykatën Kushtetues. Shpresojmë që juristët do t'i përgjigjen kësaj thirrjeje të rëndësishme për t'i shërbyer vendit të tyre. Le të vazhdojmë të ecim përpara për të dhënë Drejtësi!".

Krahas Yuri Kim, mesazhe të vazhdueshme ndaj Kuvendit, KED dhe Presidencës për plotësimin e vakancave ka artikuluar edhe ambasadori i BE në Tiranë, Luigi Soreca. Ndërkaq, në 8 tetor 2020, ambasadorja amerikane u bëri thirrje gjyqtarëve të aplikonin për vakancat e rishpallura. “Shqipëria ka nevojë për ju”, shkroi Kim. Në 18 tetor, Yuri Kim i kërkoi edhe një herë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi të vepronte shpejt.

Në 19 nëntor 2020, ambasadorja amerikane tha se kishin mbetur edhe 6 javë nga fundi i afatit të shpallur për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese. “6 javë të mbetura - Presidenca, Parlamenti dhe institucionet e drejtësisë duhet të vazhdojnë të punojnë Pme urgjencë”. Po atë ditë, Sorca tha se “nëse nuk ngrihet Kushtetuesja, nuk ka Konferencë Ndërqeveritare!”.

Në datat 25 nëntor dhe 27 nëntor 2020, ambasadorja Kim reagoi sërish duke kërkuar që “palët përkatëse duhet të vazhdojnë të lëvizin me urgjencë”. Në 10 dhjetor 2020, Yuri Kim ashpërsoi gjuhën teksa tha se “Unë nuk mendoj se njerëzit duhet të presin deri zgjedhjet e ardhshme për të pasur një Gjykatë Kushtetuese...Ka ardhur koha. Mjaft me lojra”!”.

Në 14 dhjetor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi Kuvendit vetëm një kandidaturë, atë të Altin Binajt, për plotësimin e vakancës së Fatos Lulos, i shkarkuar nga Vetingu. Sipas ligjit, KED duhet t’i dërgonte tre kandidatë. Por, në kushtet e emergjencës dhe në mungesë të kandidatëve, KED ‘mbylli njërin sy’, pasi kishte marrë më parë dakordësinë e Kuvendit.

Në mbledhjen e KED të datës 14 dhjetor 2020, kryetarja Vitore Tusha informacion anëtarët se ishte marrë më parë dakordësia e Kuvendit, për të pranuar edhe një kandidat të vetëm dhe për të vepruar me shpejtësi. “...Në lidhje me këtë vakancë është informuar organi i emërtesës për situatën dhe se është marrë në konsideratë edhe vullneti i organit për ta dërguar me këtë kandidat të vetëm. Opinioni i të gjithë anëtarëve të Këshillit, rishpallja disa herë, koha e gjatë që ka kaluar, mandati i shkurtër dhe elemente të tjera që janë diskutuar, e gjithë procedura e ndjekur është bërë pjesë e këtij raporti dhe janë përshkruar”, është shprehur Tusha.

Dhe kështu ndodhi. Pa kaluar as 24 orë, Komisioni i Ligjeve miratoi kandidaturën e Altin Binajt, i cili u miratuar përfundimisht nga Parlamenti në 17 dhjetor 2020. Lëvizja u përshëndet nga SHBA, BE, OSBE, ambasadori gjerman Peter Zingraf etj. Binaj u betua në Presidencë dhe nisi detyrën pesë ditë më pas, në 22 dhjetor 2020.

Pas betimit të Binajt, Kim dhe Soreca u shprehën njëzëri se “Që Gjykata Kushtetuese të jetë funksionale deri më 31 dhjetor është brenda mundësive, falë veprimit dhe bashkëpunimit urgjent nga Presidenca, KED dhe Parlamentit". Mesazhi u dëgjuar nga KED, i cili sot i dërgoi Presidentit dy kandidatë, Aleksanër Tomën dhe Përparim Kalon, për vakancën e krijuar nga Besnik Muçi, i emëruar nga Meta pa Vetingut dhe i shkarkuar më pas nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatëve të lejuar, Z. Aleksanër Toma dhe Z. Përparim Kalo për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese vakancë e parakohshme, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 07.02.2018, rishpallur në datën 27.09.2019 dhe rishpallur në datën 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës. KED do t'i përcjellë këto akte brenda ditës së sotme, pranë organit të emërtesës, Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e sotëm të KED.

Për këtë vend vakant kanë kandiduar edhe Zhaklina Peto dhe Sonila Bejtja. Peto është përjashuaar nga gara katër herë nga gara me vendim të KED dhe po aq herë është rikthyer në garë nga Gjykata Administrative e Apelit. Ndërkaq, KED ka lejuar kandidimin e Sonila Bejtjes. Megjithatë, duke mos pritur fundin e procedurave për dy zonjat Peta dhe Bejtja, KED ka dërguar në Presidencë dy kandidatët Toma dhe Kalo, për plotësimin e objektivit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, brenda vitit 2020.

Tashmë arritja e këtij objektivi është në dorën e Presidentit Ilir Meta. I gjithë presioni ndërkombëtar për plotësimin e këtij kushti është mbi Metën. Kreu i shtetit, sipas ligjit, ka 30 ditë kohë për të emëruar njëri nga kandidatët. Pas skadimit të këtij afati, kandidati i renditur i pari nga KED, konsiderohet automatikisht i miratuar, por që të nisë detyrën duhet të betohet para Presidentit.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?