Fjala e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është bërë jehonë në të gjitha mediat kryesore të huaja.
Rama, gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së pasditen e së mërkurës, ku duke iu përgjigjur kritikave të delegacionit rus, tha se nëse duan që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky të mos flasë, Rusia duhet të ndalojë luftën.
Në artikuj vihet theksi edhe tek fakti që pas seancës, Zelensky falenderoi Ramën duke thënë se “i tregoi botës se si ta trajtojë saktë Rusinë, gënjeshtrat dhe hipokrizinë e saj”. Sakaq, gjatë fjalës, Zelensky kërkoi që Rusisë t’i hiqet e drejta e vetos si një nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Nw lajmet kryesore tw mediave si Retuers, New York Times, The Washington Post, The Guardian si dhe Il Post përmendet momenti kur kryeministri Rama është përplasur me përfaqësuesin e delegacionit rus në çeljen e debatit në Këshillin e Sigurimit.
Ambasadori rus Vassily Nebenzia kundërshtoi që në fillim të takimit që lideri ukrainas të mos e merrte fjalën ndërsa kryeministri Rama iu përgjigj: “…duke qenë se e përsëritët shumë herë se shkelja këtu ka të bëjë me faktin që Zelensky do të flasë përpara anëtarëve të Këshillit ka një zgjidhje për këtë. Ju ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do të mbajë fjalën”.
Kryeministri shqiptar Edi Rama iu përgjigj me një batutë Moskës, e cila prej kohësh thotë se pushtimi nuk është luftë, por një “operacion ushtarak special”.
”Dua të siguroj kolegët tanë rusë dhe të gjithë këtu se ky nuk është një operacion special i presidencës shqiptare”, tha Rama, i njohur për një sens humori shpotitës duke shkaktuar të qeshura nën zë në sallë.
”Ka një zgjidhje për këtë”, vijoi Rama.
”Nëse jeni dakord, ndaloni luftën dhe presidenti Zelensky nuk do ta marrë fjalën”, tha Rama, vendi i të cilit shërben si president i radhës i këshillit.
Nebenzya vazhdoi duke thënë se seanca ishte një shfaqje dhe kritikoi Ramën për atë që ai tha se ishte një qëndrim politik dhe jo një akt i një mbrojtësi neutral të procedurës. Në përpjekje për të justifikuar pushtimin e saj, Moska ka thënë se ambiciet e Ukrainës për t’u integruar me Perëndimin – duke përfshirë NATO-n – përbëjnë një kërcënim për sigurinë kombëtare të Rusisë.
Lajmi kryesor:
Debate në KS, Rama replika me ambasadorin rus: Ndalni luftën dhe Zelensky s'flet para jush! Lideri ukrainas thirrje OKB-së: Pezulloni veton ruse
G.MO//ReportTv.al