Sociale

PERSONAZH/ Dom Vinçenc Pali, nga lufta e Kosovës tek zonat e varfra, prifti i Dioqezës së Sapës: Plaga më e madhe, largimi i rinisë

23 Shkurt, 12:30| Përditesimi: 23 Shkurt, 13:23

  • Share

Dom Vinçenc Pali shërben në fshatrat e Vaut të Dejës pas një kontributi të vyer në Kosovë, në vitet e vështira të Luftës, ku veç fjalës së Zotit, ndihmoi me strehim për të dëbuarit, me ushqim të uriturit dhe me barna të sëmurët. Në 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, sjell ndërmend momentet e vështira sidomos plaçkitjen e kishave dhe përballjen me presionet e paramilitarëve serb.

“Për Kosovën kanë qenë vite të vështira. Vuajtjen më të madhe e kemi pas për të shpërndarë barnat sepse ishte e ndaluar dhe rrezikoje burgun”, tha ai.

Pas përmbushjes së misionit për rindërtimin e qindra shtëpive pas luftës në Kosovë, Dom Vincens Pali zgjodhi të shërbejë në veri të vendit dhe sot është famullitar në Pistull, Paçram, Vig, Mnelë e Spathar, pjesë e Dioqezës së Sapës.

Veç meshtar ai është dhe një humanist i rrallë. Dom Vinku siç e thërrasin banorët e zonës ka krijuar një klimë të qetë e vllazërore.

“Është prift shumë i mirë, do Zoti e ka jetën e gjatë! Ka prish gjumin e natës për të dërguar të sëmurët në spital. Ka ndihmuar me ushqime familjet e varfra. Ka sheshuar konfliktet mes njerëzve këtu në fshat”, thanë banorët.

Dom Vinçens Pali ndihmon çdo familje, me të sëmurë dhe të moshuar, ndërsa shprehet se keqardhjen më të madhe e ka për largimin masiv të të rinjve.

“Në Shipëri do ishte mirë të rrinte rinia. Se fëmija e rinia gjallëron shtëpinë e shtetin. Mesazhi im është që të besojmë në Zot e të falim mirësi”, tha Dom Vinçenc Pali.

Prifti katolik shërben në një ndër zonat më të persekutuara nga regjimi i egër diktatorial, por banorët nuk e humbën besimin në Zot dhe disa prej kishave u rindërtuan. Dom Vinçens Pali i gjendet pranë komunitetit, që sot plagën më të madhe ka shpopullimin dhe braktisjen e të moshuarve.

S.B/S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?