Tirana është në prag të zgjedhjeve lokale, ndërsa partitë politike po përgatiten për fushatë. Deri më tani, vetëm Partia Socialiste ka shpallur kandidaturën, e cila ëhst Ogerta Manastirliu, ndërsa lideri demokrat sot bëri me dije se është ngritur një grup pune prej 3 vetash për të negociuar me partitë e tjera opozitare për kandidatin që do të përballet në fushatë me Manastirliun.
Por, akoma ky ‘ngërç’ nuk është zgjidhur plotësisht pasi edhe pse qeveria tashmë ka firmosur shkarkimin e Erion Veliajt, na duhen 15 ditë për të mësuar nëse ky i fundit do ta dërgojë vendimin ë në Gjykatën Kushtetuese apo do të pranojë ‘humbjen’.
Për të diskutuar këto zhvillime në studion e ‘Sot, Live në Shqipëri’ nën drejtimin e Nertil Agalliut, ishte ftuar gazetari dhe analisti Arion Sulo.
Ky i fundit të gjithë procesin e nisur për shkarkimin e Veliajt, e ka cilësuar të stisur nga vetë PS-ja, ndërsa një përplasje virtuale parashikohet mes Ramës e pjesës tjetër të PS-së dhe Veliajt.
“Së pari, neni në fjalë, ligji që i referohen këshilltarët, është i paplotë. Në rastin konkret mungesë e Veliajt e kemi me arsye. Veliaj është shkarkuar 7 muaj pas mungesës në punë. Është bërë vonë. Politikisht, mendoj se është shkarkim politik i nxitur nga PS dhe i krijuar që zë fill që nga arrestimi i Veliajt. Veliaj tregoi se nuk ka dhënë dorëheqjen kur i është kërkuar. Kërkoi të shkonte në këshill dhe nuk ju mundësua dhe avokatët e tij kanë thënë se do ta çojnë në kushtetuese.
Lajmi është do të kemi në përballje me Veliajn që është braktisur nga PS dhe pjesës tjetër të partisë që do ta mbyllë këtë histori sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse do të kemi dekret pa pritur afatin 15 ditor, aty do të kemi një përshkallëzim të situatës. Do të kemi një levizje të Veliajt, deklaratë apo qëndrim politik sepse do të jetë në shkelje të hapur ë ligjit dhe do të tregojë qëllimin e gjithë asaj që përshkrova”, tha Sulo.
Sulo ka komentuar dhe kandidaturën e Ogerta Manastirliut për postin e drejtueses së bashkisë së Tiranës, duke e cilësuar atë jo në nivelin e drejtuesve të mëparshëm të kryeqytetit.
“Me gjithë aftësitë e veta organizative, Manastirliu nuk është në nivelin e politikanëve që kanë drejtuar Tiranën deri më sot. Pikërisht për këtë e ka zgjedhur. Sepse Bashkia e Tiranës e dimë që laboratori, paradhoma për të marrë partitë e mëdha politike”, tha analisti.
Gazetari analizoi dhe kalimin e opozitarëve në skuadrën e Partisë Socialiste dhe për këto kalime, janë ‘shpërblyer’ me poste të rëndësishme. Përmendim këtu ish-deputeten e LSI-së Silva Caka, e cila jo më larg se dje u emërua zëvendësministre e Brendshme apo ish-demokrati Genc Deromemaj që u emërua në krye të Kadastrës së Vlorës.
“Është një merakto, një pazar i keq për demokracinë. Brahimllari dhe Caka kanë qenë ata që kanë akuzuar direkt kryeministrin dhe qeverinë për afera kriminale. Ose ka ndryshuar Rama, ose kanë ndryshuar këta. Për mendimin tim kanë ndryshuar këta. Pse shoqërohen me leje ndërtimi këto ndërrime, në rastin e Vlorës. Në rastin e Genc Deromemaj janë dhënë dy leje ndërtimi”, tha analisti.
Pozicionin e opozitës në këto zgjedhje bashkiake, Sulo nuk e shikon të vonuar në linçimin e emrit të kandidatit, por e shikon të pafavorizuar përballë qeverisë, shtuar këtu dhe faktit se rezultati i zgjedhjeve lokale në përgjithësi anon nga qeveria aktuale.
“Zgjedhjet në Tiranë, mund të shtyhen. Nëse Kushtetuesja e pranon kërkesën, i bie të ketë 6 muaj për të vendosur. Zgjedhjet do të bëhen shpejt dhe është në favor të mazhorancës e cila vjen nga një palë zgjedhje të fituara nga në rezultat të thellë, dhe rezultati i pjesshëm shkon në favor të qeverisë.
Në këtë pikë nuk e shikoj të vonuar. Opozita nuk mund të binte në lojën e Ramës dhe të nxirrte direkt kandidatin e vet. Nuk mund të bësh lojën e kundërshtarit. Sot Berisha bëri të ditur që ka ngritur grupin e negociatorëve. Ka një shpresë teorike, që nëse bashkimi i opozitës mund të çojë në një rezultat apo në përmbysje, por është shumë e vakët kjo shpresë”, tha analisti.
Referuar deklaratave të opozitarëve, të cilët nuk duan të marrin pjesë në këto zgjedhje bashkiake ku bëhet fjalë vetëm për një mandat 2-vjeçar, Sulo tregon se kjo është më shumë një shmangie duke ditur dhe pozicionimin e opozitës, e cila sapo ka dalë nga disa zgjedhje të humbura me një rezultat të thellë.
“Kjo më duket si shmangie për shkak të gjendjes politike të opozitës. Një mandat 2 -vjeçar është gjysma por ke rikandidimin në lojë. Nuk duan të digjen në këtë situatë. Tirana në bashki mund të ketë garë vetëm nëse kemi bashkimin e opozitës. Nëse negociatat dështojnë, do të kemi pastaj 3-4 kandidatë”, tha ai.
Analisti gjithashtu ka krahasuar politikisht dhe Veliajn me Manastirliun, duke thënë se Veliaj kishte tjetër nivel, por pavarësisht kësaj, Ogerta Manastirliu ka një shanc shumë të madh për të fituar për shkak të ndikimit të madh të qeverisë në administratë, sipas Sulos.
“Mungesa e Veliajt është mungesë goxha e rëndësishme. Ishte në krye të fushatës edhe në 2021 dhe të fushatës së vet. Është ndryshe Manastirliu, nuk mund të krahasohen politikisht. Veliaj ishte politikan i nivelit tjetër. Rama e di këtë dhe do mbështetje sa më të madhe. Qeveria ka aq shumë resurse sa gjithë qeverinë dhe administratën e vendos në dispozicion të zgjedhjeve. Të gjithë ish-deputetët janë diku të rregulluar. Kur ishe ish-deputet mbaje 6 muaj zi për humbjen e kandidatit, ndërsa tani ai të heq, ti i shërben. Ky pushtet ka gjithmonë diçka për të dhënë për të gjitha llojet e rrymave dhe të njerëzve”, u shpreh analisti.
Komente
